Mirel Josa si ekspert: Shijaku, transferta më e vështirë e Besës
Kavajasit në këto 7 javë të luajtura kanë një bilanc prej 6 fitoresh e 1 barazimi, me 13 gola të shënuar e vetëm 1 të pësuar. Ky sukses merr më shumë vlera nëse themi se Besa ka luajtur vetëm 2 herë në shtëpi me Korabin e Kastriotin dhe 5 takimet i ka zhvilluar si mysafire, duke llogaritur edhe Burrelin si transfertë, ndonëse në kalendar ishte pritëse.
Kjo fundjavë rezervon për verdhezinjtë një tjetër ndeshje jashtë fushe, madje e një shkalle të lartë vështirësie. Të besuarit e trajnerit Josa do të udhëtojnë të dielën drejt Shijakut, ekip që vjen pas pikës së parë marrë këtë sezon javën e shkuar në Lushnjë. Është vetë trajneri i Besës, Mirel Josa, ai që vlerëson vështirësinë e kësaj përballje, duke e quajtur atë si transfertën më të vështirë deri në këtë fazë të kampionatit. “Padyshim, që deri në këtë periudhë të kampionatit, transferta në Shijak është më e vështira.
Kam aq përvojë të gjatë sa ta vlerësoj një moment të tillë, pasi jo Erzeni i vendit të fundit, por çdo ekip kur luan me kryesuesit motivohet më shumë. Erzenin nuk e vlerësojmë nga pikët, pasi ka një grup vërtetë për t’u vlerësuar”, tha fillimisht trajneri Josa për “Panorama Sport”. Natyrisht që ky vlerësim nuk fsheh aspak dëshirën dhe objektivin që Besa ka në këtë takim. Për Josën, Besa kudo hyn në fushë vetëm për fitore. “Përtej vlerësimit tim real për Erzenin, natyrisht që objektivi ynë, kudo ku luajmë, mbetet fitorja.
Do të kemi vetëm një mungesë, atë të Goxhajt, i cili u ndëshkua në Burrel. Pjesa tjetër do të jetë të gjithë të gatshëm. Në Kupë mora mesazhe pozitive nga shumë prej lojtarëve që u aktivizuan. Ndaj, kam besim te grupi se nëse zbatojnë ato detyra të cilat i kemi punuar gjatë gjithë javës, do të jemi më afër rezultatit pozitiv”, përfundoi trajneri i skuadrës kavajase. Gjatë gjithë kohës trajneri kryeqytetas është munduar që të ulë euforinë në ekip, pasi rruga është e gjatë dhe deri tani nuk kanë siguruar asgjë sa i përket objektivit madhor.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"