Ndeshja e Muçit ndaj Atletik Bilbaos i ka vënë vulën, Solskjaer i komunikon klubit vendimin për sulmuesin shqiptar
Ernest Muçi do të vazhdojë të jetë pjesë e Beshiktashit të paktën deri në fund të këtij sezoni. Ky është vendimi që ka marrë Ole Gunar Solskjaer, trajneri i skuadrës turke, rreth sulmuesit shqiptar, duke vendosur veton rreth vazhdimësisë së tij në këtë ekip.
Muçi ishte vënë në diskutim shpesh nga klubi edhe pse në këtë sezon ka gjetur më me rregullsi rrjetën si dhe ka dhënë paraqitje shumë të mira. Zërat e merkatos dhe interesimi i disa klubeve angleze kishte bërë të mendohej se në ditët e fundit të janarit mund të kishte lëvizje të tij në ndonjë klub tjetër.
Por mediat turke raportojnë se Solskjaer vlerëson lojtarin me të cilin ka pasur edhe disa biseda private për t’i dhënë sa më shumë besim. Pas ndeshjes me Atletik Bilbaon ku Muçi ishte thuajse perfekt në fushën e lojës, trajneri norvegjez raportohet se u ka komunikuar drejtuesve të klubit dëshirën për ta mbajtur sulmuesin shqiptar të paktën deri në mbyllje të sezonit, pasi e sheh si një element që mund t’i bëjë shumë punë ekipit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"