Mota ka pak dyshime për Udinezen, Kopmeiners dhe Jildiz kthehen titullarë
A do të pushojë Dushan Vlahoviç? “Kjo është një situatë që do ta shikojmë. Për momentin lojtarët janë mirë”.Kështu u shpreh Tiago Mota në konferencën për shtyp në prag të sfidës ndaj Udinezes që do të zhvillohet sot në orën 18:00. Por si do të zbresë në fushë “Zonja e Vjetër”, që kërkon të rikthehet sa më parë te firoja, sidomos pas barazimit zhgënjyes ndaj Parmës? Ndryshe nga dy ndeshjet e fundit në formacionin titullar të Juves pritet të ketë të paktën dy ndryshime. Teun Kopmeiners është gati për t’u rikthyer titullar dhe për t’i dhënë më shumë fantazi repartit ofensiv.
Objektivi është që mesfushori holandez të marrë sa më shumë minuta në këmbë në mënyrë që të jetë i gatshëm për sfidat e tjera, me Ligën e Kampioneve, por edhe shumë përballje të tjera të rëndësishme që janë duke ardhur. Me të në fazën ofensive pritet të jetë i përhershmi Dushan Vlahoviç që duket se nuk do të pushojë sërish, ndërsa do të rikthehet për një fanellë titullari edhe talenti turk, Kenan Jildiz.
Ky i fundit pritet të ulë në stol Fransisko Konseisao i cili ka bërë mjaft mirë në ndeshjet e fundit. Nga ana e djathtë Timothi Ueah do të jetë lojtari tjetër i repartit ofensiv që do të plotësojë katër lojtarët që kërkojnë të prodhojnë sa më shumë rrezik në zonën kundërshtare. Amerikani ka fituar besimin e Tiago Motës me paraqitjet e fundit ku ka gjetur edhe dy herë rrugën e rrjetës. Nuk do të ketë asnjë ndryshim edhe mes shtyllave të portës ku Di Gregorio do të vazhdojë të luajë nga minuta e parë, duke mos i lënë hapësirë Matia Perinit.
Në mbrojtje do të rikthehet nga minuta e parë Pier Kalulu, ndërsa për shokun tjetër të qendrës së mbrojtjes ka një balotazh të vogël. Megjithatë, Gati është më i favorizuar se Danilo për momentin, me këtë të fundit që nuk ka bindur në asnjë nga ndeshjet që është aktivizuar deri tani. Në krahët e mbrojtjes do të vendosen Savona dhe Kambiazo që ul në stol Kabalin.
Dy mesfushorët favoritë që janë projektuar për linjat e mesfushës ndërkohë janë Manuel Lokateli dhe Kefren Turam duke ulur në stol Faxholin. Ndërkohë në rast se Dushan Vlahoviç do të ulej në stol, Tiago Mota po planifikon që të hedhë në fushë Mbangulan për t’i dhënë më shumë frymëmarrje serbit.PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"