MOSHAT U-17/ Mbyllet faza e dytë, komandojnë Shënkolli dhe Akademia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2021 | 23:50

MOSHAT U-17/ Mbyllet faza e dytë, komandojnë Shënkolli dhe Akademia

Kategoria Superiore për moshat U-17, luajti ndeshjet e javës së 18-të.  “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:

VLLAZNIA U-17

 

Shkëndija mposht Vllazninë me tripletë

1

Shkëndija e Tiranës humbi vendin e parë në mesjavën e kaluar, kur u mposht minimalisht nga Shënkolli rival, por gjithsesi në ndeshjen e fundit të fazës së dytë ndaj Vllaznisë, skuadra e Endri Vrapit bëri autokrikitën, duke fituar me shifrat 3-1. Ka qenë një fitore e merituar e djemve të shkollës “Loro Boriçi”. Që në minutën e 3-të ata kaluan në avantazh falë autogolit të Selmanit. Ky gol mbetet në fuqi deri në fund të pjesës së parë, pasi të dyja skuadrat janë munduar të jenë sa më të kujdesshme në mbrojtje. Në fraksionin e dytë vendësit arrijnë të shënojnë edhe dy gola të tjerë. Fillimisht me anë të Gjonajt dyfishojnë shifrat në minutën e 50-të, ndërsa Kasmollari mbyll historinë e këtij takimi për Shkëndijën në minutën e 67-të. Vllaznia u mundua të reagonte dhe afër fundit ishte Palali që realizoi golin e nderit, duke vulosur rezultatin 3-1. Tashmë skuadrat presin të njihen me kalendarin pas zhvillimit të ndeshjes ShkodraTirana. ABDULLA DUSHKU

Triumf me përmbysje

2

Shënkolli e mbyll fazën e parë si kryesues i grupit A. Kampionët në fuqi të paratërinjve vuajtën jo pak ndaj Shkëndijës së Durrësit, madje u befasuan në pjesën e dytë kur shënoi Shanku për miqtë. Megjithatë, Shënkolli tregoi karakter, teksa i bëri një përmbysje fantastike ndeshjes falë dopietës së D.Markut dhe golit me penallti të Simonit. PRENG GJIKOLA

Partizani, vetëm barazim kundër Laçit

3

Partizani dhe Laçi nuk kanë shkuar më shumë se barazimi 1-1. Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar, me të kuqtë të cilët e kanë patur të vështirë, pasi që nga minuta e 34-t kanë luajtur me 10 lojtarë. Kokomani ka marrë dy kartonë të verdhë në harkun e 5 minutave dhe kësisoj u ndëshkua automatikisht me të kuq. Laçianet e kanë nisur me gol lojën, pasi që në minutën e 7-të ishte Gjoka që shënoi. Pjesa e parë u mbyll me triumfin minimal të kurbinasve, që morën zemër duke qenë në epërsi numerike. Mirëpo, në pjesën e dytë skuadra e kuqe u fut e karikuar në fushë, ndërsa nuk mungoi as tensioni, pasi vendimet e gjyqtarit Dyrmishi u kontestuan nga stafi i Partizanit. “Demat” e vegjël gjetën forcat për të barazuar rezultatin dhe pas shumë përpjekjesh është Duçellari që nderon skuadrën e Ledio Panos. Në minutat e mbetura pati tentativa nga të dyja skuadrat, por që rezultuan të pasuksesshme. Pas 18 javësh kampionat, të kuqtë janë të parafundit në renditje. ABDULLA DUSHKU

Shkëlqejnë durrsakët

4

Teuta shkëlqen ndaj Pogradecit dhe e sheh veten në vendin e tretë të grupit B pas 18 javësh. Skuadra durrsake shënoi katër gola në portën e liqenorëve, teksa Vrioni realizoi i pari në minutën e 12-të. Në pjesën e dytë Teuta dominoi totalisht. Protagonist absolut u bë Kërtusha me dy gola, ndërsa afër fundit Demricani vulosi triumfin e thellë 4-0. ZAMIR QYPI

Apolonia likuidon Besën

5

Besa pranon forcën e Apolonisë. Ndryshe nga takimet e tjera, kavajasit e vegjël nuk kanë dhënë atë që pritej. Këtë e shfrytëzoi maksimalisht Apolonia, e cila u tregua cinike. Kullau shënoi dy gola, duke qenë më i miri për fierakët. Pjesa e dytë ishte e barabartë, por miqtë janë më të saktë në finalizim dhe shënuan me Rakipajn, ndërsa Besa me Deliun. FERIZ FERIZAJ

Gjoni nderon korçarët

6

Një gol i Gjonit në fundin e lojës u ka dhënë tri pikë shumë të rëndësishme korçarëve në ndeshjen ndaj Pepës. Ka qenë një takim i ekuilibruar, me të dyja skuadrat që e kërkuan golin, por nuk shfrytëzuan rastet në pjesën e parë. Në 45-minutat e dyta Skënderbeu ishte më kërkues dhe ia doli me Gjonin të kalonte në avantazh. LLAZI SARO

Në Vlorë s’ka fitues

7

Nuk ka shkuar më shumë se barazimi pa gola ndeshja mes Flamurtarit dhe Akademia e Futbollit, që kryeson grupin B. Vlonjatët e mbyllën me 10 lojtarë pas ndëshkimit me të kuq të Idrizit në minutën e 79-të. Kjo ndeshje u luajt në stadium për shkak të dënimit të fushës ku vlonjatët më parë kanë zhvilluar takimet, pikërisht në Pyllin e Sodës. ERMAL SIKA

Internacional nuk fal

8

Internacionali nuk fal ndaj Briansit, duke u konfirmuar si forca e tretë në grupin A. Me dy gola në pjesën e parë nga Guçi dhe kapiteni Syla, skuadra vendëse ia bëri më të thjeshtë vetes vazhdimësinë e lojës. Në pjesën e dytë ishte Hiso që trefishoi shifrat, duke vulosur fitoren për skuadrën që tashmë drejtohet nga Brusi Arapi. ABDULLA DUSHKU

Katër gola për 1 pikë

9

Vora dhe Football Republic kanë prodhuar spektakël në ndeshjen e luajtur të dielën, por në fund gjithçka u mbyll me shifrat 2-2. Hodo shënoi i pari, ndërsa Qokaj barazoi për Vorën. Tre minuta para se të mbyllej fraksioni i parë, Petro që shënon golin e dytë për Football Republic. Gjithsesi, Vora ia del të barazojë në fund me Hasramën. ABDULLA DUSHKU

34 35

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"