Mesfushori titullar nuk ia del, Skënderbeu me ndryshime ndaj Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2024 | 21:34

Mesfushori titullar nuk ia del, Skënderbeu me ndryshime ndaj Egnatias

Skënderbeu i kësaj jave pritet të ketë ndryshime në krahasim me ndeshjet e fundit. Ndonjë lëvizje është e detyruar për trajnerin Ivan Gvozdenoviç, pasi ka një dëmtim që prish jo pak punë, siç është ai i Juri Merlim. Braziliani u dëmtua në ndeshjen me Tiranën dhe sipas të gjitha gjasave e ka humbur sfidën e kësaj jave me Egnatian, që luhet të shtunën në Korçë.

skenderbeu

Vendin e tij e mori Pecani dhe ndoshta po ky lojtar do ta zëvendësojë edhe ndaj kampionëve në fuqi. Por trajneri Gvozdenoviç ka edhe alternativa të tjera dhe duhet parë se çfarë strategjie do të zgjedhë serbi i stolit korçar për të përballuar një kundërshtar të fortë, siç është Egnatia. Merlim ka qenë titullar i padiskutueshëm në ndeshjet e deritanishme dhe mungesa e tij peshon jo pak për këtë 90-minutësh të rëndësishëm.

NDRYSHIME TË TJERA – Përveç Jurit, në formacionin e Skënderbeut mund të ketë edhe ndonjë ndryshim tjetër, sidomos në mbrojtje. Kosta Vangjeli nuk ishte në nivelin e duhur në sfidën e humbur me Tiranën dhe ndoshta mund t’ia lërë vendin Gërços. Ky i fundit, nëse kalon djathtas, do t’i hapte rrugën aktivizimit të Shaqes në të majtë të mbrojtjes. Një mundësi tjetër është Albi Doka, i cili ende nuk ka luajtur si titullar me korçarët, pasi u bashkua me vonesë me ekipin.

Këto dy ditë stafi teknik do të shohë me kujdes gjendjen e çdo lojtari, por duket e sigurt që do të ketë ndryshime. Vetë pozicioni në renditje i bën korçarët që të kërkojnë me çdo kusht fitoren, edhe pse përballen me një skuadër shumë të fortë si kampionët në fuqi. Edhe Egnatia vjen nga një humbje dhe të shtunën në Korçë duket se do të ketë “luftë” për pikë. Skënderbeu luan para tifozëve të vet dhe nuk mund t’ia lejojë vetes një tjetër gabim. Është ende faza e parë e kampionatit, port juglindorët ndjejnë nevojën e pikëve, që ndihmojnë shumë në aspektin psikologjik.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"