Napoli i vetëm në krye tremb rivalët për titull, sekreti i Kontes është Mektominej

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2024 | 23:33

Napoli i vetëm në krye tremb rivalët për titull, sekreti i Kontes është Mektominej

Napoli i Antonio Kontes fiton, bind dhe merr kreun e Serisë A pas javës së gjashtë të kampionatit. Të kaltrit mposhtën në sfidën e fundit Monzën me rezultatin 2-0 falë golave të Politanos dhe Kvarashelias.

antonio-conte-head-coach-ssc-935413959_79eee6

Në këtë sfidë është një Napoli që bind si në lojë ashtu edhe në mentalitetin që futet në fushë, por kjo bëhet më e lehtë edhe falë një Monze që nuk është në formën e saj më të mirë. Skuadrës së Kontes i mjaftojnë vetëm 35 minuta lojë që të mbyllë llogaritë e ndeshjes falë dy golave të lojtarëve të krahut. Pas 6 javësh Napoli merr vendin e parë me 13 pikë, 1 më shumë se Juvja e vendit të dytë.

TITULLARËT- Pas gjashtë javësh, tashmë Konte duket se e ka krijuar idenë e 11 titullarëve që do të hedhë në fushë në vazhdimësi. Përveç portierit Meret, i cili aktualisht është i dëmtuar, Rrahmani e Bonxhorno janë dy shtyllat e qendrës së mbrojtjes. Në krahë luajnë Di Lorenzo e Olivera, edhe pse ky i fundit mund të zëvendësohet lehtësisht nga Spinazola. Treshja e mesfushës që duket se e ka siguruar fanellën e titullarit janë Angisa, Lobotka dhe Mektominej, ndërsa Politano, Lukaku e Kvarashelia plotësojnë treshen e sulmit.

SISTEMI- Edhe pse jemi mësuar ta shohim që luan me tre mbrojtës, Napoli ndryshon fytyrën te Napoli dhe i përshtatet më shumë karakteristikave të lojtarëve. Trajneri italian luan me 4-3-3 dhe vendos të jetë më sulmues në lojën e tij. Këtë gjë e bën padyshim edhe ndaj Monzës që edhe pse e pret në 15 minutat e para, më pas vjedh skenën dhe nuk e lejon që të krijojë asnjë hapësirë. Mjafton të shikosh goditjet në portë, ku Monza arriti të gjente vetëm një herë kuadratin në 90 minuta, ndërsa Napoli nuk ka vështirësi kur del para.

“SEKRETI”- Edhe pse lojtari kyç i Kontes te Napoli pritej të ishte i shumëkërkuari i merkatos, Romelu Lukaku, në fakt në sfidat e para nuk ka rezultuar ashtu. Është Skot Mektominej lojtari që po i jep ritmin më të rëndësishëm të lojës së Kontes, është ai motori që e bën makinerinë e Napolit të funksionojë në mënyrë të frikshme, të paktën sa u përket ndeshjeve të para, ku pas humbjes në sfidën hapëse të kampionatit, të kaltrit kanë ndryshuar totalisht fytyrë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"