Nga dëmtimi i gjatë te përballja me Besën, Topllari: Jam gati për Pogradecin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2024 | 23:35

Nga dëmtimi i gjatë te përballja me Besën, Topllari: Jam gati për Pogradecin

Të mërkurën e ardhshme skuadra pogradecare do të presë në fushën e saj Besën pretendente. Ndeshja ndaj kavajasve, për vetë pretendimet që kanë skuadrat në këtë kampionat, e bën sfidën shumë interesante.

topllari

Në seancën e djeshme, trajneri Nikaj zhvilloi një ndeshje brenda grupit, kur më shumë se një orë, tekniku shkodran ka aplikuar disa variante taktike, si dhe ka parë nga afër dhe gjendjen e futbollistëve. Lajm i mirë për Pogradecin është rikthimi pas disa muajsh nga dëmtimi i sulmuesit, Eldjon Topllarit. Ndonëse në dy ndeshjet e para ka marrë minuta në dispozicion, forma dhe paraqitja e tij po vjen drejt rritjes. “Pësova një dëmtim në janar të këtij viti dhe gradualisht jam drejt rikuperimit. Aktivizimi në dy ndeshjet e fundit me ka dhënë forcë për të kaluar çdo vështirësi. Sa i përket ekipit, sezonin e nisëm mbarë me atë fitore bindëse kundër Kastriotit, 3-1.

Me Lushnjën, nëse do të ishim më konkret me ato raste që na u krijuan, barazimi do të ishte përfundimi më i drejtë i ndeshjes”, u shpreh fillimisht Topllari për “Panorama Sport”. Në fund, sulmuesi pogradecar ndalet te ndeshja e radhës ndaj Besës, që është një nga ekipet që investuar shumë në merkato dhe pretendente për Superioren. “Kundër Besës do të jetë një ndeshje e luftuar nga të dy skuadrat. Pogradeci është në gjendjen e tij më të mirë dhe humbjen e pësuar në Lushnjë e kemi lënë. E gjithë vëmendja është e përqendruar te ndeshja ndaj kavajasve. Ne kemi dhe një avantazh të madh, pasi gjithmonë kemi përkrahjen e sportdashësve tanë të mrekullueshëm”  përfundoi sulmuesi Eldjon Topllari.

Nderim  GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"