Nga euforia në Champions, Real Madridi është zhytur në një krizë të papritur
Në harkun e tri ditëve, Reali i Madridit ka hyrë në tunelin e një krize krejtësisht të papritur. Ajo që duhej të ishte e bardhë, e thënë si kurrë më mirë, është kthyer në e zezë.Parajsa që e priste i ka lënë vendin një skenari makthi. Është pasojë e dy përmbysjeve të njëpasnjëshme që kanë tronditur themelet e “Shtëpisë së Bardhë”, jo asaj në Uashingon të mos keqkuptohemi: humbja kundër Barcelonës dhe “humbja” e “Topit të Artë”. Dy tronditje që kanë nxjerrë jashtë ekuilibrit ekipin dhe klubin, në një moment ku gjithçka dukej mirë e bukur. Sepse Reali i Madridit po përgatitej të jetonte ditë të mëdha me “El Clasico”-n në “Bernabéu” dhe ceremoninë e dhënies së “Topit të Artë” në Paris.
Gjendja e euforisë ishte krijuar pas fitores spektakolare në Ligën e Kampionëve kundër Dortmundit dhe Madridi po përgatitej për të nisur javën e tij të madhe. Shfaqja e fuqisë ndaj Dortmundit u interpretua nga vetë Ançeloti si një pikë kthese në një sezon që “Los Blancos” e kishin nisur me ulje-ngritje. Një recital kontinental nga kampioni në të cilin protagonist ishte Vinicius, i cili e nisi me stil rrugëtimin e tij drejt tapetit të kuq që do ta çonte në kurorëzimin në Paris për të fituar “Topin e Artë”. Një tapet që ai as nuk do ta shihte e jo më të parakalonte. Ajo panoramë idilike është e një jave më parë, por duket sikur ka kaluar një muaj sepse nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga ajo gjendje e këndshme.
JASHTË PLANIT – Në tri ditë gjithçka ka ndryshuar për keq te Madridi si pasojë e dy “tërmeteve”, goditjet e të cilëve kanë lënë dëme në të gjitha nivelet: sportive dhe institucionale. E para i referohet humbjes në “El Clasico” në “Bernabéu”. Madridi ka matur forcat e tij me Barcelonën e Flikut me synimin për të konsoliduar rritjen e tij dhe për të ndjekur blaugranat në krye të Ligës. Në një farë mënyre, “El Clasico” ishte mundësia e skuadrës së Ançelotit për të rivendosur rendin pas ditëve të para në të cilat dukej se Barcelona po fluturonte.
Por planet e bardha u shkatërruan nga Levandovski, Jamal e Rafinja. Fati për madrilenët është që tre ditë më vonë ata patën mundësinë të shëronin disi plagët në Paris, në ceremoninë e “Topit të Artë”. Por gjithçka shkoi keq dhe e bëri këtë në një mënyrë veçanërisht traumatike. Vinicius nuk fitoi trofeun dhe klubi vendosi t’i kundërvihej “France Football” dhe UEFA-s. Një vendim që i ka kushtuar kritika të ashpra në mbarë botën dhe ka dëmtuar imazhin e tij.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"