“Ndeshje e mirë ndaj kampionëve”, Bordin është i kënaqur me Elbasanin e tij: Golat do të vijnë, sot ishim të pafat
Trajneri i Elbasanit, Roberto Bordin e ka cilësuar si një ndeshje shumë pozitive atë të barazuar nga skuadra e tij kundër Egnatias kampione në fuqi.
“Jemi shumë të lumtur, kemi bërë një ndeshje të mirë ndaj kryesueses dhe kampiones në fuqi. Kemi luajtur shumë mirë të vëmendshëm në mbrojtje, e dinim që ishin të mirë në mbajtjen e topit. Nuk kemi rrezikuar kurrë, ndoshta vetëm në ndonjë rrëmujë në zonë, në krosime, por e larguam rrezikun. Si në pjesën e parë, edhe në të dytën, kishim raste më shumë për të shënuar. Të aftë ata që mbrojtën, por edhe të pafat ne në disa raste.
Në këtë punë duhet të jesh shumë i ekuilibruar, janë të gjitha të vështira. Skuadra reagoi mirë, punoi mirë. Janë ndeshje të mira dhe kur duhet të mbrosh me forcë, siç ndodhi sot apo ndaj Tiranës. Kemi bërë mirë deri tani, jam i kënaqur nga paraqitja e djemve deri tani.
I kërkova djemve të ruanin intensitetin si në ndeshjen ndaj Tiranës dhe sot e bënë shumë mirë. Pastaj e dini si është kjo punë, skuadra që shkon në fushë mundohet të krijojë raste. Sot si në herë të tjera kishim raste, ishim të pafat në disa gjuajtje dhe në disa të tjera ato u mbrojtën mirë. Janë situata ku ti krijon shumë e nuk arrin të shënosh si sot, por ka raste që me një rast shënon dhe fiton ndeshjen. E rëndësishme është të përmirësohesh gjithmonë dhe krijosh raste. Do të kemi momente ku të shënojmë më shumë, por jam i kënaqur me paraqitjen dhe jam i lumtur për djemtë, golat do të vijnë padyshim”, tha Bordin për RTSH pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"