MOSHAT U-17/ Shkëputet Shënkolli, thyen Tiranën. Kryesuesit e grupit shkojnë +4 pikë nga ndjekësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2021 | 14:44

MOSHAT U-17/ Shkëputet Shënkolli, thyen Tiranën. Kryesuesit e grupit shkojnë +4 pikë nga ndjekësit

Kategoria Superiore për moshat U-17, luajti ndeshjet e javës së 22-të.  “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:

internacional u-17

Kampionët s’falin, vendos goli i Dedës

1

Shënkolli ia del të fitojë një ndeshje shumë të rëndësishme në shtëpi kundër Tiranës. Një gol i Dedës në minutën e 77-të u dha tri pikë të arta shënkollasve kampionë në fuqi të Shqipërisë për grup-moshën U-17. Loja ka nisur nën kontrollin e shënkollasve, të cilët e kërkuan shumë shpejt avantazhin. Ndonëse lufta për golin u zhvillua në të dyja zonat respektive, fraksioni i parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Fraksioni i dytë kishte më tepër agresivitet dhe skuadrat krijuan disa raste. Megjithatë, avantazhi i vendësve do të vinte vetëm pas një goditjeje nga këndi. Jaku kroson në zonë dhe aty pas një rrëmuje, ishte Deda që e dërgoi topon në rrjetë. Avantazhi bëri me krahë Shënkollin, që në minutën e 80-të me anë të Jakut goditi trekëndëshin e majtë të portës tiranase. Deri në fund kishte përpjekje nga bardheblutë për të barazuar shifrat, por i gjithë takimi u mbyll me fitoren e vendësve, 1-0. Nesër të rinjtë lezhjanë luajnë në transfertë me Shkodrën. PRENG GJIKOLA

Shkëndija T., e dyta

2

Shkëndija e Tiranës ka mposhtur Internacionalin dhe e ka parakaluar në tabelë, duke u rikthyer në vendin e dytë. Skuadra e Endri Vrapit shënoi në minutën e 30-të me anë të Kasmollarit. Pjesa e dytë ishte më e fortë, me Internacionalin që barazoi me anë të Bockës në minutën e 59-të. Megjithatë, Hazizaj më pas i dha fitoren Shkëndijës. ABDULLA DUSHKU

Shkëlqen Partizani

3

Partizani i Ledio Panos ka arritur një fitore bindëse ndaj Shkodrës, duke shpresuar te mbijetesa në Superiore. Goli i Vidricës e mbylli pjesën e parë 1-0 për të kuqtë. Ndërsa në 45 minutat e dyta Partizani shënoi edhe dy herë. Fillimisht ishte Çela që dyfishoi shifrat, ndërsa afër fundit Dine realizoi golin që vulosi triumfin 3-0 të “demave”. ABDULLA DUSHKU

Matija nderon shkodranët

4

Vllaznia i është falur golit të Matijës në transfertën ndaj Shkëndijës së Durrësit. Ka qenë një ndeshje e ekuilibruar mes dy skuadrave që pozicionohen në vendet e fundit të klasifikimit. Diferencën e kanë bërë shkodranët në pjesën e dytë, duke kaluar në avantazh në minutën e 67-të. Vendësit nuk i shfrytëzuan rastet që krijuan para portës. ZAMIR QYPI

Thana, “ligjin” në Vlorë

5

Vora triumfon me goleadë, duke e zhytur Flamurtarin. Sajdi Thana ishte heroi i miqve, teksa shënoi plot katër gola, një prej të cilëve me penallti. Pavarësisht se Flamurtari realizoi i pari në minutën e 31-të me Leshin, Thana barazoi gjashtë minuta më pas. Në pjesën e dytë do të shënonte edhe Emiliano Brahimaj, për të vulosur fitoren 2-5 në Vlorë. ERMAL SIKA

Akademia i falet Totës

6

Derbi mes akademive të Alban Bushit dhe Redi Jupit ka qenë kryendeshja e javës së 22-të për Grupin B. Kryesuesit e Akademisë së Futbollit fituan 2-0 ndaj Football Republic, në një takim ku nuk mungoi as tensioni. Për shkak të kontestimeve ndaj arbitrit, trajneri Glen Daja u ndëshkua me të kuq. Ndërkohë, ndeshjen e vendosi dopieta e Totës. ABDULLA DUSHKU

Apolonia mposht Teutën

7

Apolonia vijon ecurinë e rezultateve pozitive drejt arritjes së vendit të parë. Këtë herë fierakët e vegjël mposhtën Teutën rivale me shifrat 2-0. Skuadra e drejtuar nga Sokol Argjendari kaloi në avantazh me anë të Kullaut në minutën e 16-të. Në pjesën e dytë mendoi A.Kurti për të vulosur fitoren e Apolonisë, teksa ktheu në gol një 11-metërsh. BUJAR RAMA

“Çmenduri” në Pogradec

8

“Lumë” golash në Pogradec mes paratërinjve vendës dhe Besës. Në fund kavajasit festuan fitoren tenistike 8-4. Spikati për miqtë Morina me tre gola, ndërsa Kurti bëri dopietë. Vendësit shënuan me Mançellarin, Dacin, Dilaverin me penallti dhe Muçellin. Golat e tjerë për kavajasit u realizuan nga Dedej, Deliu dhe Bubeqi, duke plotësuar triumfin. REDI DANDALLAKU

Laçi parakalon Briansin

9

Laçi mposht bindshëm në shtëpi Briansin, në një ndeshje ku protagonist u bë Xeka me dopietë. Pjesa e parë ishte më e ekuilibruar, por kurbinasit kaluan në avantazh në minutën e 29-të me Xekën. I njëjti lojtar dyfishoi në pjesën e dytë, ndërsa Myftari mendoi për të vulosur triumfin 3-0. Briansi bëri pak për të dalë me pikë nga Laçi. ABDULLA DUSHKU

Tartari bën diferencën

0

Pepa ka mundur 2-0 Skënderbeun për paratërinj, teksa ndeshja u vendos nga dopieta e Fabian Tartarit në pjesën e dytë. Në tërësi u zhvillua një lojë e rivalizuar nga të dyja ekipet, me elbasanasit që ishin më këmbëngulës në kërkim të golit. Ky rezultat i bën shumë punë Pepës, që e kishte jetike fitoren për t’iu larguar vendeve të fundit. VLADIMIR MEMA

11 22

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"