Mirlind Daku udhëheq sulmin, nisin “sikletet” e Silvinjos për tetorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2024 | 19:29

Mirlind Daku udhëheq sulmin, nisin “sikletet” e Silvinjos për tetorin

Koha po afron dhe në datën 7 tetor, Kombëtarja shqiptare do të nisë grumbullimin e radhës për dy ndeshjet në transfertë, me Çekinë dhe Gjeorgjinë, të vlefshme për Ligën e Kombeve. Këtë herë, Silvinjo duhet të përballet me situata të tjera, të cilat do të vendosin jo pak në siklet.

Sylvinho Daku

Ardian Ismajli po kalon një moment shumë të mirë në Serinë A dhe po ashtu Marash Kumbulla ka rilindur tek Espanjoli, teksa Arlind Ajeti është kthyer nga dëmtimi e po luan në Turqi, zgjedhje e vështirë do të jetë për Silvinjon se kush do ta nisë nga minuta e parë në krah të kapitenit Berat Gjimshiti.

Interesantë do të jetë edhe qasja që trajneri do të ketë ndaj Hysajt i cili ka një situatë në disfavor te Lacio dhe nuk pritet të luajë për një kohë të gjatë. Por, konkurrenti i tij në krah, Ivan Balliu, nuk po luan rregullisht me Vajekanon. Ndërkohë Mitaj është i konfirmuar në krahun e majtë. E njëjta situatë edhe në mesfushë, ku problemi i vetëm mbeten zëvendësuesit, me Medon Berishën i cili është i dëmtuar dhe nuk dihet nëse do të jetë gati për këto ndeshje.

Mbetet për tu parë nëse do të ketë hapësirë për Keidi Baren këtë herë, me mesfushorin që është në prag rikuperimi nga një dëmtim muskular të pësuar në fillim të shtatorit. SULMI- Një ndër repartet më pak të qëndrueshme në ekipin kombëtar, pas largimit të Sokol Cikalleshit. Ndeshjet e shtatorit u luajtën me Rei Manajn titullar dhe Seferi u preferua si zëvendësues dhe Uzuni më pak.

Më datën 11 tetor, kuqezinjtë do të sfidojnë Çekinë në Pragë dhe nëse Rei nuk rikuperohet deri atëherë, Mirlind Daku do të jetë sulmuesi që do të udhëheqë sulmin kuqezi, duke qenë se në hierarkinë e Silvinjos, Uzuni është më mbrapa dhe Seferi preferohet më shumë në krah.

Armando Broja është ende i dëmtuar dhe rikthimi i tij nuk është ende i qartë dhe në të tilla kushte, Silvinjo do t’i besojë Dakut që po luan dhe shënon rregullisht në kampionatin rus. Ai mungoi për shkak të një shqetësimi të lehtë me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, ndërsa pritet të rikthehet në dy transfertat. Ndër të tjera, nuk mund të përjashtohet një thirrje e Indrit Tucit, pasi Silvinjo ka dëshmuar se ka marrëdhënie të mira me surprizat.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"