Mungesë përqendrimi dhe vendosje të gabuara, Italia ka frikë nga topi i ndalur
Le ta themi menjëherë: Në fundin e korrikut, me shumë mundësi Luçiano Spaleti dhe të gjithë të tjerët do të kishin firmosur për të dalë në vendin e dytë në grup me Francën dhe Belgjikën dhe për të shkuar në çerekfinalet e Ligës së Kombeve. Imagjinoni që të kesh edhe pengje tani.
Thënë këtë, fitorja 1-3 e Francës në “San Siro” që konfirmoi hakmarrjen e këtyre të fundit, tregoi disa pikë të dobëta të kombëtares italiane që duhet të përmirësohen për të arritur majat. Më e rëndësishmja? Goditjet standarde. Në futbollin modern, gjithmonë e më të shpejtë, fizik dhe të paparashikueshëm, statistika më konstante janë golat nga goditjet standarde në ekonominë e lojës. Gjithmonë është një pikë që bën diferencën mes suksesit të një skuadre dhe dështimit të një tjetre. Dhe një prej ekipeve që di ta shfrytëzojë mirë këtë aspekt është Franca.
Në ndeshjen kundër Italisë shënuan 3 gola pikërisht me këtë mënyrë dhe të kaltrit duhet të jenë më të vëmendshëm. Nëse autogoli i Vikarios ishte edhe për shkak të gjestit teknik të jashtëzakonshëm të mbrojtësit Dinj, dopieta e Rabiosë mund të shmangej. Një mungesë përqendrimi dhe vëmendjeje, por edhe në aspektin fizik ka bërë që ish-juventini të kërcejë mbi të tjerët dy herë për ta çuar topin në rrjetë. Një top erdhi në zonën e vogël dhe një tjetër në shtyllën e parë. Situata të palexuara në kohën e duhur nga ata që markonin në zonë.
Një problem që në fakt është evidentuar në “Coverciano” gjatë kësaj periudhe, pavarësisht rritjes që ka pasur Italia këtë kohë pas Europianit katastrofë. Gjashtë golat e fundit që ka pësuar Italia kanë ardhur të gjitha nga goditjet standarde. Tre golat e pësuar nga Franca, 2 golat e pësuar nga Belgjika dhe një tjetër nga Izraeli. Sigurisht që një alarm i vogël për Luçiano Spaletin duhet të jetë. Ai do të nisë punën për të korrigjuar këto gabime që në faturën përfundimtare kushtojnë shtrenjtë. Humbja me Francën solli humbjen e vendit të parë dhe tani rruga drejt fazës finale të Ligës së Kombeve është më e vështirë. Goglat do të sjellin rivalë të fortë që mund të rikthejnë edhe një herë tjetër makthet, por Italia është në rindërtim e sipër.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"