Mesfushori Sefa: E vështirë, por Vora e di si fitohet në Peshkopi
Humbjen e thellë me Flamurtarin, Vora do ta vuaj deri në fund të kampionatit, për sa i përket objektivit të ngjitjes në Superiore. Gjurma e lënë nga ajo disfatë duket edhe pas rikthimit te fitorja kundër Valbonës.
Skuadra po përgatitet maksimalisht për transfertën e Peshkopisë, të shtunën kundër Korabit, ku kërkohet me patjetër fitorja, në mënyrë që të mos thellohet diferenca me kreun. Të gjithë janë duke e diskutuar ende atë humbje me vlonjatët dy javë më parë, edhe pse do të kenë përballë një tjetër skuadër rivale dhe që u ka prishur punë të gjitha skuadrave pretendente. I tillë pritet të jetë takimi që do të zhvillohet në Peshkopi, kundër Korabit, i fortë dhe mjaft interesant. Megjithatë, optimizmi te lojtarët për një rezultat pozitiv mbetet aktiv, sidomos për mesfushorin Okseold Sefa. Në prag të këtij takimi, për “Panorama Sport”, Sefa u shpreh:
“E dimë fort mirë që Korabi është një ‘kockë e fortë’ për të gjitha ekipet në fushën e tij. Gjithsesi, ne jemi përgatitur për ta përballuar me sukses këtë takim. Korabi bëhet dyfish më i fortë në shtëpi, kjo edhe për shkak të tifozerisë së zjarrtë që ka në mbështetje. Megjithatë, ne jemi të përqendruar te loja jonë kolektive dhe do të kërkojmë të dalim fitimtarë nga kjo fushë. Këtë e kemi treguar edhe në sezonin e kaluar kur dolëm me tri pikë nga stadiumi i Korabit. Këtë ne do ta bëjmë realitet edhe këtë radhë”.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"