MOVIOLA, JAVA E PARË E SUPERIORES/ Të kuq dhe penallti, kontestime që në start për arbitrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2024 | 20:55

MOVIOLA, JAVA E PARË E SUPERIORES/ Të kuq dhe penallti, kontestime që në start për arbitrat

Menjëherë kontestime ndaj gjyqtarëve. Që në javën e parë të kampionatit, të paktën në tri ndeshje ka pasur ankesa. Partizani ka kontestuar fuqishëm Enea Jorgjin, Dinamo Eldorjan Hamitin dhe Tirana më pak Olsid Feretajn.

Arbitri Enea Jorgji dhe kapitenët Cara dhe Balaj para ndeshjes Partizani-Vllaznia 0-1

Arbitri Enea Jorgji dhe kapitenët Cara e Balaj para ndeshjes Partizani-Vllaznia 0-1

PARTIZANI-VLLAZNIA 0-1

Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), D.Rexha (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë)/ VAR: E.Rusta, E.Bylykbashi (Elbasan)

Ndeshja më e rëndësishme e javës së parë, Partizani-Vllaznia, u gjykua nga Enea Jorgji, i cili është kontestuar shpesh nga klubi kryeqytetas. Drejtuesit e tij kontestuan kartonin e kuq të Zguros dhe një rast penalltie të padhënë në fund.

48′ Zguro ndëshkohet me karton të kuq për gjeste jo sportive kundër stolit shkodran. Në këtë rast i kuqi është i drejtë, por duke parë dinamikat dhe standardet në futbollin shqiptar, i kuqi mund të kursehej, ndonëse bëhet fjalë për një lojtar (Vangjel Zguro), i cili i ka si abonim ndëshkimet.

98′ Të kuqtë pretendojnë për një penallti, pas një shtyrjeje ndaj Zekës në zonë nga një mbrojtës i Vllaznisë, teksa lojtari i Partizanit po bëhej gati të gjuante. Rast i dyshimtë, ku nuk mungojnë elementët e një 11-metërshi, por që nuk u mor në konsideratë as ga VAR-i.

LAÇI-TIRANA 0-0

Gjyqtarë: O.Ferataj, N.Rrapaj, T.Kasaj (Patos); VAR: A.Koçi (Durrës), AVAR: I.Myrtja (Shkodër)

Ndeshja mes Tiranës dhe Laçit pati disa raste për t’u shënuar sa i takon gjykimit nga Olsid Ferataj. Kartoni i kuq i Melos është i drejtë, por një rast shumë i dyshimtë është ai i Haxhiut, ku lojtari i Tiranës rrëzohet në zonë dhe duket se ka kontakt.

6′ Bajroviç shënon për bardheblutë, por arbitri sinjalizon pozicion jashtë loje. Pamjet tregojnë se sulmuesi bardheblu është dukshëm jashtë loje. 29′ Bardheblutë kërkojnë penallti për një shtyrje ndaj Isuf, por Ferataj vijon lojën. Pamjet tregojnë se nuk ka shtyrje.

49′ Ka një pengim të Isuf ndaj Bajramajt, por loja vazhdon në krahun tjetër. Ferataj, pas mbylljes së aksionit, kontrollon rastin dhe pas një minute vendos vazhdimin e lojës. Pamjet tregojnë se nuk ka penallti.

72′ Haxhiu futet në zonë, kalon Opeh dhe mbrojtësi i Laçit e godet me shpatull, duke e rrëzuar. Sulmuesi i Tiranës kërkon penallti, por ndëshkohet me të verdhë nga gjyqtari. Nga pamjet duket një gabim i Feratajt dhe i VAR-it, sepse ka konkat për 11-metërsh, ndërkohë që lojtari i Tiranës merr të verdhë.

90+2′ Karton i kuq për Kordeiron. Tifozët e Tiranës hedhin sende drejt Melos, i cili u tregon gishtin e mesit Ka rrëmujë në fillim, më pas Ferataj i tregon kartonin e kuq kapitenit të Laçit, pas sinjalizimit nga VAR-i. Kartoni i kuq qëndron, vendim i drejtë

DINAMO-EGNATIA 0-2

Gjyqtarë: E.Hamiti (Lezhë), I.Tartaraj (Fier), Xh.Mani (Tiranë), VAR: K.Barjamaj, AVAR: A.Doda (Tiranë)

Ndeshja e zhvilluar në “Elbasan Arena” u gjykua nga kryesori Eldorjan Hamiti, me ndihmës Tartarajn dhe Mani. Ishin dy episodet e diskutueshme të kësaj sfide.

35′ Meksi nis një top të gjatë për Vilën, i cili rrëzohet në zonë pas kontaktit me Dylis. Ka një sinjalizim për pozicion jashtë loje, ndërsa kryesori Hamiti i nxjerr të kuqin mbrojtësit, në pritje të VAR-it. Konfirmohet pozicioni jashtë loje dhe kartoni bie poshtë, por pamjet nuk janë shumë të qarta, duke lënë jo pak dyshime.

46′ Vuthaj fiton penallti pas një kontakti me Ditën në zonë. Protestojnë blutë, por lezhjani është i vendosur. Ka kontakt mes dy lojtarëve, me këmbën e zgjatur të Ditës, që duket se mjafton për penallti.

SKËNDERBEU-ELBASANI 1-1

Arbitra: J.Xhaja, R.Avdo, A.Zalla (Tiranë); VAR: O.Yzeiraj (Patos), AVAR: O.Kuka (Tiranë)

Juxhin Xhaja dhe asistentët e tij, Avdo dhe Zalla, ishin në lartësinë e detyrës në Korçë, duke gjykuar me kompetencë. Pati pretendime në dy raste nga korçarët për penallti.

52′ Ka një ndërhyrje të gabuar ndaj Bismark në limitet e zonës së Elbasanit, nga krahu i majtë. Xhaja akordon goditje dënimi, kurse korçarët duan penallti, por ndërhyrja është jashtë zonës.

90+1′ Bismark, në një dyluftim me Mustën, rrëzohet në zonë dhe te Skënderbeu sërish ka pretendime për penallti. Xhaja pret VAR-in, që nuk sheh kontakt dhe loja vazhdon. Pamjet tregojnë se Musta nuk bën asnjë ndërhyrje të gabuar.

TEUTA-BYLIS 2-1

Gjyqtarë: D.Maletaj, A.Koçiaj, G.Cenolli (Tiranë); VAR: A.Beqiraj (Tiranë), AVAR: K.Prenga (Laç)

Ndeshja Teuta-Bylis iu besua gjyqtarit të ri, Dorian Maletaj, i cili kishte si asistentë Ani Koçiaj dhe Gerald Cenolli. Kjo ndeshje pati vetëm një rast për moviolë, atë të golit të anuluar të Bylisit në pjesën e dytë. Uallison shënon për Bylisin me një gjuajtje të saktë në zonë, por njëri nga asistentët sinjalizon pozicion jashtë loje, pasi e sheh lojtarin më të avancuar se mbrojtësit e Teutës. Edhe pas rishikimit të pamjeve nga VAR-i, gjyqtari merr udhëzimin se braziliani ishte në pozicion të parregullt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"