“Në Granada nuk ulem më dot as në restorant”, rrëfehet Uzuni: Dua rekord, më pëlqen të luaj sulmues i dytë
Myrto Uzuni vazhdon të shkëlqejë në Spanjë me fanellën e Granadas, duke bërë histori me këtë klub. Golat e tij po e shtyjnë përsëri skuadrën drejt kthimit në La Liga, duke e futur gjithnjë e më shumë në historinë e klubit sulmuesin shqiptar.
Në një intervistë për “Euronews Albania” lojtari ka treguar se si është kthyer në një idhull në qytet, ku të gjithë po bëhen gati për rekordin e tij të radhës, Njëkohësisht, ai foli edhe për Kombëtaren kuqezi dhe shpresën që ka për të lënë gjurmë me fanellën e Shqipërisë.
Një gol larg historisë – “Më mungon vetëm një gol për të hyrë në historinë e Granadas. El Arabi ka shënuar 44 gola në 134 ndeshje unë 43 gola në 100 ndeshje dhe kam statistika më të mira. Normale kjo vjen pas një pune shumë të lodhshme. Unë i dedikohem shumë futbollit, mbaj një regjim konstant, gjithmonë e ruaj veten që të jem sa më i freskët”.
Idhull te Granada – “Ndihem shumë mirë këtu, njerëzit më adhurojnë. Kur më shohin në rrugë duan autografe, nuk mund të ulem as në restorante sepse nuk ndalojnë. Kur kam pushim dal jashtë nga Granada, sepse këtu nuk kam privatësi”.
Golat spektakolarë – “Në këtë periudhë po kaloj një formë shumë të mirë. Në ndeshjen e fundit pasi shënuam golin e dytë arritëm në vetëkënaqësi, por në fund shënova unë për t’i dhënë tri pikët ekipit. Në fakti ishte goli shumë i veçantë, por kam shënuar disa të tillë”.
Gjuhët e huaja – “Flas shumë mirë greqisht, pasi aty jam rritur dhe kam bërë shkollën. Serbokroatisht, spanjisht si dhe anglisht, që është gjuhë ndërkombëtare”.
Mungesa e golave në Kombëtare – “Të luash për Kombëtaren është një ndjenjë e veçantë. Por besoj edhe golat do të vijnë tani, pasi edhe trajneri Silvinjo në këtë moment më sheh si sulmues dhe unë ndihem më mirë kur jam afër portës. Statistikat e mia flasin qartë, kam shënuar 43 golat në tre vitet e fundit dhe normalisht jap më të mirën kur luaj pas sulmuesit, por unë jap gjithçka ku më thotë trajneri”.
Pozicioni ideal – “Shprehem më mirë në fushë, kur luaj si sulmues i dytë, pasi kërkoj hapësirat, Ndërsa qendra e sulmit është pozicion më fizik dhe jam më efikas në këtë modul”.
Aspekti fizik – “Ndihem shumë mirë, si fizikisht si psikologjikisht. Unë i dedikohem shumë futbollit, dhe jap më të mirën time. Besimi sa vjen edhe rritet kur shënon dhe shpresoj të vazhdoj kështu”.
E ardhmja – “Kur shënon shumë gola, normale që ka oferta, unë jam ambicioz. Të shohim në të ardhmen, por tani te Granada ndihem shumë mirë dhe jap gjithçka për këtë klub”.
Granada – “Objektivi ynë është të ngjitemi në La Liga dhe nuk e diskutojmë këtë qëllim. Prandaj jam këtu ta ndihmoj ekipin për t’u kthyer në elitë”.
Çfarë të mungon nga Shqipëria – “Ushqimi më mungon, por unë kam një dietë që ha vetëm oriz dhe pulë dhe jam shumë i lumtur”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"