10 radhët e mia… “Ka kontakt, s’ka kontakt!”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 22:05

10 radhët e mia… “Ka kontakt, s’ka kontakt!”

NGA BESNIK DIZDARI 

Në ndeshjen Egnatia-Vllaznia për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë në mesjavën e kaluar, iu dha kartoni i kuq një lojtari, në një dyluftim disi të ashpër për topin. Ndonëse ishte një ashpërsi e dyanshme, pra e të dyve. Dhe këmba e lojtarit që do të ndëshkohej me karton të kuq, me sa u pa, në luftë për topin, shkeli paksa syrin e këmbës së lojtarit tjetër. U rrëzuan të dy. Dhe karton i kuq për njërin! Një karton i kuq që nuk ka FIFA e as “International Board” në botë që mund ta pranojë.

egnatia-vllaznia

Tash, në terminologjinë shqiptare të futbolli po përjetojmë një shprehje që kurrë nuk është përdorur më parë. Madje jo vetëm në Shqipëri. Shprehja është kjo: “Ka kontakt, s’ka kontakt!”. Ec e gjeje se çdo të thotë kjo kur dihet se ndeshja e futbollit orë e çast, sekondë e minutë është e mbushur veç me kontakte. Kontakte fizike, pra. Luftë e pastër për topin, markim, bllokim, po të pastra, por edhe konfrontim, shtyrje, kapje, goditje me qëllim, sharje madje, fyerje e plot të tjera të papastra. Mirëpo tash i thonë: “Ka kontakt, s’ka kontakt!”.

Me thënë të drejtën nuk kisha ndonjë dëshirë të madhe t’i shkruaja këto radhë. Dhe nuk më tërhoqi thjesht ai karton i kuq i padrejtë, ndonëse ai u bë nxitje. Ajo që më tërheq është kjo tjetra: Një lojtar zotëron topin ndër këmbët e tij dhe po përparon drejt portës kundërshtare. Nga mbrapa i sulet një lojtar i skuadrës tjetër. E sheh që nuk mund ta ndalojë. Nuk ka çka i bën pra, por e zë për mesi dhe rrëzon pa mëshirë për tokë. E mandej? Mandej gjyqtari i ndeshjes i jepka karton të verdhë!? Kur e kuqja është e do të ishte shumë pak.

Kjo jo vetëm, sepse kapja është qëllimshme, por sepse, përveç të tjerave, ky “kapës” arrogant, ka fyer rëndë etikën e garës së ndershmërisë dhe pastërtisë së futbollit. Rasti tjetër. Përsëri një lojtar zotëron topin ndër këmbët e tij dhe po përparon drejt portës kundërshtare. Dhe nga mbrapa i sulet një lojtar i skuadër tjetër. E sheh që nuk mund ta ndalojë. Dhe ky pa pikë “edukate” që mishëron sporti i futbollit, ia tërheq fanellën nga mbrapa në pjesën e shpinës, gati sa nuk ia shkyen (dikur do t’ia kishte shkyer, por për fat, sot fanellat janë “të hekurta”). Dhe e rrëzon. Po arbitri i futbollit të Republikës së Shqipërisë çka bën? I jep kartonin e verdhë!?

Ndonëse edhe në këtë rast e kuqja është pak, pra. Kjo ngaqë edhe ky lojtar, përveç të tjerave, ka cenuar keqas edhe etikën e futbollit. Mirëpo, ja që ndër ne, kartoni i kuq sundohet vetëm nga shprehja e re që thotë: “Ka kontakt, s’ka kontakt!”. Dhe kapjet e qëllimshme për barku e thuajse shkyerja po e qëllimshme e fanellës – të gjitha këto në fshehtësi dinake nga mbrapa – shpëtokan me psikologjinë e shprehjes që ka shpikë Shqipëria:

“Ka kontakt, s’ka kontakt!”. Dhe në vend të kartonit të kuq, gjithçka mbetet vetëm një “përkëdhelje” me kartonin e verdhë. Nuk bën pra, kështu. Le t’i lëmë mënjanë moviolat, se janë bërë fort të mërzitshme. Thuajse në çdo emision televiziv shqiptar ka moviolë stërholluese. Madje edhe për raste krejt të parëndësishme të vogla. Qofsha i gabuar, po mendoj se kësisoj nuk ia vlen. Ndoshta ia vlen vetëm moviola e rasteve të mëdha që ndikojnë drejtpërdrejt në deformimin e një rezultati të drejtë të një ndeshjeje futbolli.

Dhe pa baza dhe pa stërhollime, kërkoni kartonin e kuq për lojtarin i cili nga mbrapa e mbërthen për barku kundërshtarin dhe e përplas për tokë, po ashtu edhe për lojtarin tjetër, i cili po nga mbrapa gati ia shkyen fanellën atij që ka topin në zotërim dhe po vrapon për te porta kundërshtare. E shoh se në Shqipëri mungon kritika arbitrale.

E kam fjalën për kritikën arbitrale konceptuese, qoftë paksa edhe teorike, pa “ka kontakt e s’ka kontakt”. Siç e bënte dikur me kompetencë të plotë profesori i paharrueshëm Sami Kotherja. Besoj se edhe sot duhet të ketë të tillë. Si përshembull, një Arsen Hoxha – një nga më të mëdhenjtë e arbitrimit shqiptar – i cili përveç të tjerave, di të shkruajë bukur e mirë. Natyrisht jo vetëm ai…

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"