Në Ballsh të bindur, janë për mesin e tabelës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2024 | 21:22

Në Ballsh të bindur, janë për mesin e tabelës

Bylisi e mbylli në mënyrën më të mirë vitin 2024, teksa pas barazimit me skuadrën e Skënderbeut, në javën e fundit të fazës së dytë, ballshiotët e kanë nisur me një lojë të mirë dhe pikë fazën e tretë, teksa kanë barazuar në Durrës. Bylisi nuk merrte pikë në Durrës që prej gushtit të 2022-shit, në sfidën e javës së dytë të fazës së parë të atij sezoni që përfundoi 1-1.

Bylis

Ndërkohë që mallakastriotët janë pozicionuar në vendin e parafundit, teksa për gati një fazë qenë të “salduar” në fundit e renditjes, por ja kanë lënë këtë pozitë Skënderbeut, madje edhe me 3-pikë më shumë se ata.

Ajo që jep shpresë është rritja e grupit nga java në javë por edhe afrimi, madje duket sikur është gjithçka e rikuperueshme edhe me vendet e sipërme duke iu larguar totalisht “zonës së ftohtë”. Kujtojmë që Bylisi në merkaton e verës ka qenë skuadra që ka bërë më shumë afrime se çdo ekip i elitës, me plotë 22- afrime, ku bien në sy edhe element i ri vendës dhe i huaj që i përshtaten strategjisë së mallakastriotëve.

STËRVITJA – Skuadra mallakastriote do të vazhdojë që të stërvitet, teksa me një program enkas dje janë paraqitur në Ballsh, ata që nuk luajtën në Durrës. Në sfidën që u zhvillua në kompleksin “Bylis”, ku nuk munguan edhe 200 tifozë vendas, Bylisi “B” triumfoi ndaj skuadrës së Osumit të Dimalit, me rezultatin 2-1, falë dopietës së brazilianit Igor.

Krahas tij janë aktivizuar edhe Beqaj, kamerunasi Koxhi, Çelaj, Sulovari, Kasaj, Bruno, Papa e Ualison, pra tërë stoli ndaj Teutës. Sot pritet që të jetë e tërë skuadra në Ballsh, për të vijuar përgatitje me grup të plotë. Nga sa bëhet e situr, tashmë që gara ua la radhën pushimeve të festave të fundvitit, “dozat” e ngarkesave do të jenë më të ulëta.

Bylisi ka edhe një sfidë zyrtare, ku pritet që të luajnë edhe Përendreca, Marku, apo Ofori, me qëllim marrjen e tri pikëve të enjten në Fier ndaj U-19 të Apolonisë. Mallakastriotët pak ditë më parë u “divorcuan” me katër lojtarë si: Felipe, Gabriel, Uendel si dhe Patrik Trenin, e megjithatë organika vazhdon që të jetë e plotë madje edhe me konkurrencë të madhe, si për formacionin ashtu edhe për 20-shen.

Faza e tretë ka një start me ndeshje të forta për ballshiotët e Nevil Dedes, e megjithatë, një gjë është e sigurt, skuadra e gjysmës së dytë të garës do të jetë akoma më solide dhe e fortë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"