Musta: Elbasani theu tabu në Superiore, në fazën e dytë shfaqemi më të fortë
Fitorja e fundit për këtë vit në Korçë mban gjallë shpresat e Elbasanit, që në fund të sezonit të jetë pjesë e “Final 4”.Një vend, që të gjithë besojnë në këtë qytet, edhe pse janë të vetëdijshëm që nuk është rrugë e lehtë. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, një nga lojtarët më stabël të verdhebluve, Emiljano Musta, pohon se skuadra është në rrugën e duhur. Fillimisht ai ndalet te përshtypjet dhe ndjesia te ai rikthim në shtëpi pas një pauze gjashtë mujore në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar.
“Do ta konsideroja si një ndër rikthimet më të bukura personalisht pas asaj pauze të shkurtër që pata me futbollin. Kur kam ardhur në fillim kam thënë që jam rikthyer në shtëpinë time dhe më vjen mirë që po e jap kontributin për skuadrën e qytetit tim dhe po kthej besimin që më kanë dhënë të gjithë që në fillim”, u shpreh fillimisht Emiljano Musta, i cili deri më tani është aktivizuar në 13-të takime, ku ia ka dalë të shënojë edhe dy gola.
SYNIMET – Si një ekspert tanimë në futbollin shqiptar, Musta është nga ata që qëndron me këmbë në tokë dhe kërkon që gjërat të bëhen hap pas hapi. Megjithatë, ai nuk “fshihet” sa i përket objektivit final të klubit.
“Po mundohemi të hedhim bazat, sepse klubi ka një plan afatgjatë përpara. Drejtuesit kanë zgjedhur futbollistë cilësorë, që besoj se e kanë treguar gjatë kësaj pjese të parë të sezonit, pasi jemi pranë ekipeve që synojnë ‘Final 4’, në një kohë kur të gjithë e dimë se nuk është e lehtë. Historia ka treguar se ekipet që vijnë nga Kategoria e Parë hasin vështirësi në elitë, por besoj se Elbasani për momentin e ka thyer paksa këtë traditë të këtyre ekipeve. Megjithatë, synimi ynë është që t’i marrim gjërat hap pas hapi dhe në fund të shohim se çfarë do të arrijmë”, vijoi më tej anësori elbasanas, i cili këtë sezon për hir të nevojave të skuadrës ka luajtur si qendërmbrojtës.
ECURIA – Musta ndalet edhe tek ecuria që kanë pasur deri më tani verdheblutë. Sipas tij, ndonëse kanë munguar fitoret me ekipet e kreut, në fund rëndësi kanë pikët që do të merren, pavarësisht se ndaj kujt i siguron ato.
“Tani, në tërësi ecurinë do ta konsideroja pozitive. Të gjithë do të donim të ishim edhe më lart në renditje dhe me më shumë pikë, por edhe vendin e pestë në këtë gjysmë sezoni nuk mund ta cilësoj si negativ. Vërtet nuk kemi marrë fitore me ekipet pretendente, por janë shumë ndeshje që janë humbur nga detajet që nuk i kemi pasur në favor. Kemi kohë edhe dy faza për ta përmirësuar këtë pjesë, por në fund të ditës, rëndësi kanë pikët në një kampionat, pavarësisht nëse ia merr vendit të parë apo të fundit”, mbylli prononcimin e tij për gazetën mbrojtësi i Elbasanit, Emiljano Musta, një nga lojtarët më të vlerësuar të këtyre dy fazave të para.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"