Nëntë pikë në kosh, Interi vuan në sfidat e mëdha. Konseisao iu është bërë “mace e zezë” zikaltërve
Bilanci i Simone Inzagit është i errët… Serxho Konseisao ka gjetur çelësat për ta bezdisur trajnerin e Interit.Zikaltrit kanë shpërdoruar 2 pikë të tjera na garën për titullin kampion, edhe pse sigurisht që kishte merituar më shumë. Për 90 minuta goditi tri shtylla dhe pa që t’i anuloheshin 3 gola. Për më tepër pretendoi një penallti të Pavloviçit ndaj Turamit. Episode që ndodhin në futboll, por ndërkohë Serxho ka ndalur Interin për herë të dytë.
PIKË TË HUMBURA-Një çështje që lidhet me ndeshjet e mëdha. Interi këtë vit ka humbur 9 pikë në duelet direkte me skuadrat kryesore të Italisë, dy kundër Napolit dhe Juventusit, 3 kundër Milanit në duelin e fazës së parë dhe 2 të tjera ditën e diel. Ka mundur me meritë dhe me goleada vetëm 2 skuadrat, Atalantën dhe Lacion. Kush e di vallë sa do të peshojnë këto gola në garën për titullin kampion. Dhe pikërisht kundër kuqezinjve mungojnë 5 pikë në total në 2 ndeshjet e luajtura. Pa llogaritur këtu edhe Superkupën e Italisë që i iku nga duart në Riad në sekondat e fundit. Konseisao është shndërruar në një “mace të zezë” dhe trajneri që duhet shmangur.
GJITHNJË LUFTË- Në Arabinë Saudite i hoqi nga duart një trofe që ishte në avion dhe me destinacionin për t’u ulur në anën zikaltër të Milanos. Por Milani i prishi festën. Këtë herë ndodhi e kundërta. Serxho vuajti shumë gjatë ndeshjes. Interi e bombardoi në çdo moment dhe nisi vrullshëm drejt portës së Menja. Por në fund erdhi vetëm një barazim dhe trajneri i Milanit sigurisht që e ka thumbuar. “Inzagi duhet të flasë për atë që ndodhi në fushë. Ndoshta mendoi që do të gjente përballë një skuadër inferiore në aspektin e lojës, por gjeti një skuadër të fortë. Është opinioni i tij dhe e respektoj”, ka thënë Konseisao.
I referohet deklaratave të Simone Inzagit në lidhje me penalltinë e munguar në derbi kundër Turamit, por edhe faullin e pësuar nga Asllani në Superkupën e Italisë. “Ndodh gjithmonë e më shumë që arbitrat po gabojnë ndaj nesh”, ka thënë numri një i zikaltërve. Ndodh ashtu siç ai po humbet pikët në ndeshjet direkte. Një aspekt që duhet përmirësuar në pritje të dueleve të tjera që mund të rezultojnë vendimtare në garën për titullin kampion.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)