Mungoi në derbin ndaj Tiranës/ Edmir Sali, nga Beogradi direkt në stërvitje me blutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2024 | 21:38

Mungoi në derbin ndaj Tiranës/ Edmir Sali, nga Beogradi direkt në stërvitje me blutë

Edmir Sali mungoi në derbin me Tiranën për shkak të një dëmtimi muskulor që kishte pësuar në stërvitje javën e kaluar. Portieri vlonjat udhëtoi drejt Serbisë, ku kreu disa seanca terapie tek ekspertja e njohur Marijana Kovaçeviç. Ai është kthyer dje nga Beogradi dhe pasdite ka dalë në stërvitje me skuadrën në kompleksin e Arbanës.

Sali

Ky është një lajm pozitiv për stafin teknik të Dinamos para një ndeshjeje të vështirë, siç është kjo e radhës me Egnatian. Sali mund të mos jetë titullar në Rrogozhinë, pasi ka munguar disa ditë në stërvitje, por të paktën do të jetë i gatshëm në stol për çdo rast. Titullar në kuadratin e portës pritet të jetë sërish Aldo Teqja, i cili ndaj Tiranës ia doli ta mbante rrjetën të paprekur. Kryeqytetasit po vuajnë mungesat e disa lojtarëve titullarë këto javë kampionati.

Sërish duhet të bëjnë pa dyshen Hoxha-Muzek, sepse të dy qendërmbrojtësit e bluve janë të dëmtuar dhe trajnerit Ilir Daja i duhet të gjejë zgjidhje të tjera, siç bëri në derbin me Tiranën, ku aktivizoi Alijin në qendër, bashkë me Ditën. Rikthehet ndërkohë mesfushori Bakari Gudiabi, i cili ka shlyer dënimin për kartonët e verdhë fundjavën që shkoi. Pjesa tjetër e grupit gëzon një gjendje të mirë fizike.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"