Ndërprerja e kampionatit po kthehet në modë tek Apolonia, “asist” për lojtarët e dëmtuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2024 | 12:02

Ndërprerja e kampionatit po kthehet në modë tek Apolonia, “asist” për lojtarët e dëmtuar

Futbollistët e Apolonisë përfituan tri ditë pushim nga trajneri Sedat Pajaziti pas fitores me Vorën. Nga dje ekipi ka punën për dy ndeshjet e javës tjetër, ku fillimisht do të luajnë në Kupë me Burrelin në “Loni Papuçiu” dhe më pas me Kastriotin për javën e 13-të të kampionatit.

apolonia ndaj pogradecit

Përpos momentit të mirë në fushë, Apoloninë vazhdon ta ndjekë “mallkimi” i qendërmbrojtësve, pasi së fundmi është dëmtuar edhe Mathias Namdi Zhozef. Para ndeshjes me Vorën, lojtari i ardhur në merkaton e verës, ka pësuar një tërheqje në kofshë. Ai i bashkohet në infermieri qendërmbrojtësit tjetër, Serjan Repaj. Kjo situatë e vështirë e ka detyruar trajnerin Pajaziti që të luajë me Ndubuisin dhe Asllanajn në qendër të mbrojtjes, të dy lojtarë me eksperiencë, por me role të tjera natyrale.

Në dispozicion ai ka vetëm një qendërmbrojtës, Gabriel Elkana, por shpresohet në ndonjë rikuperim për sfidën me Kastriotin. Edhe këtë herë, ndërprerja e kampionatit ka ardhur si me porosi për Apoloninë. U bë e modës që fierakët të shpresojnë gjithnjë, që pas pushimeve të rikuperojnë lojtarët e dëmtuar. Nga fillimi e deri më sot, në asnjë ndeshje kontigjenti nuk ka qenë i plotë te fierakët. Dëmtimet janë kthyer në “makth”, por edhe me pezullimet për shkak të kartonëve. Leonard Kaçaj, Serjan Repaj, Mathias Namdi Zhozef, Kevin Injehu dhe Mikael Rakipaj janë në “luftë me kohën” për të qenë gati në ristartin e kampionatit. Mirëpo, ky pushim nuk i bën mirë vetëm për rikuperimet, por edhe në aspektin psikologjik.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"