Moviola e javës së 14-të e Superiores/ Gafa në Ballsh dhe Elbasan, arbitrat vendosin rezultatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2024 | 14:51

Moviola e javës së 14-të e Superiores/ Gafa në Ballsh dhe Elbasan, arbitrat vendosin rezultatin

Java e 14-të e Superiores u shoqërua me polemika të forta për gjykimin në dy ndeshje të saj.468398679_550034797814485_8645730778043096688_nVëmendjen me të madhe e mori sfida mes Elbasanit dhe Tiranës, pasi u anulua një gol dhe u dha penallti kundër për aksionin paraardhës. Përmbysje e situatës, pas një vendimi shumë të dyshimtë nga Ferataj, pas rishikimit të pamjeve në monitorin e VAR-it. Penalltia që anuloi golin e Tiranës, duke i dhënë asaj një goditje të dyfishtë, nuk bind. Laver Alla nuk akordon dy penallti në Ballsh, një për Bylisin dhe një tjetër për Egnatian.

ELBASANI-TIRANA 1-1

GJYQTARË: O.Ferataj (Patos), E.Burgu (FushëKrujë), O.Grabova (Fier); VAR: K.Barjamaj, AVAR: O.Kuka (Tiranë)

Kjo ndeshje u pasua nga polemika të mëdha, pasi u vendos nga një vendim shumë i diskutuar i Olsid Feratajt, pas thirrjen nga VARi për të shquar një penallti në favor të Elbasanit para aksionit të Tiranës që përfundoi me gol, më pas të anuluar. Ferataj ndryshoi vendim, pasi pa pamjet në VAR, por më shumë u duk i detyruar për të vepruar kështu.

31′ Rast për Elbasanin. Tsague rrëzohet në zonë dhe pretendon për një goditje në këmbë nga Dembele, por mbrojtësi i Tiranës largon topin dhe gjyqtari vepron drejt, duke vazhduar lojën.

49-57′ Episodi më i diskutuar i ndeshjes. Lleshi, në dyluftim me Kolën, pretendon për penallti, pas kontaktit me mbrojtësin e Tiranës. Ferataj vazhdon lojën, Tirana sulmon në krahun tjetër dhe shënon me Gjumsin. Ferataj thirret nga VAR për të kontrolluar rastin e Lleshit. Gjyqtari kryesor vendos të anulojë golin e Tiranës dhe të akordojë penallti për Elbasanin. Gabimi duket kompleks në këtë rast. Nëse është penallti, Ferataj gabon, duke mos e dhënë menjëherë. Pamjet tregojnë se kontakti është shumë i lehtë për 11-metërsh, por më parë ka edhe një faull të sulmuesit verdheblu ndaj Kolës. Më i drejtë duket vendimi i parë i Feratajt se sa ai pas konsultimit me VARin, pasi njëkohësisht anulohet një gol i rregullt i Tiranës dhe jepet një penallti aspak bindëse kundër saj.

62-64′ Dembele barazon sfidën pas një këndoreje. Mbrojtësi i Tiranës i shpëton mbulimit të Qoses, godet dhe 1-1. Gjyqtari kërkon kontrollin e VAR-it, nëse mbrojtësi i Tiranës ishte në pozicion të rregullt. Vendim i drejtë i VAR-it.

PARTIZANI-LAÇI 1-0

GJYQTARË: E.Bylykbashi (Elbasan), M.Shazivari (Tiranë), D.Kasa (Kavajë); VAR: J.Xhaja (Tiranë); AVAR: D.Grimci (Shkodër)

Ndeshja mes Partizanit dhe Laçit u gjykua nga elbasanasi Erjon Bylykbashi, i cili nuk pati raste flagrante. Në ato episode që pati, u tregua i saktë.

2′ Aksion spektakolar i kurbinasve me shumë pasime, Manellari në fund shënon me një gjuajtje fantastike nga jashtë zonës. Por goli më pas anulohet për një pozicion jashtë loje të Prodanit gjatë aksionit. VAR servir pamjet pak çaste më vonë dhe pak centimetra “tradhtojnë” lojtarin kurbinas.

20′ Kofi rrëzohet pas një kontakti me Domgjonin në hyrje të zonës, për gjyqtarin Bylykbashi nuk ka asgjë. As VAR-i nuk ndërhyn, pasi duket një kontakt shumë i lehtë.

49′ Të kuqtë shënojnë me Kekon, i cili shtyn topin në rrjetë pas një aksioni në të djathtë. Por gjithçka bëhet e pavlefshme nga pozicioni jashtë loje i sulmuesit, dukshëm më i avancuar se mbrojtësit.

BYLIS-EGNATIA 0-2

GJQYTARË: L.Alla (Lushnjë), E.Spahiu (Tiranë), M.Llukmani (Vlorë) VAR: A.Doda (Tiranë), AVAR: E.Çelaj (Vlorë)

Kjo ndeshje kishte disa raste për moviolë dhe duket se mungojnë 2 penallti, nga 1 për secilën skuadër. 43′ Bakajoko hyn në zonë, ku i ndërhyn Marku. Kryesori Alla jep penallti dhe nga pamjet shihet se Marku gabon, duke penguar Bakajokon. Vendim i drejtë.

55′ Treni ka topin në zonë dhe rrëzohet pas një ndërhyrjeje të Zejnullait. Alla vijon lojën dhe pret rishikimin nga VAR-i, por nuk ka asnjë sinjal edhe pas protestave të vendëse. Rezultati është 0-1 dhe nga pamjet shihet se Zejnullai e godet këmbën e Trenit. Penallti e munguar për Bylisin.

69′ Egnatia kërkon penallti. Bakajoko ul një top me gjoks në zonë dhe nga mbrapa ndjen tërheqjen e Malomos, që i humbet ekuilibrin. Duhej akorduar penallti, por Alla gabon sërish.

70′ Kundërsulm i Bylisit, Malomo tenton roveshatën, por godet Malotën në fytyrë. Ka vetëm karton të verdhë, ndërsa goditja ishte në kufijtë e kartonit të kuq.

VLLAZNIA-TEUTA 2-1

GJYQTARË: J.Xhaja, R.Avdo, A.Pema (Tiranë); VAR: D.Maletaj (Tiranë), AVAR: O.Yzeiraj (Patos)

Ndeshja mes Vllaznisë dhe Teutës pati vetëm dy momente të diskutueshme sa i takon gjykimit. Në të parin Xhaja u korrigjua nga VAR-i.

5′ Mala rrëzohet në zonë pas një kontakti me Tafas dhe Xhaja jep penallti për Vllazninë. Ndërhyn VAR-i, pasi pamjet tregojnë se portieri largon topin dhe Mala e shkel. Vendimi gabuar i Xhajës.

35′ Pretendime për penallti te Vllaznia për prekje topi me dorë, por Lloci e largon me trup. Vazhdon loja, vendim i drejtë.

SKËNDERBEU-DINAMO 2-2

Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), D.Rexha (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë); VAR: F.Lata (Durrës), S.Dyrmishi (Elbasan)

Ndeshja e luajtur në Korçë nuk pati asnjë rast të diskutueshëm si për Jorgjin në fushë, ashtu edhe për VAR-in. Asnjë nga dy skuadrat nuk pati asnjë pretendim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"