Nga Besëlidhja, Tomori, Tërbuni, Veleçiku te Basania, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2024 | 16:00

Nga Besëlidhja, Tomori, Tërbuni, Veleçiku te Basania, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Besëlidhja mori fitoren dytë të dielën, ku në transfertë mundën Murlanin në shifrat 3-0. Besëlidhja ka nisur javën stërvitore anti-Iliria, ku të shtunë i presin fushëkrujasit në Lezhë.

kategoria-e-dyte

Para nisjes së punës, Besëlidhja iu nënshtrua analizës.  Pas presidentit Xhulio Noka, që përgëzoi skuadrën për fitoren ndaj Murlanit, foli trajneri Dritan Smajli i cili ndër të tjera tha: “Skuadra po ecën mirë, por kemi mundësi edhe për më shumë. Edhe pse mbajmë kreun, është shumë herët për t’u kënaqur. Ndeshja ndaj Ilirisë është bankoprova me ngarkesë të plotë për ne, ndaj dua që këtë javë të përqendrohemi dhe mobilizohemi tërësisht për të marrë ngarkesat e duhura, si dhe minimizuar gabimet e vërejtura deri tani. Kam besim, se ju do të jepni më të mirën e mundshme ndaj Ilirisë për të treguar forcën reale të ekipit. Edhe unë, së bashku me stafin do të punojmë fort me ju dhe do të përpiqemi të japim më të mirën e mundshme brenda kapacitetit tonë teknik”. PRENG GJIKOLA

Saraçi: Tomori dha sinjale për objektivin madhor

Sulmuesi i linjës së djathtë të Tomorit, Vladimir Saraçi, e vlerëson si pozitive fitoren e parë në kampionat, që do të shërbejë si motiv për vazhdimësinë. Tomori pritet të jetë një nga pretendentët kryesorë për kreun e Grupit B. Pasi ka kaluar një eksperiencë në Kategorinë e Dytë, duke u aktivizuar me Naftëtarin dhe Memaliajn në sezonin e fundit, Saraçi u rikthyer te skuadra e vendlindjes. Sulmuesi synon që të kontribuojë me lojën dhe golat e tij, në mënyrë që të rikthejë Tomorin në të Parën. Objektivin e konsideron si një mision të mundshëm për tu realizuar, edhe pse betejën e konsideron të vështirë në një grup të ekuilibruar. “Fitorja ndaj Memaliajt është një sinjal i qartë për rikthimin e Tomorit si skuadër pretendente. Besoj se shumë shpejt do të ngjitemi në krye të grupit. Humbja e Luftëtarit në Maliq është një sinjal i qartë se në grupin tonë do të ketë rivalitet dhe ekuilibër të plotë këtë sezon”, u shpreh Saraçi për “Panorama Sport”. EDI SPAHIU 

Tërbuni nuk heq dorë nga… e Para

Tërbuni, në dy ndeshjet e para të kampionatit, ka marrë vetëm dy pikë. Askush nuk e priste këtë në Pukë, pasi mundësitë ishin që ekipi të arkivonte 6 pikët e plota në dy ndeshjet e luajtura, me Ilirinë në shtëpi dhe Adriatikun në Vorë. Ekipi ka ndjerë ndërkohë mungesën e dy futbollistëve Temja dhe Filipi, të dëmtuar. Për gjendjen e ekipit si dhe sfidën e radhës me Basanian, shefi i klubit pukjan, Bujar Mehja, për “Panorama Sport” u shpreh:

“Në dy takimet e para nuk kemi shkuar më shumë se barazimi. Parashikimet ishin që ekipi të merrte më shumë në këto takime. Nuk na ka munguar loja e bukur, por ekipi po ndjen mungesën e dy lojtarëve kryesorë që janë të dëmtuar. Shpresojmë të rikuperohen sa më shpejt e të kontribuojnë për ekipin. Objektivi ynë është Kategoria e Parë. Tërbunit nuk i takon të konkurrojë në këtë nivel. Të shtunën do presim Basanian dhe ekipi po përgatitet fort nën urdhrat e trajnerit Bardhi. Vlerësimi për kundërshtarin është i lartë dhe jemi të vendosur për të marrë tri pikët”.  GANI PEMA

Veleçiku e ka me gjykimin, propozim për VAR-in

Analiza e humbjes së Veleçikut me Ilirinë ishte e qetë, por koplikasit e kanë me gjykimin. Dhe kjo, në lidhje me pjesën e dytë të takimit me Ilirinë. Ndërkohë, trajneri Besnik Duli ka vlerësuar lojën e mirë të mbrojtjes, duke përjashtuar rastin e golit. Në analizë ka pasur kritika për Ragamin e Shekajn për shpërdorimet flagrante. “Edhe gjatë sezonit të kaluar i kam kërkuar sektorit të garave pranë FSHF-së që të shqyrtojnë veprimet e gjyqtarëve që dëmtojnë lojën. Nuk dua t’i paragjykoj gjyqtarët, por do të ishte mirë që edhe në Kategorinë e Dytë të vihej VAR-i, do të na ndihmonte shumë në vijimin normal të kampionatit”, tha drejtori sportiv i koplikasve, Nuri Rexha. BASHKIM RAMEKAJ

Hasaj, protagonisti i Basanias te pika historike

Basania arriti të marrë pikën e parë historike në Kategorinë e Dytë, ku javën e shkuar barazuan në shifrat 3-3 me Luzi 2008. Për “Panorama Sport” rreth kësaj ndeshjeje ka folur Brilant Hasaj, i cili shënoi dy gola. ”Jam i gëzuar për golat, pasi ishin të parët për këtë sezon, por që patën edhe vlerë në pikën historike që Basania mori ndaj Luzit. Mund të them se jemi pak të zhgënjyer për barazimin, por mënyra se si erdhi në fund mund të quhet një pikë e fituar. Do i marrim ndeshjet me radhë, që të bëjmë sa më mirë nga java në javë. Besoj se skuadra po rritet dhe po ashtu besoj se i kemi cilësitë për të bërë më mirë. Uroj që kundër Tërbunit të marrim fitoren e parë”, u shpreh Hasaj. ENDRI ÇINARI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"