MOSHAT U-17/ Shkëlqejnë Shënkolli dhe Akademia! Partizanit nuk i mjafton as fitorja, Besa trondit Apoloninë dhe e bën “zjarr” Grupin B
Kategoria Superiore për moshat U-17, luajti ndeshjet e javës së 26-të. “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:
Fitore për “play off”, sa shumë dëmtime!
Akademia e Futbollit ka arritur një fitore shumë të rëndësishme kundër Pepës, duke hedhur një hap të madh për të siguruar zonën “play off” kur mbetet edhe një javë për t’u luajtur nga kampionati i rregullt. Ka qenë një ndeshje me shumë dëmtime, pasi 4 lojtarë të Pepës u detyruan ta linin fushën për shkak të përplasjeve.
Dy prej lojtarëve pësuan dëmtime në kavilje, ndërsa një prej tyre pati hemorragji nga hundët. Megjithatë, skuadra elbasanase i ka bërë ballë Akademisë, duke e vënë në vështirësi deri në fund. Fillimisht, Andrea Saraçi dhe më pas golashënuesi më i mirë i këtyre moshave, Arseld Halilaj, realizuan për ekipin e Sokol Bulkut. Për elbasanasit realizoi Stafa. ABDULLA DUSHKU
Vendos Kasmollari
Shkëndija e Tiranës merr tri pikë të arta ndaj Vllaznisë, teksa vendosi një gol i Kasmollarit në minutën e 38-të.
Edhe pse skuadra e Endri Vrapit e ka siguruar me kohë katërshen e parë, tashmë ka mundësi që në javën e fundit ta mbyllë në krye, gjithnjë nëse Shënkolli rival humbet ndaj Partizanit dhe Shkëndija merr tri pikë në Laç. ABDULLA DUSHKU
Rrapi udhëheq kryesuesit
Shënkolli ia doli të triumfonte pastër 3-0 kundër Laçit, në një ndeshje ku diferencën e bëri dopieta e Rrapit. Pjesa e parë ka qenë e ekuilibruar, pasi miqtë janë mbrojtur mirë.
Megjithatë, Rrapi kaloi në avantazh Shënkollin. Në fillimin e pjesës së dytë Deda dyfishoi shifrat, ndërsa në të 76-ën ishte sërish Rrapi që vulosi triumfin. PRENG GJIKOLA
Tirana bën tripletë
Tirana nuk fal kundër Shkodrës, duke e futur në presion të madh këtë të fundit një javë para mbylljes së kampionatit të rregullt.
Bardheblutë e kishin siguruar me kohë zonën “play off”, ndërsa Shkodrës i duhej një pikë për të shmangur një ndeshje shtesë për mbijetesën. Karaj, Baruti dhe Qehaja mbyllën gjithçka për 29 minuta. ABDULLA DUSHKU
Partizani bind në Durrës
Partizani fiton bindshëm duelin e skuadrave që luftojnë për mbijetesë në Grupin A. Në përballjen ndaj Shkëndijës së Durrës, të kuqtë e Ledio Panos kanë bërë diferencën që në pjesën e parë, ku shënuan dy herë me Shkambin dhe Gjetën.
Në pjesën e dytë realizoi Muça. Tashmë në javën e fundit duhet një mrekulli që të kuqtë të shmangin zonë “play out”. JULIAN HASA
Teuta i falet Shtrazës
Teuta bën detyrën në shtëpi kundër Skënderbeut. Shtraza ishte heroi i durrsakëve, duke shënuar dy gola dhe mbajtur gjallë shpresat e ekipit blu për të kapur një vend në katërshen e parë.
Në fakt, nuk ka qenë aspak e lehtë për Teutën, pasi Gjatolli shënoi për miqtë në fillim. Më pas dopieta e Shtrazës dhe Shabanaj përmbysën gjithçka. ZAMIR QYPI
“Poker” i Flamurtarit
Paratërinjtë e Pogradecit e mbyllin me disfatë ndeshjen e fundit në fushën e tyre për këtë sezon, duke shënuar njëkohësisht një rekord negativ për sa u përket humbjeve dhe golave të pësuar, plot 110.
Fitorja 1-4 nuk është se u vlejti shumë vlonjatëve, pasi bashkë me Pogradecin do të luajnë një ndeshje shtesë për qëndrimin në kategori. REDI DANDALLAKU
Besa trondit Apoloninë
Besa ka tronditur Apoloninë në Fier, duke siguruar qëndrimin në Kategorinë Superiore U-17 një javë para mbylljes së kampionatit të rregullt.
Nga ana tjetër, skuadra e Sokol Argjendarit, edhe pse ka shumë shanse për të qenë në “play off”, sërish nuk mund të thuhet se e ka siguruar. Ndeshjen e vendosi autogoli i Çakajt në minutën e 57-të.
BUJAR RAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"