“Ne luajmë vetëm në fushë, të pathyeshëm me rivalët”. Ribaj: Flamurtari të tremb me fanellë, ia dalim me Vorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2024 | 14:24

“Ne luajmë vetëm në fushë, të pathyeshëm me rivalët”. Ribaj: Flamurtari të tremb me fanellë, ia dalim me Vorën

Andi Ribaj mendon se momenti “jo” ka kaluar për Flamurtarin dhe se skuadra e ka shtruar rrugën drejt Superiores. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish–sulmuesi, që aktualisht është zv.trajner te Flamurtari, pret fitoren me Vorën, pasi me kundërshtarët direkt kuqezinjtë janë më lartë.

Ribaj

Ai vlerëson futbollistët që janë pjesë e skuadrës, pasi bëjnë edhe diferencën. Sipas ish-sulmuesit, Flamurtari luan vetëm brenda fushës dhe asnjë herë jashtë saj.

Ribaj, objektivi është Superiorja, si ju duket ecuria e Flamurtarit?

Përfundoi faza e parë dhe filloi e dyta dhe ne jemi në vend të parë. Objektivi i vetëm është Superiorja. Me ndeshjet që kemi luajtur, kemi pasur dy-tre luhatje të vogla, por besoj se në vijim do të shihet Flamurtari i fazës se parë. Ne do bëjmë gjithçka të jetë e mundur, që ekipi të shkojë aty ku duhet. Për këtë janë bërë edhe investimet dhe kanë ardhur lojtarë cilësorë, të cilët kanë bërë diferencën edhe në Superiore. Shpresoj se këtë gjë do ta bëjnë edhe te Flamurtari.

I druheni “lojërave” jashtë fushe në këtë fazë të kampionatit?

Ne luajmë brenda kuadratit të gjelbër. Unë nuk i di çfarë bëjnë ekipet tona rivale. Ne kemi një ndeshje direkt me Vorën. Të parën e kemi fituar me rezultatin 3-0 në Vlorë. Me Besën ndeshja ka dalë 0-0 në fushën e tyre. Nuk kemi humbur me rivalët direkt. Këtë javë do të tregojë akoma më shumë rezultati që kanë marrë ata dhe që kemi marrë ne. Gjithçka do të mbetet në fushën e lojës në duelin e së hënës.

Duket se e gjithë gara bëhet vetëm mes tri skuadrave, Flamurtarit, Besës dhe Vorës, apo jo?

Edhe Besa me Vorën kanë bërë investimet e tyre. Ne kemi luajtur në çdo ndeshje fortë dhe kemi marrë maksimumin. Renditja deri tani tregon se Flamurtari është ekipi më i mirë. Shpresoj që të vazhdojmë që në ndeshjen e radhës me Vorën. Me rivalet nuk kemi humbur asnjë herë.

Në këtë sezon a ka më shumë cilësi te Flamurtari, apo edhe vjet ishte e njëjta gjë?

Edhe vjet kemi pasur lojtarë shumë të mirë. Asnjëherë nuk duhet që të bëhen diferencime për këtë fanellë, ndaj duhen falënderuar futbollistët. Edhe këtë vit kanë ardhur lojtarë shumë të mirë, pasi e tregojnë rezultatet. Në fund, futbolli matet me rezultate. Rezultati të ngre ose të ulë. Jemi në vend të parë dhe janë shumë lojtarë cilësorë në ekip. I falënderoj për çfarë kanë bërë deri më sot.

Me Erzenin fituat me vështirësi, me Lushnjën po ashtu. Mund të ndodhë me Vorën e njëjta gjë, apo me rivalët kemi një Flamurtar tjetër?

Çdo ekip ka rezultatet pozitive, por ka edhe një moment “jo”. Nuk është se ndodh vetëm te Flamurtari. Kjo ndodh në të gjitha klubet. Me Lushnjën, Besën dhe Burrelin. Me Burrelin në pjesën e parë kemi bërë një ndeshje të shkëlqyer. Me Erzenin kemi pasur shumë raste, kemi humbur një penallti, kemi shënuar një gol shumë të rregullt që është anuluar. Erzeni ka pasur vetëm një rast në pjesën e parë. Një humbje vigjilence dhe ata shënuan. Kur ndeshen me Flamurtarin ka lojtarë që duan të luajnë dhe të bëjnë maksimumin për të rënë në sy, pse jo për të ardhur në Vlorë, pasi ka pasur edhe raste të tjera.

Flamurtari kryeson me 32 pikë dhe Vora ju ndjek me një pikë më pak. Mendoni se dueli i radhës është një nga momentet kyçe të kampionatit?

Nuk është se do të vendos ndonjë gjë të madhe, pasi janë edhe shumë pikë në lojë. Vora është një rival direkt, që ka dy vite që investon për të hyrë në Superiore. Ne në fushën e Vorës kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe kemi fituar vjet. Flamurtari është Flamurtari dhe nuk mund të krahasohet me këto ekipe. Vlonjatët kanë stofin për të fituar atje dhe kudo që të shkojë, pasi të tremb edhe fanella. Të gjitha ekipet sa ndeshen me ne e kanë vëmendjen gjithmonë te Flamurtari.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"