MOTO GP/ Tetë triumfet nga Rosi te Markez, ja kush ia ka dalë para Banjajës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2024 | 15:40

MOTO GP/ Tetë triumfet nga Rosi te Markez, ja kush ia ka dalë para Banjajës

Garë pas gare, Françesko Banjaja po koleksionon shifra mbresëlënëse, të cilat e vendosin atë në gjurmët e atyre që janë bërë legjenda në Moto GP.

MotoGP_04092022_Lefebure_RL_C5277f-Shp-Motion-2000x1333

Shembulli i fundit vjen nga Japonia, ku fitorja e Pekos në Motegi ishte e 900-ta e një italiani në të tria klasat e motorëve, ndërsa për pilotin e Dukatit ishte suksesi i tetë sezonal. Para garës aziatike, Banjaja gjatë këtij kampionati kishte fituar edhe në Katar, Spanjë, Katalonjë, Itali, Holandë, Gjermani dhe Austri. Vetëm katër pilotë të tjerë para tij kishin arritur të fitonin kaq shumë gjatë një sezoni në Moto GP dhe ata janë ikona të këtij sporti si Valentino Rosi, Kejs Stoner, Horge Lorenco dhe Mark Markez.

VALENTINO ROSI – Pesë herë në vitet e tij në Moto GP, Valentino Rosi ka arritur të paktën tetë fitore sezonale. Viti i parë i jashtëzakonshëm ishte 2002-shi, ku Rosi arriti këtë shifër që në korrik, pas garës gjermane, raundi i nëntë i Kampionatit Botëror. Valentino nuk arrit të fitonte vetëm në raundin e dytë, në Afrikën e Jugut, kur u mund nga shoku i tij i skuadrës Tohru Ukava. Më pas erdhi seria e shtatë fitoreve radhazi, më e gjata për të. Tetë triumfe u arritën gjithashtu në vitin 2003, vitin e tij të fundit me Hondan si dhe në 2004-ën, sezonin e tij të parë me Yamahan. Duke drejtuar motorin M1, Valentino përsëriti të njëjtin rezultat gjatë sezoneve 2005 dhe 2008, në të dyja rastet ai arriti pesë fitore radhazi.

KEJSI STONER – Në dy raste, Kejsi Stoner ka arritur të paktën tetë fitore gjatë një sezoni. Hera e parë ishte në vitin 2007, kur ai fitoi Botërorin e Moto GP-së me Dukatin. Australiani triumfoi në Katar, Turqi, Kinë, Katalonjë, Britani të Madhe, Shtetet e Bashkuara, Republikën Çeke, San Marino, në garën e tij në shtëpi në “Phillip Island” dhe në fund në Sepang në Malajzi. Një sezon i mbyllur me titull, ashtu si në 2011-ën, vitin tjetër me të paktën tetë suksese. Më pas duke kaluar te Honda, Stoner arriti shifrën e 10 fitoreve: në Losail, Lë Mansh, Montmelo, Silverston, Laguna Seka, Brno, Indianapolis, Aragon, Ishullin Filip dhe Valencia.

HORGE LORENZO – Ka pasur dy sezone me të paktën 8 ngjitje në shkallën më të lartë të podiumit për Horge Lorencon në Moto GP. Spanjolli e kaloi madje shifrën e 8 fitoreve në vitin 2010. Ishte viti i titullit të tij të parë në kategorinë më të lartë si pilotët i Yamahas. Triumfet i shënoi në Herez (e festuar me një zhytje në liqenin artificial të cirkuitit), Lë Mansh, Silverston, Asen, Montmelo, Laguna Seka, Brno, Estoril dhe Valencia. Lorenco u përsërit edhe në 2013-ën me fitoret në Katar, Itali, Katalonjë, Britani të Madhe, San Marino, Australi, Japoni dhe sërish Valencia. Megjithatë, edhe pse regjistroi 8 fitore, Horge nuk arriti të fitonte Kampionatin Botëror, duke përfunduar i dyti pas Mark Markez.

MARK MARKEZ – Tetë fitoret sezonale janë një objektiv i arritur nga Mark Markez gjatë tre kampionateve të Moto GP-së, të përfunduara të gjitha me titullin botëror. Viti 2014 ishte i paharrueshëm, kur spanjolli udhëhoqi Hondan e tij në 10 fitore radhazi në po aq raunde: pathyeshmëria zgjati nga marsi në gusht, për gjashtë muaj, nga Çmimi i Madh i Katarit deri në Indianapolis. Markez u kthye për të arritur dhe tejkaluar “8 vula” në Kampionatin Botëror 2018: nëntë fitore midis Teksasit, Spanjës, Francës, Holandës, Gjermanisë, Aragonit, Tajlandës, Japonisë dhe në fund Malajzisë. Dominim i ri gjatë kampionatit 2019, ishte edhe më i jashtëzakonshëm, i mbyllur me plot 12 suksese. Mark fitoi në Rio Hondo, Herez, Lë Mansh, Montmelo, Sashsenring, Brno, Mizano, Aragon, Buriram, Motegi, Ishullin Filip dhe në Valencia.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"