MOVIOLA E SUPERIORES/ Elbasanit i mungon një penallti, VAR-i në “gjumë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2024 | 17:10

MOVIOLA E SUPERIORES/ Elbasanit i mungon një penallti, VAR-i në “gjumë”

Ndeshjet e javës së 9- të patën kontestime për gjykimin, sidomos në Elbasani-Partizani, ku vendësve u mungon një penallti. Teknologjia ishte vendimtare në disa ndeshje.

lata cenolli

ELBASANI-PARTIZANI 1-1
Gjyqtarë: F.Lata (Durrës), I.Tartaraj (Fier), G.Cenolli (Korçë); VAR: K.Cjapi (Fier), AVAR: K.Prenga (Laç)
Ndeshja mes Elbasanit dhe Partizanit, e gjykuar nga Florjan Lata, pati disa episode të dyshimta dhe që kërkojnë interpretim. Vendimi më i kontestuar është ai i sekondave të fundit, kur Elbasanit i mohohet një penallti dje këtu gabojnë ai arbitri, ashtu edhe VAR-i. Ka edhe raste të tjera të diskutueshme.
23′ Rrapaj fiton një top në duel me Dros dhe më pas shërben për Zekën, i cili kalon Partizanin në avantazh. Elbasanasit pretendojnë për një faull të Rrapajt në momentin e dyluftimit, por VAR-i lë në fuqi vendimin e Latës në fushë. Episod i dyshimtë, por më së shumti duket sikur Rrapaj i ka fituar hapësirën kundërshtarit dhe i ka marrë topin.
40′ Dros ndërhyn me takë ndaj Carës nga mbrapa dhe me vonesë. Lata e ndëshkon me të verdhë. Moment i interpretueshëm, pasi është një ndërhyrje mes dy kartonëve.
45+3′ Rrapaj shënon për 1- 2, por anësori e anulon golin për pozicion jashtë loje. Vendim i drejtë, që më pas konfirmohet edhe në VAR-i.
90′ Elbasani shënon, por gjyqtari e anulon golin. Sembene dhe Gjoni kapen me njëri-tjetrin në zonë dhe sulmuesi shërben në qendër, ku Lajthia godet dhe shënon. Lata akordon faull të sulmuesit. Kapje fanellash ka, por nga të dy lojtarët. Një duel klasik mbrojtës-sulmues, por Gjoni është i pari që nis kapjet dhe Lata duket se ka të drejtë, por duhej të kishte vërshëllyer më parë.
90+5′ Përplasje në zonën e Partizanit. Fillimisht Gjoni ul një top me gjoks dhe Piloto ngre këmbën i shkujdesur dhe e godet sulmuesin në dorë. Gjoni reziston dhe më pas rrëzohet në zonë pas një dueli me Bytyçin. Lata dhe VAR-i lejojnë vijimin e lojës, por pamjet tregojnë se ka elemente për penallti. Sulmuesi luan me topin dhe kërkon të vendosë këmbën në tokë, por Bytyçi e godet në gju dhe e merr me vete për t’u rrëzuar të dy. Një rast që minimalisht duhej riparë në VAR.

TIRANA-DINAMO 0-0
GJYQTARË: J.Xhaja (Tiranë), R.Cokaj (Lezhë), E.Gjoka (Lezhë); VAR: E.Jorgji (Elbasan); AVAR: A.Koçi (Durrës)
Në derbin Tirana-Dinamo ishin dy rastet për moviolë. Nga një gol për secilën skuadër, të anuluar nga VARi. Ndeshjen e gjykoi Juxhin Xhaja, kurse në VAR ishte Enea Jorgji.
58′ Pas një harkimi në zonë, Zharmuni ul sferën për Soler, i cili me një roveshatë mposht Teqjan në shtyllën e parë. Protesta të bluve për momentin kur Zharmuni devijon topin me kokë. VAR-i, pas 5 minutash vëzhgim, sheh një pozicion jashtë loje gjatë aksionit të sulmuesit të Tiranës.
71′ Zabërgja nga e djathta nis një pasim në qendër, që devijohet nga Selmani dhe Vila shënon, por goli është i pavlefshëm për pozicion jashtë loje. Vendim i drejtë i anësorit të dytë, që e sheh menjëherë parregullsinë dhe e sinjalizon.

EGNATIA-TEUTA 0-0
GJYQTARË: E.Rusta (Elbasan), N.Rrapaj (Patos), D.Rexha (Tiranë); VAR: K.Bajramaj, AVAR: I.Myrtja (Shkodër)
Egnatia-Teuta u gjykua nga Emanuela Rusta, me ndihmës Rexhën dhe Rrapajn, kurse në VAR ishte Kreshnik Bajramaj. Pati disa episode për moviolë, ku arbitrja nga Elbasani vendosi drejt te penalltia në favor të Egnatias, ndërsa të kuqin e Dylis e akordoi pasi pa VAR-in.
12’ Ka penallti për Egnatian. Emanuela Rusta është e bindur pasi sheh që topi i krosuar nga Lushkja kontrollohet nga Vuthaj në zonën e Teutës dhe sulmuesi rrëzohet pas kontaktit me Kotobellin. Rasti shikohet për një pozicion të mundshëm jashtë loje, por gjithçka konsiderohet e rregullt. Vendim i drejtë i Rustës.
45+2’ Karton i verdhë fillimisht për Dylis të Egnatias, pasi ai mban Vilën, duke shkaktuar një faull taktik. Durrsakët kërkojnë karton të kuq dhe Rusta, pasi shikon pamjet në monitorin e VAR-it, vendos për ndëshkim maksimal ndaj Dylis si lojtari i fundit.
59’ Ka protesta nga rrogozhinasit për një top të prekur me dorë nga Simeu i Teutës në zonë. Rusta vazhdon lojën dhe pastaj akordon të kuq për Gumën (trajner portierësh) për protesta. Mbrojtësi e prek topin me gjoks dhe me pastaj me dorë, ndërkohë që nuk është lojtar i fundit, siç pretendojnë tek Egnatia.

LAÇI-VLLAZNIA 3-1
GJYQTARË: A.Beqiraj, F.Kolleshi, D.Kasa; VAR: A.Doda, AVAR: D.Vrapi
Ka një moment të dyshimtë për sa i takon gjykimit të ndeshjes mes Laçit dhe Vllaznisë, ku kryesor ishte Ardian Beqiraj dhe në VAR, Albert Doda. Bëhet fjalë për rastin e golit të barazimit të Laçit në fundin e pjesës së parë, të kontestuar fort nga shkodranët dhe të konfirmuar edhe nga VAR-i.
43′ Të gjithë lojtarët janë në zonën e Vllaznisë, topi krosohet aty dhe janë tri momente që duhen marrë në konsideratë për pozicionin e lojtarëve kurbinas, para se Papa ta dërgojë topin në rrjetën e Qarrit. Në dy momentet e para aksioni duket i rregullt, por ka dyshime për Papën në rastin e tretë, kur ai merr topin dhe shënon.

BYLIS-SKËNDERBEU 0-1
GJYQTARË: K.Barjamaj, R.Zajmi (Tiranë), M.Llukmani (Vlorë), VAR: O.Yzeiraj, AVAR: O.Kuka (Tiranë)
Kryesori Kreshnik Bajramaj nuk pati shumë punë në këtë ndeshje, ku ka vetëm një rast të diskutueshëm në fundin e pjesës së parë, kur Bylisi kërkon një penallti, por pamjet nuk janë shumë të qarta.
40′ Rast i dyshimtë në zonën korçare. Berko përpiqet të kontrollojë topin dhe aty ndërhyn Rabiu. Ballshiotët kërkojnë penallti, por vijon lojën kryesori Bajramaj.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"