Mingo dhe Çyrbja gati, Teuta me forca shtesë kundër Dinamos
Teuta do të presë Dinamon në “Niko Dovana”, në javën e gjashtë të Superiores, sfidë që do të luhet nesër në orën 20:00.Durrsakët do të tentojnë që të rikthehen te rezultati pozitiv, pas humbjes së fundit. Për këtë takim, trajneri Edi Martini do të ketë forca të shtuara në organikë, kur Mingo dhe Çyrbja do të jenë gati për ndeshjen me blutë e kryeqytetit. Të dy lojtarët pasi kanë punuar të veçuar dhe kanë përfunduar rikuperimin, janë bashkuar me grupin dhe do të vihen në dispozicion të trajnerit. Ndërkohë, një mungesë për Teutën siç dihet është edhe ajo e mesfushorit Ergis Arifi, i cili pritet të rikthehet pas dy javësh.
PËRGATITJET- Askush nuk sheh përtej ndeshjes së nesërme. Trajneri Martini dhe ndihmësit e tij kanë drejtuar seancën e djeshme stërvitore, që ishte me karakter taktik, ku stafi po jep edhe këshillat e fundit. Skuadra ka marrë krahas këshillave, edhe orientimet taktike, si duhet të sillet në këtë ndeshje përballë ekipit të Dinamos. Gjithçka është kaluar në heshtje, ndërsa trajneri Edi Martini nuk doli në konferencën për shtyp, duke u fokusuar vetëm në fushë. Nëse Teuta do të fitojë kundër Dinamos, do të marrë vlerë të dyfishtë, pasi do të vijë kundër një rivali mjaft të fortë, si ekipi i Ilir Dajës. Kështu, në Durrës janë shumë të fokusuar te kjo përballje për të mos humbur sërish, si ajo disfatë në minutat e fundit me Vllazninë, e cila “djeg” akoma në kampin e “Djemve të Detit”.
Z.QYPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"