Në Kavajë, “besa-besë” për ngjitjen në Superiore. Trajneri Teliti “skanon” Besën e sezonit të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2024 | 17:00

Në Kavajë, “besa-besë” për ngjitjen në Superiore. Trajneri Teliti “skanon” Besën e sezonit të ri

Fillimi i mbarë është gjysma e punës. Besa në 180 minutat e para ka  treguar aftësi, maturi, qetësi e përqendrim. Ka siguruar pikët e plota, pa pësuar asnjë gol dhe renditet e para.

BESAA E RE

Ndryshmet që ka bërë Besa për këtë sezon të ri janë të tilla që i bashkëngjiten edhe disa avantazheve tradicionalisht të pasura, që kanë të bëjnë me historinë, përvojën, traditën, organikën e pasur të futbollistëve aktualë dhe mbi të gjitha me aftësinë drejtuese të një trajneri me mentalitet kampioni. Mirel Josa, për herë të parë në karrierën e tij, po drejton një skuadër që luan në Kategorinë e Parë.

ORGANIKA – Zv.trajneri Ylli Teliti, nipi i njërit prej legjendave të futbollit kavajas dhe shqiptar, Qamil Teliti, pohon se ndër risitë e kavajasve për këtë sezon është organika e mirëpërzgjedhur. ”Janë me karakteristika të veçanta dhe puna e përbashkët për harmonizimin e tyre, edhe pse kërkon më tepër kohë, na ka motivuar që këtij grupi ti marrim maksimumin. Skuadra po sheh përpara. Të bashkuar, të lidhur me ‘besa-besë’, kam përshtypjen se askush nuk do ta ndalë Besën këtë sezon në misionin e saj për ngjitjen e rikthimin në elitën e futbollit shqiptar”, pohon Teliti.

ENERGJITË – “Bëjmë futboll të mirë, me stil agresiv lojë, me teknikë e spektakël lëvizjesh në fushë. Këto cilësi dalin më së miri në pah nga puna serioze e përditshme, stërvitshmëria dhe stili i gjithsecilit për t’i shndërruar energjitë në kontribute konkrete. I njohim mësë miri aftësitë e lojtarëve. Ata janë të ndërgjegjshëm për sfidat që kanë përpara. Në dy ndeshjet e para energjitë janë shfaqur nga Besa me dominimin thuajse total të sfidave kundër Valbonës dhe Korabit”, vijoi  më tej për “Panorama Sport”, zv.trajneri Ylli Teliti. Edhe pse duelet e mëdha nuk kanë nisur ende, Teliti bën të qartë bindjen e besimin që kanë tashmë tërë kavajasit.

Është formuar një skuadër jo si në sezonet e mëparshme, ku pretendimet veniteshin shpejt. Tani objektivat e shtruar janë më se të qartë. “Mendoj se energjitë që ne ditëm t’i konsolidonim fort gjatë tri javëve intensive stërvitore në Ersekë, po i monitorojmë tani etapë pas etape, duke i përshtatur plotësisht me nivelin e ndeshjeve e të kundërshtarëve që kemi patur dhe do të kemi në vijimësi. Ndihemi vërtet mirë që kemi një kombinim moshash e përvojash në ekip dhe ky do të jetë një nga komponentët e fortësisë sonë javë pas jave”, u shpreh Teliti.

TIFOZËT – Situata e përmirësuar te Besa ka bërë që të nisë edhe afrimi i tifozëve kavajas në përkrahje të e ekipit. “Pati një prani të mirë të tifozëve në Bajram Currin e largët, kur festuam së bashku startin pozitiv. Në Rrogozhinë kundër Korabit mbi 500 tifozë të ardhur nga Kavaja e shndërruan në festë atë atmosferë që krijoi eurogoli i Mentor Mazrekajt, pasi arritëm që të kalonim më në fund ‘autobusin’ që dibranët kishin parkuar në mbrojtje.

Siç u pa nga të gjithë, Korabi asnjëherë nuk e kaloi gjysmëfushën tonë dhe portieri ynë ishte spektator. Me avantazhin e madh që sjell mbështetja e fuqishme e tifozëve kavajas, të etur për suksesin e ekipit me tradita, kam bindje të plotë se Besën nuk mund ta ndalë askush”, përfundoi Teliti. Starti i ka kënaqur tifozët kavajas që tashmë kanë ndërmarrë një fushatë në mbështetje të ekipit. Përveç ndeshjeve brenda që do të luhen në Rrogozhinë, organizim tifozësh do të ketë edhe për transfertat.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"