Ndreca dhe Fangaj humbin Elbasanin, Egnatia pa krahë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2024 | 22:10

Ndreca dhe Fangaj humbin Elbasanin, Egnatia pa krahë

Fitorja 0-2 në Ballsh ishte shumë e rëndësishme për Egnatian, që vinte pas barazimit në shtëpi me Vllazninë. Me golat e Arbin Zejnullait dhe Serxho Ujkës kampionët në fuqi kanë siguruar një 3- pikësh të çmuar kundër Bylisit, duke konsoliduar pozitat e tyre në 4-shen e parë. Në anën tjetër, ishte një fitore me “kosto” për rrogozhinasit, pasi për ndeshjen e radhës me Elbasanin trajneri Edlir Tetova ka humbur dy lojtarë me peshë të formacionit, siç janë Edison Ndreca dhe Abdurrahman Fangaj.

EGNATIA

Mungesa e të dy lojtarëve të krahut është një problem jo i vogël, sepse vërtet Egnatia ka një grup të kompletuar lojtarësh, por zëvendësues me karakteristikat e Ndrecës dhe Fangajt nuk ka. Bëhet fjalë për dy mbrojtës anësorë që prej vitesh po kontribuojnë për fanellën e kampionëve në fuqi, duke qenë nga më të mirët e kampionatit.

Ndreca është i skualifikuar këtë javë, pasi u ndëshkua me karton të kuq në Ballsh (2 të verdhë). Po ashtu edhe Fangaj mungon për shkak kartonësh, sepse plotësoi numrin 4 të kartonëve të verdhë me atë që mori kundër Bylisit. Trajneri Tetova do të shikojë alternativat më të mira deri në ndeshjen e së shtunës me Elbasanin, por më shumë mundësi për të fituar një fanellë titullari kanë azeri Alijev majtas dhe Rama djathtas. Ndoshta rrogozhinasit mund të ndryshojnë edhe rreshtimin në fundjavë pikërisht për shkak të këtyre mungesave.

KARTONËT – Kartonët janë pjesë e pandashme dhe e pashmangshme e futbollit, por këtë sezon Egnatia po e vuan këtë pjesë më shumë se kurrë. Thuajse çdo në ndeshje rrogozhinasit kanë mungesa për shkak të kartonëve të kuq, apo plotësimit të numrit 4 të kartonëve të verdhë. Përveç Ndrecës, në këto 14 javë janë ndëshkuar me karton të kuq edhe Aleksi dhe Malota.

Këta të fundit kanë munguar gjithashtu në një tjetër ndeshje edhe për shkak të kartonëve të verdhë, duke krijuar një problematikë të vazhdueshme për trajnerin Tetova. Në ndeshjen me Bylisin Egnatia u ndëshkua me 5 kartonë të verdhë, 2 prej të cilëve ishin për Ndrecën, ndërsa të tjerët nga Fangajn, Aleksin dhe Xhemajlin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"