Mohimi i fitores së Valievit, presidenti i mundjes: E kemi çuar në KAS, kërkojmë drejtësi
Sporti i mundjes nderoi Shqipërinë në “Paris 2024”, ku për herë të parë vendi ynë mori medalje olimpike, dy të bronzta, që mbajnë firmat nga Chermen Valiev dhe Islam Dudaev në stilin e lirë, përkatësisht në peshat 74 kg dhe 65 kg.Megjithëse bëhet fjalë për një rezultat historik, mundja kuqezi ka një peng të madh nga eksperienca në Paris që ka të bëjë me ndeshjen çerekfinale të Chermen Valievit kundër Razambek Jamalov. Federata Shqiptare e Mundjes e kontestoi fitoren e sportisti nga Uzbekistani, duke e konsideruar një skandal të vërtetë arbitrimi e këtij dueli.
Lidhur me këtë pretendim, FSHM-ja ka bërë ankimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS), gjë të cilën e ka konfirmuar vetë presidenti i federatës, Sahit Prizreni, në komunikimin që ka pasur me “Panorama Sport. Prizreni, ashtu sikurse edhe trajneri i kombëtares, Leonard Çakmashi, deklaruan se Shqipërisë iu vodh kualifikimi dhe se ishin të bindur se mundësi kuqezi do të fitonte medaljen e artë në Lojërat Olimpike. Prizreni, tashmë shpreson që drejtësia të vendoset në vend, ndërsa ka përmendur edhe precedentë me raste të ngjashme:
“Ne ishim përgatitur për një fitore dhe para se të niseshim kisha deklaruar se ajo që shihja te djemtë më bënte të isha i bindur që do të merrnin një medalje, ndërsa arritëm që të merrnim dy. Janë medalje bronzi, por për ne kanë shijen e medaljes së arit”, shprehet ish-kampioni i mundjes shqiptare, tashmë në rol drejtues.
Keqardhja e Prizrenit është sfida e Valievit, me kreun e FSHM-së që shpreson që drejtësia të vendoset në vend: “Chermenit i është mohuar ndeshja në gjysmëfinale, i është vjedhur dhe ne kemi bërë një ankimim në KAS. Unë pretendoj që drejtësia të vihet në vend. Ajo që ka ndodhur me Valievin dhe kundërshtarin nga Uzbekistani është një vjedhje e hapur pasi nuk ka rregullore që justifikon ato që bëri arbitri me dy pasive në 10 sekondat e fundit, duke i marrë pikë sportistit tonë. Ndiejmë që na është bërë padrejtësi, por tani që morëm dy medalje ndihem pak i lehtësuar dhe i lumtur që ne ja dolëm. Unë shpresoj që drejtësia do të vihet në vend dhe nëse kjo ndodh do të thotë që ne do kemi një medalje ari dhe një bronzi. Për raste të tilla ka precedentë të një vajze në Indi, e cila mori medaljen e artë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi drejtësia foli pas përfundimit të lojërave”, është shprehur ndër të tjera Sahit Prizreni.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"