Në kërkim të “burrave të futbollit”…
Nga BESNIK DIZDARI
…Sepse përveç të tjerave, futbolli është një sport burrëror, siç e kanë përcaktuar. Madje më burrëror edhe se boksi. Siç thoshte një herë Todi Janku, legjendari i boksit shqiptar: “E rëndësishme është që të mos lejosh goditje të rënda nga kundërshtari, çka është e mundshme, e kështu boksi nuk bëhet sport i frikshëm”. Vërtet! Boksi është një sport që zgjat 9 minuta dhe zhvillohet vetëm përballë një kundërshtari po të vetëm, në fund të fundit. Ndërsa në futboll janë bukur 11 kundërshtarë kundër 11 kundërshtarëve të tjerë. E sot, sidomos me taktikat universale që kanë lindur pa ia ndarë, në çdo çast ndodhesh përballë një kundërshtari të pamëshirshëm.
Vështroni se ku ka mbërritur futbolli i sotëm. Salto mortale të pafund në një ndeshje të vetme. Kërcime nën trysninë e kundërshtarit, që nuk ka mëshirë për të të përplasur për tokë. Goditje të topit me krye në kërcim duelesh tronditëse krye më krye. Portierë të cilët orë e çast të kërcënojnë me grushtin lart. Shtyrje të egra. Goditje këmbëve po të këtilla. Kapje për mesi për të të përplasur pa mëshirë atje tej. Shkelma deri gjoksit e shpinës. E plot të tjera… Të gjitha këto, për fat, “shkëlqyen bukur e mirë” edhe në finalet “EURO 2024” në Gjermani përballë gjyqtarëve shpesh tejet të butë e “indiferenta”.
E megjithatë, ky shkrim për burrërinë e këtij sporti, nuk është qëllimi i këtij editoriali. Qëllimi i tij është që të gjejmë e të kërkojmë “burrat e futbollit shqiptar” jashtë fushës së blertë. Ata të cilët prej futbollit të fushës së blertë kanë marrë mësimin apo edukatën sportive që iu duhet për të mbrojtur me burrëri sportin e futbollit.
Burrërinë e zhvillimit të tij, ndershmërinë e tij, rivalitetin e pastër të tij, përmbajtjen e tij të bukur e aq fort tërheqëse në elegancën e sjelljet e tij të “fair play”-t.
Të gjitha këto, në mënyrë që çdo javë të sundojë etika dhe cilësia e lartë e tij, që gëzojnë milionat e spektatorve në mbarë botën. Çka do të thotë që të sundojë kërkesa për të gjetur pra, burrat e vërtetë të futbollit. Ata të cilët guxojnë të mbrojnë vlerat e mëdha të garës, aktivitetin më burrëror e më popullor të saj, që është Kampionati Kombëtar i Futbollit i çdo kombi në Botë. Kam pra, disa kohë që po përpiqem të veçoj burrat e futbollit të Kampionatit të Shqipërisë. Për fat, me ndonjë përjashtim, nuk po arrij t’i veçoj apo t’i gjej sa e si duhet.
E kam fjalën për burrat shqiptarë në mbrojtje të vlerave e synimeve të vërteta sportive të futbollit. Në të vërtetë mungesa e tyre është dhe shkaku i rënies së Kampionatit të Shqipërisë në vendin e 44-të midis 55 shteteve, i fiksuar menjëherë edhe kësaj rradhe mbas eliminimeve të bujshme të skuadrave shqiptare në Kupat e Europës 2024-2025.
Vërtet, si nuk doli një burrë i futbollit që të pranojë se Kampionati Kombëtar 2023-2024 me vetëm 10 skuadra e me të famshmin “final four”, ishte një dështim i madh i futbollit në Shqipëri! E pra, si nuk doli një burrë i futbollit që t’i thërrasë, pse jo, deri në kupë të qiellit madje, Federatës Shqiptare të Futbollit: “Ndal!. “Ndal”, sepse futbolli nuk është i yti, por është i të gjithë shqiptarëve.
Dhe më tej, po aq e çuditshme është se si nuk doli një kryetar klubesh, siç aq fort iu pëlqen që të thirren, jo shqip, “presidentë”, dhe t’i thotë FSHF-së: “Ne e tërheqim skuadrën nga “final four”, sepse është një dështim i madh ndaj vërtetësisë së futbollit, që cënon vetë kuptimin e qëllimin e një Kampionati”. Kësisoji, nuk doli vërtet një burrë i futbollit që t’i thotë Asamblesë përkatëse:
“Lejo rrufeshën ekzistencën e Ligës Kombëtare të Futbollit si në çdo shtet të Europës, në mënyrë që kjo Ligë, e drejtuar prej burrave të futbollit, të mbarështrojë me kompetencë dhe pavarsinë e plotë të saj, Kampionatin Kombëtar”. Dhe mandej: si nuk doli një burrë i futbollit edhe nga gazetaria, që mbrenda një nate shfaqet njëherësh në pesë televizione shqiptare me nja gati 20 “analistë” e “komentatorë” e të thotë një fjalë, një fjalë të vetme, kundër kësaj forme asgjësuese të vetë qëllimeve dhe vlerave të vërteta të futbollit!
E burra, kësisoji duhet të gjesh sidomos në mjediset e gazetarisë televizive pra, që sa shumë “publicitet” që ka marrë me ndikimin e saj. Mirëpo, vetëm heshtje, vetëm kryeultësi, vetëm nënshtrim, shpesh deri në servilizëm. Dhe për çudi i jepet hapësirë të skajshme këtij mjedisi “shërbestar”, i cili parullën kryesore ka atë që thotë “amin o hoxhë”.
Teksa flitet për teknikë e taktikë, për skema; dhe mbi të gjitha për shitje e blerje futbollistësh, e kurrnji fjalë për të rinjtë e talentuar brenda qytetit, për të cilët ka gjithnjë e më pak vend. Këtu kemi mbërritur. Kemi mbërritur që gati askush nuk thotë një fjalë të vetme për rënien më të madhe në histori të Kampionatit të Shqipërisë. Rënie, që përveç sa e sa dukurive të tjera, na kujton edhe se:
– Flamurtari i Vlorës ka 5 vjet në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është).
– Besa e Kavajës, sot pa stadium e fushë futbolli, ka 11 vjet që është në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është).
– Tomori i Beratit ka 12 vjet që është në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është).
– Luftëtari i Gjirokastrës ka plot 5 vjet rresht në Kategorinë e Dytë apo të Tretë (se e Dytë dhe e Tretë është).
– Apolonia e Fierit në 10 vjetët e fundit, në 9 prej tyre është në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është).
– KF Lushnja në 7 kampionatet e fundit në plot 7 prej tyre është në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është). Kjo është “poezia” e një retorike për rënien e futbollit të Kampionatit të Shqipërisë. E pra dihet se, në shkallëzime të ndryshme të futbollit shqiptar, këta qytete kanë qenë epiqendra të prodhimit të talenteve të pambarim. Dhe nuk del askush e të thërrasë në kupë të qiellit: Shuajeni shpejt kalendarin e këtij Kampionati 2024-2025!
Bëjuni burra dhe zhvilloni një turne për të sjellë në kampionat edhe 4 skuadra të tjera, pse jo edhe 6, e ta zhvilloni kampionatin, sidomos me 14 skuadra. Sigurisht nuk e dini se nga 88 Kampionate të Shqipërisë, plot 56 prej tyre janë zhvilluar me 12, 14, 16, e deri me 18 skuadra. Të cilët kanë qenë ndër më të bukurit, ndër më të fuqishmit, ndër më të dashurit për popullin shqiptar. Lejini përrallat që përsëriten deri në mërzinë më absurde që na përrallëzojnë “se nuk kthehemi mbrapsht për këtë vit”.
Kujtojnë se harrojmë se si jeni kthyer mbrapsht mbrenda ditës edhe në këto vitet të fundit në jo pak organizime tuajat. Dhe më shkon mendja te kryetarë bashkish, te ministra përkatës, të një qeverie që duke “bërë roje” në aeroport, merret deri me numrimin e turistëve gati përditë, që po mbërrijnë e po lulëzojnë Shqipërinë! E nuk gjej asnjë burrë të futbollit prej tyre që të kërkojë pa mëshirë pse jo, anulimin e kalendarit të këtij Kampionati 2024-2025, përsëri me skemën e dështuar që zhduku pikët e një viti garë, duke flakur tej publikun. Shkrova pak ditë më parë këtu në “Panorama Sport”:
“… A vërtet do të guxoni që ta mbyllni si sezonin që shkoi me të famshmin “Final Four”? Është ai që pati vetëm deformim të garës. Vetëm shuarje të arritjeve të një viti të tërë gare për hir të finales së njëanshme të kryeqytetit, Tiranë. Çka përveç të tjerave rrëzoi pa mëshirë parashikimin dështak se numri i madh i spektatorëve do të sillte fitime “stratosferike” milionash. Dhe ndodhi që stadiumi qe përgjysmë i mbushur deri edhe në finalen e finaleve, atë Partizani-Egnatia. Kur për vendin e tretë stadiumi thuajse ishte bosh. Një dështim i pafjalë!”
E pra, a vetëm në sportin e futbollit nuk guxokan të ndërhyjnë qveritarët e një shteti? Shkoni e lexoni sado pak, studiojeni burrërinë e natyrës së hijshme të futbollit, të paktën një herë të vetme në vit. E do të mësoni se si veprojnë qeveritë e shteteve të tjera në kësi rastesh, kur cenohet rëndësia e një sporti si futbolli në jetën e publike të vendit të tyre.
Kështu pra! Ndalojeni euforinë e ndeshjeve të bukura të Kombëtares së Shqipërisë, në EURO 2024, e cila për fat nuk fitoi asnjë ndeshje dhe u rendit e 21-ta. Dhe shkoni te fakti që na thotë se Kombëtarja pati 6 lojtarë të Serisë A të Italisë, nga 2 lojtarë të kampionateve të Anglisë, Rusisë e Turqisë dhe nga 1 lojtar të kampionateve të Rumanisë, të Koresë së Jugut, të Kroacisë, të Arabisë, të Çekisë, të Gjermanisë e të Spanjës.
Dhe asnjë të Kampionatit të Shqipërisë! Madje asnjë prej këtyre të lindur e të dalë nga Kampionati i Shqipërisë. I vetmi rast ky në historinë e kombëtareve të 211 shteteve anëtare të FIFA-s. Me sa duket, këtu kemi arritur edhe për shkak të mungesës së burrave të futbollit në Shqipëri.
Ndërkaq, u mundova fort e shkova te 55 kampionate të 55 shteteve të Europës për 2023-2024, që sapo kanë përfunduar. Në asnjerin prej tyre nuk gjeta një kampionat që organizon një të ashtuquajtur “final four” të llojit shqiptar, që zhduk në zero pikët e një viti garë. Kësisoji, vetëm Shqipëria e Kampionatit të saj kombëtar që renditet në vendin e 44- t në Europë! Kuptohet që në ata shtete të tjerë të Europës do të ketë shumë burra të futbollit, burra guximtarë të futbollit.
Kohët e fundit “Corriere dello Sport – Stadio” e Romës, përmes gazetarit të shquar, drejtorit të saj, Ivan Zazzaroni, për finalet e “Gjermania” 2024, guxoi e shkroi: “… Falënderoj Ceferinin e UEFAs: faleminderit për këtë edicion të mërzitshëm, të lodhur, shumë të harruar, në të cilin vetëm një skuadër nga 24 tregoi diçka të mirë, ajo e Nico-s e Yamal-it dhe e arkitektit Fabian Ruiz.
Faleminderit sepse, duke mbushur me angazhime kalendarin ndërkombëtar – e mallkoj në veçanti Ligën e Kombeve – keni arritur të stresoni lojtarët, trajnerët, argëtuesin, gjyqtarët, tifozët, të tashmen dhe të ardhmen e një sporti që do të jetë i mrekullueshëm nëse aktorët kryesorë, lojtarët, do të mund të stërviteshin, të pushonin, të rikuperonin energjinë fizike dhe mendore dhe të përgatiteshin për ndeshjet…
I dashur Ceferin, e di që, siç ndodh shpesh, dikush do t’ju vërë në dukje këtë artikull dhe prandaj shfrytëzoj rastin të kërkoj një nder: të mos jesh rizgjedhur për herë të fundit (shpresoj) – po a nuk përpiqesh më në fund të bësh diçka të dobishme dhe pozitive për lojën që të ka dhënë kaq shumë gëzim?” Ndërsa e famshmja “Guerin Sportivo”, që botohet tash 112 vjet (1912) nëpërmjet editorialistit të saj po të famshëm, Tucidide, gjithashtu guxonte të shkruante: “…70 gara në vit. Çmenduri! Po çfarë rëndësi paska shëndeti i sportistëve? Shpresojmë se presidentët e Federatës Europiane të Mjekësisë do ta ngrejnë zërin që të dëgjohet.
Ndërkohë që Sindikata e Futbollistëve Europianë (FIFPRO), e mbështetur nga Shoqatat e Anglisë, Francës dhe Italisë, ka menduar ta çojë në gjykatë FIFA-n për (Është fjala për Kupën e Botës së klubeve 2025) organizimin në mënyrë të njëanshme të garës së re në mes të korrikut e gushtit 2025 në SHBA. Sindikata i ka kërkuar Gjykatës së Brukselit t’i kërkojnë Gjykatës së Drejtësisë Europiane që ta ndalojë FIFA-n të organizojë Kupën e Botës për klubet në 2025 në mes të qershorit e të korrikut…
Kështu vriten kampionatet kombëtare. A me gjithë mend jeni të sigurtë se ndeshjet ndërkombëtare i interesojnë popullit të futbollit më shumë se sa sfidat vendase kombëtare të ndeshjeve midis qyteteve dhe rajoneve?”. Sa kulturë që të japin këto dy gjykime për vlerat e futbollit! I tillë është guximi i “burrave të futbollit” që patjetër mbërrin edhe nga gazetaria. Se gazetari e vërtetë është vetëm ajo që përveç informimit, i dëgjohet fort edhe zëri kritik i saj.
Ky është ligji i madh i profesionit tonë. Teksa ka kurajon të dalë pra, edhe kundër FIFA-s apo UEFA-s, për të cilat disa shqiptarë kujtojnë se janë “shejtni”. Ruajna zot po ta mendojnë FSHF-në tonë, qoftë dhe për një çast të vetëm, si një “shejtni”. E, këta burra të huaj të futbollit, janë krejt ndryshe pra, nga “analistët”, “komentatorët” apo gazetarë shqiptarë, të cilët nuk kanë kurajon më elementare që të paktën të pohojnë se organizimi i Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, me vetëm 10 skuadra prej 11 vitesh me radhë, e që çdo vit kërkon të flakë tej 30 përqind prej këtyre vetëm 10 skuadrave pjesëmarrëse, është pra një dështim i madh, i cili çka nuk ka shkaktuar.
Ka shkaktuar braktisjen e stadiumeve nga populli, braktisjen nga skuadra të shquara tradicionale të qyteteve, pengimin e fuqizimit cilësor të kampionatit, frenimin e përparësisë së talenteve shqiptare, cënimin deri në skaj të traditës kombëtare të futbollit shqiptar. Deri aty sa edhe në dy ndeshjet e fundit të Partizanit e Egnatias, në Kupën e Europës, stadiumet ishin thuajse të boshatisur! E pra: kanë shteruar burrat e futbollit në Shqipëri?
Kisha me thënë se vetëm një provë kundër këtij organizimi do të na bëjë të mendojmë të kundërtën: që gjithçka të nisë me anulimin e skemës së këtij Kampionati 2024-2025. Çka nuk do t’ia ulte autoritetin as Federatës Shqiptare të Futbollit, por do t’ia rrriste fort këtë autoritet. Kësisoji do të ndjenim forcën e burrërisë në mbrojtje të futbollit kombëtar, çka do të nxiste fort zhvillimin e tij, ndershmërinë e tij, rivalitetin e pastër të tij.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"