“Në Tropojë më kënaqi dëshira e skuadrës për të fituar”, Agostineli: Nuk i fshihem Superiores, Flamurtari ngjitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2024 | 11:29

“Në Tropojë më kënaqi dëshira e skuadrës për të fituar”, Agostineli: Nuk i fshihem Superiores, Flamurtari ngjitet

Pas përfundimit të javës së 17-të të Kategorisë së Parë, Flamurtari e mbyll vitin 2024 i dyti. Ndeshja me Valbonën duket se ishte fatsjellëse për kuqezinjtë, për t’u ringjitur në klasifikim. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, trajneri Andrea Agostieneli shprehet i kënaqur pas transfertës së Tropojës, sidomos për rastet që prodhoj skuadra.

AGOSTINELI

Italiani thotë se ishte hera e parë që shikonte në një ndeshje kaq shumë gjuajtje drejt portës dhe raste për gol. Agostineli thekson se në janar do të ketë afrime. Pavarësisht se Kategorinë e Parë e cilëson të vështirë, nuk i trembet aspak, ndërsa thotë se është në Vlorë për të ngjitur skuadrën në Superiore.

Agostineli, ju kënaqi fitorja me Valbonën në transfertën e Tropojës?

Patjetër që po, por mbi të gjitha më kënaqi dëshira për të fituar e të gjithë lojtarëve. Ishte një fitore e rëndësishme për skuadrën dhe ne e prisnim. Të jem i sinqertë ne shkuam për të fituar dhe nuk e vija në dyshim se do të ndodhte e kundërta.

Në rregull, por fituat vetëm në fund. Çfarë po ndodh me këtë skuadër?

Unë rrallë kam parë një ekip të gjuante kaq shumë në portë dhe kaq shumë rate të humbura për gol. Është e vërtetë që fituam në fund, por kjo do të thotë se ne kemi një skuadër të mirë dhe me lojtarë cilësorë, që e zgjidhin ndeshjen pavarësisht se kjo mund të vijë edhe në fund. Falënderoj djemtë për lojën që zhvilluan, por edhe për fitoren gjithashtu.

U ngjitët në vendin e dytë dhe objektivi mbetet madhor. A ngjitet ky Flamurtar në Superiore?

Unë e dua Superioren dhe djemtë e mi e duan gjithashtu. Jam këtu pikërisht për të arritur këtë objektiv madhor. Nuk i fshihem. Nëse do t’i fshihesha këtij objektivi nuk do të isha sot këtu, por në shtëpinë time. Kam ardhur në Vlorë pikërisht për këtë gjë. Dua që të ngjis Flamurtarin në elitë, aty ku e meriton që të jetë kjo skuadër.

Mendoni se ky është një kampionat i vështirë?

Mund të jetë pak i vështirë, por ne e dimë se do të jetë gjithmonë edhe më e vështirë. Jemi të përgatitur për të përballuar çdo situatë dhe çdo vështirësi që do të na shfaqet përpara.

A ka nevojë Flamurtari për përforcime në janar?

Unë besoj se po. Është diçka që ne do ta bëjmë si brenda edhe jashtë. Do të punojmë për të përforcuar skuadrën aty ku e ka më të nevojshme.

 

Pushim deri më 27 dhjetor

Koha për pak pushim te Flamurtari. Pas fitores me Valbonën në transfertën e Tropojës, skuadra vlonjate dje është shpërndarë. Ekipi ka nisur pushimet, por për shkak se kampionati rinis shpejt në janar, nuk ka kohë për pushime të gjata. “Panorama Sport”, zbulon se më datën 27 dhjetor skuadra do të zbres në fushën stërvitore për të filluar fazën përgatitore dimërore. Gjatë kësaj periudhe pritet që të vijnë edhe përforcimet e para të merkatos së dimrit.

 

 

17 afrime

kreu Flamurtari në merkaton e verës: Selimi, Kacbufi, Oshafi, Allmuça, Frashëri, Hoxhaj, Atanda, Fernandinjo, Kobian, Alla, Marku, Trashi, Ali Adem, Murataj, Bolanos, Diavara dhe Krist Evo Ememe.

 ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"