Moviola e Partizani-Teuta/ Penalltia qëndron, por ka edhe tre dyshime të tjera (VIDEO)
Ndeshja e djeshme mes Partizanit dhe Teutës në “Arenën e Demave”, e gjykuar nga Albert Doda, u vendos nga një penallti në fund, por edhe u karakterizua nga disa raste të tjera të dyshimta për 11- metërsh.
4’ Toma depërton në zonë në krahun e majtë, por përballet me ndërhyrjen e Hadrojt dhe më pas sulmuesi përplaset me Sembene. Gjyqtari lë lojën të vazhdojë dhe VAR-i gjithashtu konfirmon se nuk ka penallti për rastin në fjalë. Ka një kontakt të lehtë, me Hadrojn, që nuk i ndryshon dot drejtimin topit. E interpretueshme. (VIDEO)
35’ Bintsuka hyn në zonë pas një pasimi të mirë në të majtën. Tafas del dhe ndërhyn në këmbët e sulmuesit duke devijuar sferën. Të kuqtë kërkojnë penallti për faull ndaj sulmuesit, por Doda bën shenjë që loja të vazhdojë edhe pas shqyrtimit nga VAR-i. Tafas devijon topin, por pas kësaj merr përpara edhe Bintsukën, të cilin e lë të dëmtuar. Intensiteti i ndërhyrjes krijon elemente të një penalltie. (VIDEO)
45+2’ Tjetër pretendim i Teutës për penallti pas një kontakti në zonë të Peposhit me Sembene. Sulmuesi i Teutës mbetet i shtrirë në tokë. Gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë. Më së shumti duket si një duel ajror, në të cilin Peposhi tregohet më i shpejtë. (VIDEO)
90+1’ Penallti për Teutën. Pas një gjuajtjeje të Arifit, sfera devijohet me dorë nga Bytyçi. Gjyqtari lë lojën të vazhdojë, por ftohet nga VAR-i, ku risheh pamjet dhe jep penallti. Prekja me dorë është evidente, shto këtu faktin se pozicionimi i krahut nuk është në cilindrin e trupit, si dhe topi është me drejtim nga porta. Të dyshimtë e bën fakti që para se të prekë dorën, Bytyçit i përplaset topi në pjesën e kofshës, çka kërkon interpretim të hollësishëm të rregullores. Moment i dyshimtë, por më së shumti anon në të drejtë të Hamitit në VAR dhe Dodës në fushë. (VIDEO)
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"