Moviola e javës së katërt e Superiores/ Ferataj korrekt në derbi, të saktë edhe Jorgji e Bastari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2024 | 12:52

Moviola e javës së katërt e Superiores/ Ferataj korrekt në derbi, të saktë edhe Jorgji e Bastari

Java e katërt e kampionatit ishte pozitive në total edhe sa i takon gjykimit, që ka marrë vendime të drejta në fushë. Reagimet më të mëdha të javës ishin për golin e Vilës në shtesë, që vulosi rezultatin 2-2 në derbi. Dyshimet për pozicion jashtë loje të lojtarit të Dinamos kanë rënë poshtë pas rishikimit të pamjeve nga VAR-i, ndërsa Ferataj dhe Avdo në fushë kishin marrë vendimin korrekt.

Gjyqtarët Avdo, Ferataj dhe Rrapaj para derbit Partizani-Dinamo

Gjyqtarët Avdo, Ferataj dhe Rrapaj para derbit Partizani-Dinamo

PARTIZANI-DINAMO 2-2

Gjyqtarë: O.Ferataj (Patos), R.Avdo (Tiranë), N.Rrapaj (Patos); VAR: K.Cjapi (Fier), AVAR: A.Beqiraj (Tiranë);

Derbi i parë i kampionatit u gjykua nga kryesori nga Patosi, Olsid Ferataj. Ky i fundit dhe anësori Avdo patën mjaft punë, por bashkë me VAR-in menaxhuan një ndeshje, që u mbyll pa polemika mbi gjykimin. Për t’u theksuar ishte standardi për kartonët nga Ferataj, që e nxori të verdhin plot 6 herë nga xhepi, 3 për secilin ekip.

17′ Tedi Cara mësyn drejt zonës dhe rrëzohet, duke pretenduar kontakt. Arbitri me të drejtë vijon lojën, pasi gjithçka është brenda rregullores. Nëse e fal në këtë moment, në një rast identik më pas Ferataj i nxjerr sulmuesit të verdhin për simulim.

31′ Partizani shënon në të 31-ën me Bintsukën, por ka dyshime për pozicionin e këtij të fundit, pasi Rrapaj gjuan drejt portës. Anësori Avdo tregohet i saktë, sepse gjithçka është e rregullt.

90+2′ Partizani shënon me Rrapajn, por pak çaste më parë vlonjati ishte penguar në zonë dhe Ferataj la lojën të vazhdojë. Moment i dyshimtë për një kontakt mes mesfushorit me një prej dinamovitëve. Megjithatë, goli shlyen gjithçka dhe mbyll polemikat.

90+4′ Dinamo shënon golin e barazimit 2-2 me Lorenco Vilën. Ka dyshime të forta për pozicionin e tij, por pas konsultës me VAR-in, Ferataj ligjëron golin. Pamjet tregojnë se në VAR është marrë vendimi i duhur, pasi Vila është pak centimetra pas një prej lojtarëve të Partizanit. Anësori Avdo ishte i saktë.

VLLAZNIA-EGNATIA 3-1

Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), D.Rexha (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë); VAR: E.Rusta, AVAR: J.Xhaja (Tiranë)

Kishte vetëm ndonjë dyshim të lehtë sa u takon vendimeve të gjyqtarëve në ndeshjen mes Vllaznisë dhe Egnatias, e gjykuar nga Enea Jorgji, me asistentë Rexhën dhe Çokajn. Në dy raste u kërkua ndihma nga VAR-i, ku ishin Rusta dhe Xhaja, që konfirmuan vendimet e Jorgjit.

16′ Ka pretendime nga lojtarët e Egnatias për prekje të topit me dorë nga Balaj, i cili devijon gjuajtjen e Malës në rastin e golit të parë të shkodranëve. Jorgji e vlerëson të rregullt golin, vendimi i tij konfirmohet edhe nga VARi më pas. Balaj e prek topin me dorë, por e ka të ngjitur me trupin.

40′ Sërish kontestime nga lojtarët e Egnatias, pasi Qato shënon golin e dytë për Vllazninë. Dyshohet për pozicion jashtë loje të Delajt para se topi të shkojë te Qato, por sulmuesi i ri shkodran duket në pozicion të rregullt. Vendim i drejtë.

ELBASANI-LAÇI 1-0

Gjyqtarë: E.Bastari, R.Zajimi (Tiranë), A.Topi (Lushnjë); VAR: J.Xhaja, AVAR: O.Kuka (Tiranë)

Dy momente të kësaj ndeshjeje kanë ngritur dyshime, dy pretendime për penallti, nga një për secilën skuadër, por kryesori Erjon Bastari ka vepruar drejt në të dy rastet.

23′ Melo rrëzohet në zonë dhe elbasanasit kërkojnë penallti, por Bastari vazhdon lojën. Gjyqtari thirret nga VAR-i dhe konstaton një prekje të topit me dorë nga sulmuesi vendës, para se të bëhet kontakti me mbrojtësin, kështu që bien poshtë pretendimet për penallti.

53′ Ka pretendime për penallti nga Laçi, për prekje topi me dorë në zonë, por mbrojtësi elbasanas tregohet i kujdesshëm dhe e mban dorën ngjitur me trupin. Nuk ka penallti.

BYLISI-TIRANA 2-2

Gjyqtarë: I.Myrtja, M.Qose, J.Podgorica (Shkodër); VAR: K.Shahini; AVAR: A.Koçi (Durrës)

Një rast për moviolë është shënuar gjatë sfidës mes Bylisit dhe Tiranës. Bëhet fjalë për një penallti të pretenduar në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë të ndeshjes së gjykuar I.Myrtja, M.Qose dhe J.Podgorica, ndërsa në VAR ishin Klodian Shahini dhe Andi Koçi. Ballshiotët kërkojnë penallti, por pamjet tregojnë vetëm faull.

45+2′ Bylisi pretendon për një 11-metërsh, pas një ndërhyrje të Solerit ndaj Përgjonit. Gjyqtari nuk jep faull, ndërsa pamjet tregojnë se faulli ekziston, por është jashtë zonës. VAR-i nuk mund të ndërhyjë në këtë rast.

SKËNDERBEU-TEUTA 2-3

Gjyqtarë: E.Hamiti, E.Gjoka (Lezhë), T.Kasa (Vlorë); VAR: A.Doda (Tiranë), AVAR: E.Bylykbashi (Elbasan)

Dy raste janë për moviolë në këtë ndeshje. Ishte goli i shënuar nga Prençi në minutën e dytë shtesë dhe një penallti e pretenduar nga korçarët për një shtyrje në zonë ndaj Bismark.

90+2′ Pas një krosi në zonë, Prençi shënon me kokë në portën e Tafasit, por është anësori që ngre flamurin. Pamjet tregojnë se kapiteni i Skënderbeut është më i avancuar se mbrojtësi i fundit i Teutës dhe vendimi për anulimin e golit është i drejtë.

90+5′ Pas një rivënie anësore, Bismark shtyhet në zonë dhe rrëzohet. Për Hamitin nuk ka asgjë dhe loja vijon, ndërsa disa sekonda më pas, gjyqtari sinjalizon fundin e takimit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"