Mesfushori Sefa: Vora synon vetëm Superioren, ekipi nuk e ndal rrugëtimin deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2024 | 16:59

Mesfushori Sefa: Vora synon vetëm Superioren, ekipi nuk e ndal rrugëtimin deri në fund

Vora është brenda objektivave pas 7 javësh kampionat. Vorakët janë vetëm një pikë larg kryesuesve të Besës, ndaj kërkojnë fitoren e radhës Lushnjës, takim i cili do të luhet pas 10 ditësh.

vora feste

Gjatë kësaj periudhe pushimi ekipi mund të zhvillojnë edhe ndonjë miqësore, ndonëse me 16 tetor luajnë ndeshjen e turit të parë të Kupës, ku presin Gramshin. Mesfushori Okseold Sefa, duket se po bind me lojën e tij në këto 7 ndeshje dhe për “Panorama Sport” u shpreh: “Jam në formë të mirë dhe jam i angazhuar të jap më të mirën e mundshme nga vetja. Kjo do të më shërbejë jo vetëm mua, por dhe ekipit ku luaj. Vora ka synimin për t’u ngjitur në Superiore dhe me bindje them, që kjo do të bëhet realitet.

Grupi cilësor, përkushtimi i të gjithë shokëve, stërvitja me intensitet të lartë, janë disa nga bindjet tona se do ia dalim me sukses për ta ngjitur Vorën në elitë. Kemi fituar 6 ndeshje dhe na ka mbetur “peng” humbja në Vlorë, që ishte aksidentale. Ne nuk do të ndalemi në rrugëtimin tonë drejt kreut. Javën e ardhshme presim Lushnjën dhe përveç fitores që e kemi detyrim, duam edhe të kënaqim tifozërinë tonë”. Gjatë javës së ardhshme Vora luan dy ndeshje në shtëpi, të mërkurën e 16 tetorit në Kupë ndaj Gramshit dhe në fundjavë presin Lushnjën për llogari të javës së tetë të kampionatit.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"