Moviola e javës së 6-të të Superiores/ Andi Koçi bën dy gafa në Korçë, nuk i bindet as VAR-it
Dy nga ndeshjet e javës së 6-të të Superiores patën probleme serioze sa i takon gjykimit.Andi Koçi, edhe pse një gjyqtar me shumë eksperiencë, ka bërë dy gafa të rënda në Skënderbeu-Laçi, duke vendosur rezultatin me një penallti inekzistente. Çuditërisht ai nuk iu bind as VAR-it, që e thirri për të korrigjuar gabimin e tij të madh. Po dy gabime ka bërë edhe Daniel Vrapi në sfidën mes Vllaznisë dhe Bylisit, duke akorduar një penallti që në fakt ishte simulim dhe duke dhënë një goditje këndi, kur kishim të bënim me penallti. Në të dy rastet u korrigjua nga VAR-i.
SKËNDERBEU – LAÇI 2-1
GJYQTARË: A.Koçi, F.Lama (Durrës), E.Doda (Tiranë); VAR: K.Shahini (Durrës), AVAR: O.Yzeiraj (Patos)
Gabime të rënda të gjyqtarit Andi Koçi në sfidën mes Skënderbeut dhe Laçit. Madje, gafa. Për t’u çuditur këmbëngulja e tij për të dhënë një penallti inegzistente edhe pas thirrjes së VAR-it, ku ishte Klodian Shahini. Problemet nisën me një të kuq të padhënë dhe kulmuan me penalltinë absurde, që vendosi fatin e ndeshjes në Korçë.
54’ Lleshi ndal në mënyrë të parregullt një kundërsulm, korçarët kërkojnë karton të dytë të verdhë për faull taktik, por Koçi sinjalizon vetëm goditje dënimi. Gabim i rëndë i gjyqtarit. Duhej akorduar kartoni i dytë i verdhë për Lleshin, i cili do të dilte automatikisht me të kuq.
72-76’ Çuçka rrëzohet në zonën e Laçit pas një kontakti me Kurtin dhe gjyqtari Koçi bën shenjë drejt pikës së bardhë të penalltisë. Ai ftohet nga VAR-i të rishoh aksionin, pas protestave të kurbinasve. Por edhe pas vëzhgimit në monitor gjyqtari durrsak i qëndron vendimit të tij. Gafë e rëndë e Koçi, sepse në këtë rast nuk ka asnjë pengim dhe rrjedhimisht nuk ka as penallti. Paaftësi, ose tendencë e kryesorit, sepse ky moment vendosi rezultatin me golin e dytë të Skënderbeut.
PARTIZANI-TIRANA 0-0
GJYQTARË: J.Xhaja, R.Avdo, A.Zalla (Tiranë), VAR: K.Barjamaj (Tiranë), AVAR: E.Rusta (Elbasan)
Derbi mes Partizanit dhe Tiranës nuk pati probleme sa i takon gjykimit. Kryesori Juxhin Xhaja e pati të lehtë, sepse dy skuadrat nuk e lodhën aspak në ato 111 minuta të luajtura. Atij i shpëtoi vetëm një karton i verdhë për Micin, por që është i papërfillshëm për atë ndeshje.
44’ Bintsuka rrëzohet pas një kontakti me Micin në gjysmëfushë. Te Partizani pretendojnë për një karton të verdhë për goditje më bërryl të kapitenit të Tiranës. Pamjet tregojnë për një lëvizje të qëllimshme të Micit për të neutralizuar kundërshtarin, çka është e ndëshkueshme me karton të verdhë. Xhajës i shpëton ky moment.
45+1’ Cara rrëzohet pas një kontakti me Kolën në kufijtë e zonës. Xhaja vijon lojën me të drejtë. Lojtari i Tiranës ndërhyn pastër për të ndalur kundërshtarin.
VLLAZNIA–BYLIS 2-0
GJYQTARË: D.Vrapi, M.Shazivari, F.Kolleshi (Tiranë); VAR: A.Doda (Tiranë), AVAR: K.Prenga (Laç)
Dy gabime të kryesorit Daniel Vrapi në këtë ndeshje dhe në dy rastet është korrigjuar nga teknologjia. Gjyqtari i fushës ka dhënë penallti për Vllazninë, kur në fakt ishte simulim i Delajt, si dhe nuk ka parë penalltinë e Bylisit, duke akorduar goditje këndi. Dy vendime të pasakta, por për fat të mirë Doda në VAR ka qenë vigjilent.
34’ Kryesori Vrapi sinjalizon një penallti në favor të Vllaznisë, pas rrëzimit të Delajt në zonë. Edhe pse ishte shumë afër aksionit, Vrapi nuk arrin të dallojë simulimin që bën anësori i Vllaznisë. Do të duhej ndërhyrja e sistemit VAR për të shmangur gabimin e kryesorit në këtë rast. Pasi rishihen pamjet, nga ku dukej hapur simulimi, Delaj ndëshkohet me karton të verdhë.
58-64’ Uendell i Bylisit kroson në zonë dhe topi devijohet nga Stojanoviç me dorë. Gjyqtari nuk sheh asgjë dhe akordon goditje nga këndi. Protestojnë ballshiotët dhe kryesorit i komunikohet nga VAR-i që të rishikojë pamjet. Pasi i drejtohet monitorit, Vrapi sinjalizon penallti për Bylisin.
ELBASANI-EGNATIA 0-0
GJYQTARË: F.Lata (Tiranë), E.Burgu, E.Gjoka (Fushë Krujë); VAR: E.Hamiti (Lezhë), AVAR: I.Myrtja (Shkodër)
Kjo ndeshje u menaxhua mirë nga gjyqtarët, edhe për faktin se nuk pati raste të diskutueshme. “Problemi” i vetëm i kryesorit Florian Lata kishte të bënte me faktin që i ra shumë herë bilbilit, duke sjellë pak acarim, sidomos tek elbasanasit. Në pjesën e parë ishte vetëm një moment i diskutueshëm, ku kryesori u pa të komunikonte me sistemin VAR nëpërmjet kufjeve, por pa u kuptuar se për çfarë momenti bëhej fjalë, pasi nuk kishte pretendime nga skuadrat në fushë.
TEUTA-DINAMO 1-1
GJYQTARË: K.Cjapi (Fier), D.Korreshi, S.Met-Hoxha (Lushnjë); O.Ferataj (Patos), D.Maletaj (Tiranë)
Dy momente të diskutueshme pati ndeshja e gjykuar nga kryesori Kreshnik Cjapi mes Teutës dhe Dinamos, një gol të anuluar për pozicion jashtë loje dhe një karton të kuq i munguar.
30’ Vila shënon me kokë pas krosit në zonë nga një goditje dënimi. Ka nja flamur të ngritur lart për pozicion jashtë loje, të konfirmuar edhe nga VAR-i. Vendim i drejtë.
90’ Jazxhi godet me bërryl Zabërgjën në një dyluftim ajror. Cjapi jep karton të verdhë për lojtarin e Teutës, por është faull për karton të kuq. As VAR-i nuk ndërhyn në këtë rast.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"