Moment delikat për kryeqytetasit, zhgënjimi në Kupë shkund Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2025 | 22:35

Moment delikat për kryeqytetasit, zhgënjimi në Kupë shkund Dinamon

Dinamo ka bërë një nga ndeshjet e saj më të dobëta të enjten në Kupë ndaj Skënderbeut. Humbja 0-2 dhe loja e dobët e bluve tregojnë se skuadra e Dajës është për momentin në një minikrizë, e shkaktuar nga mungesat dhe forma e dobët e disa lojtarëve.

Dinamo

Ishte nga të paktat raste, ku kryeqytetasit lanë për të dëshiruar, duke i humbur thuajse të gjithë dyluftimet në fushë. Shenjat në fakt u panë që në ndeshjen e kampionatit me korçarët, ku Dinamo u gjend në disavantazh, por ia doli të barazonte, kurse në Kupë u mund me 2 gola, duke “minuar” një nga objektivat e sezonit.

Blutë nuk janë dorëzuar, siç pohoi edhe trajneri Ilir Daja pas ndeshjes, por është e qartë se më 26 shkurt do të jetë shumë e vështirë përmbysja në Korçë. Deri atëherë ka ndeshje të tjera dhe së pari pritet reagimi në kampionat. Klubi mbështet skuadrën për ta kaluar sa më shpejt këtë situatë të vështirë.

MUNGESAT – Në këtë gjendje që po kalon Dinamo sigurisht që kanë ndikuar jo pak mungesat e disa titullarëve, siç janë: Sali, Dita, Toli dhe Mandela. Kur mungojnë të gjithë në të njëjtën kohë, madje edhe më shumë, pasi edhe Karamba e Doçi nuk kanë qenë gati, gjithçka bëhet më e vështirë.

Dinamo ka vuajtur sidomos mungesën e kapitenit Dita dhe atë të qendërsulmuesit Mandela. I pari është shndërruar në një nga pikat kyçe të prapavijës blu, kurse i dyti është ai lojtari që zgjidh shpesh situatat kur ekipi has vështirësi për të çarë mbrojtjen kundërshtare, duke e nxjerrë golin gati nga hiçi. Dinamo nuk ka një qendërsulmues që ta zëvendësojë Mandelën kur ai nuk luan dhe këtë rol e ka mbuluar Zabërgja në disa ndeshje.

Përveç mungesave, në ndeshjen e fundit kryeqytetasit u shfaqën si një skuadër pa agresivitet, ndërsa disa lojtarë ishin jashtë formës së zakonshme. Diçka e pazakontë për ta në këtë sezon. Ndoshta ai është ai momenti i krizës, që çdo skuadër e kalon gjatë një sezoni, por është fakt se këto javë të fundit ata nuk kanë shfrytëzuar shanset e tyre. Blutë kanë humbur terren në renditjen e kampionatit dhe po ashtu e kanë komplikuar situatën në Kupë, ku rrezikojnë shumë të dalin jashtë.

TEUTA – Me situatën e fundit bëhet detyrim kthesa në ndeshjen me Teutën në Durrës. Blutë kanë nevojë për një fitore qetësie, që nuk mund të vijë me një lojë si ajo e së enjtes. Trajneri Daja e di mirë se çfarë duhet të bëjë skuadra për ta lënë pas këtë moment delikat. Ai do të ketë një grup pak më të plotë të hënën. Toli dhe Karamba e kanë kaluar dëmtimin, madje u aktivizuan edhe në pjesën e dytë të ndeshjes me Skënderbeun.

Në Durrës janë gati për të luajtur nga minuta e parë, ndërkohë që shpresohet për rikthimin e kapitenit Dita, apo të portierit Sali. Për sulmuesin Mandela duket pak më e vështirë që të rikuperohet në kohë për këtë sfidë. Në çdo rast, Dinamo e ka të ndaluar një tjetër hap fals dhe stafi teknik ka edhe dy ditë kohë për ta përgatitur skuadrën.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"