Nga dyshja pretendente Tomori-Luftëtari te Naftëtari, lajme shkurt nga Kategoria Dytë
Tomori më në fund ka “ndezur” në transfertë. Beratasit kanë arritur fitoren e parë në tri ndeshje, ku mposhtën Butrintin në Sarandë. Fitorja më e fundit është vlerësuar pozitivisht në kampin beratas, si dhe ka bërë që të rriten kuotat si skuadër pretendente.
Pas trepikëshit të marrë në Sarandë, trajneri Iken Droboniku, për “Panorama Sport” pohoi se është shumë i kënaqur me fitoren. Ai evidenton formën në rritje të skuadrës, duke dhënë sigurinë për vazhdimësinë. “Një fitore shumë e merituar dhe po kaq e rëndësishme për Tomorin, po të kemi parasysh se kemi triumfuar në një transfertë të vështirë dhe ndaj një kundërshtari shumë cilësor. Mendoj se fitorja ka ardhur në momentin e duhur, sepse na ngre shumë në aspektin psikologjik, po kështu është edhe një sinjal i qartë pozitiv për vazhdimësinë. Më duhet të veçoj edhe një tjetër detaj që lidhet me punën e përbashkët në procesin stërvitor. Kështu që, suksesi i Tomorit nuk është aspak një rastësi, por garanci e qartë se jemi rikthyer në garë me “stofin” e pretendentit”, u shpreh trajneri i skuadrës beratase. EDI SPAHIU
Xhulio Mirani: Luftëtari mundë të fitojë çdo ndeshje
Për të dytin sezon me radhë, Xhulio Mirani kontribuan për Luftëtarin. Pas fitores 5-0 në Këlcyrë, Mirani për gazetën deklaroi: “E kishim vlerësuar Këlcyrën edhe si një reflektim për humbjen ndaj Maliqit. Më shumë se golat e shënuar, e rëndësishme ishte loja plot grintë dhe e organizuar nga ekipi. Jemi të bindur se objektivin e këtij sezoni për ta ngjitur Luftëtarin në Kategorinë e Parë do ta realizojmë. Nuk kanë qenë rastësorë golat që kemi shënuar. Ata kanë ardhur si rezultat i lojës kolektive. Ndeshjet në vazhdim do të jenë edhe më të vështira. Mundësitë tona janë që të dalim fitues në çdo ndeshje, pavarësisht se vazhdojmë të luajmë pa mbështetjen e tifozerisë sonë”. GËZIM BEQIRI
Trajneri Gega: Pres ecuri pozitive nga Naftëtari
Naftëtari është rikthyer te fitorja, sukses i cili erdhi në debutimin e trajnerit Saimir Gega, i cili e ka drejtuar përkohësisht skuadrën në disa ndeshje të sezonit të kaluar. Për sa i përket përballjes me Adriatikun, trajneri i ri i Naftëtarit, Saimir Gega, për “Panorama Sport” deklaroi: “E kaluam me sukses ndeshjen me Adriatikun dhe duhet thënë që vuajtëm pak. Kishim përballë një skuadër të fortë, por për fat të mirë ne arritëm të merrnim një trepikësh me vlerë. Mendoj se skuadra i ka mundësitë për një ecuri pozitive, por duhet të largojmë euforinë dhe të mendojmë e punojmë seriozisht për ndeshjen e radhës”. Të shtunën Naftëtarin e pret një transfertë e vështirë përballë Tërbunit. ARBEN ÇEPANI
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"