Nga asistet te golat, dyshja Zharmuni-Haxhiu është më rezultative te Tirana
Tirana përballet sot me Elbasanin, në një ndeshje ku bardheblutë për herë të parë kërkojnë fitoren e dytë rresht, që këtë sezon nuk e kanë arritur asnjëherë.
Kthimi i Gugash Maganit në stol solli ritëm tjetër te kryeqytetasit, të cilët javën e shkuar mundën 4-0 Bylisin. Tani ajo fitore është harruar dhe Tirana duhet të sfidojë në orën 17:00, AF Elbasanin. Një ndeshje delikate për bardheblutë, të cilët duhet të tregojnë veten në fushën e lojës.
ASISTE – Në këtë sfidë Tirana vjen me gjithë grupin dhe dy lojtarë të veçantë. I pari është Rimal Haxhiu. Sulmuesi që nuk ka shënuar asnjë gol këtë sezon, por është treguar altruist. Futbollisti ka shërbyer për shokët, duke dhënë 4 asiste dhe ka gatuar katër gola të Tiranës.
GOLAT – Një tjetër lojtar i rëndësishëm për skuadrën edhe Ualid Zharmuni. Ualid Zharmuni është sulmuesi i Tiranës, i cili në 13 takime ka shënuar 5 gola, katër nga të cilat si rrjetë e parë. Golat e tij janë përkthyer në 6 pikë. Vendimtarë mbeten golat e Prengajt, Ndrecës apo edhe Ismajlit. Nga sulmuesit, Haxhiu dhe Abah ende nuk e kanë bërë “sefte”. Tirana e sivjetshme është në vendin e shtatë dhe ka 14 pikë ose 7 më pak se 365 ditë më parë.
Nëse këtë vit, Tirana ka vetëm dy fitore dhe tetë barazime, sezonin e shkuar ka pasur gjashtë fitore dhe tre barazime. Vetëm te humbjet kanë fituar bardheblutë, pasi kanë një më pak se vjet, tre kundër katër. Edhe në golaverazh, skuadra e vjetshme ishte 21-19, ndërsa e sivjetmja 17-16.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"