Mungon vetëm Koleci, trajneri i Burrelit: Jemi të motivuar për fitoren kundër Tomorit!
Burreli pret sot në “Liri Ballabani” Tomorin. Një kundërshtar që e njeh mirë, pasi i kanë luajtur dy ndeshje për llogari të Kupës së Shqipërisë. Nëse nga ai kompeticion u eliminuan, në kampionat alternativë të vetme shohin fitoren.
Vetëm trepikëshi do t’u mundësonte kthesën. Në 6 javë kanë arritur të marrin vetëm 5 pikë, po aq sa kanë edhe beratasit. Ky takim do të bëjë të mundur shkëputjen e njërit prej dy ekipeve nga fundi i tabelës, ndaj edhe të besuarit e Renato Hotit nuk kanë në plan që të falin.
Fryma optimiste nuk mungon dhe e shohin veten më të avantazhuar se kundërshtari, derisa luajnë në stadiumin e tyre. Stafit teknik do ta ketë ekipin e plotë për këtë 90-minutësh, me përjashtim të Eristotel Kolecit, i ndëshkuar me karton të kuq.
Vetë trajneri u “qahet” dy episodeve për humbjen e fundit me Luzi 2008, por është i bindur se skuadra sot do të reagojë. Për “Panorama Sport”, kreu i pankinës matjane thotë:
“Ekipi, edhe në ndeshjen me Luzin, nuk është se nuk tregoi dëshirë për të fituar, por u ndëshkuam nga dy episode.
Kishim mundësi t’i evitonim dhe për këtë jemi të mërzitur, jo vetëm ne të stafit, por edhe presidenca, që është treguar dashamirëse me ekipin.
Futbollistëve ndërkohë u kanë kaluar edhe pagat dy-tri ditë para datës së përcaktuar, çfarë tregon edhe një herë besueshmëri. Këtë javë do të kemi një mungesë, atë të Kolecit, që mori të kuq kundër Luzit.
Të tjerët do të jenë të gjithë në dispozicion dhe të motivuar e të bindur për fitore”.
MARTIN DEDAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"