Nga humbja ndaj Leverkusenit te eksperimentet taktike, 4 arsyet që e larguan Nagelsmanin nga Bajerni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2023 | 23:12

Nga humbja ndaj Leverkusenit te eksperimentet taktike, 4 arsyet që e larguan Nagelsmanin nga Bajerni

“E pabesueshme”, ësh të termi i duhur për të cilësuar shkarkimin e Julian Nagelsman në krye të Bajern Mynihut. Leverkuseni u dha goditjen fatale një sërë problemesh të hapura në kampin e gjigantëve nga Mynihu drejt vendimit ekstrem, “dëbimin” e njoftuar në media. Më poshtë po ju prezantojmë me 4 arsyet se nga buroi kjo skenë surprizuese.

NAGELSMAN

1. MUNGESA E QËNDRUESHMËRISË-Nisja e vrullshme e kampionatit nga të besuarit e Nagelsmanit bëri që mediat europiane t’i kthenin “projektorët” e vëmendjen te bavarezët, e përkthyer me rekord golash të finalizuar në javët e para.

Më pas tabloja filloi të venitej, aty ku muaji shtator dha goditjen e parë. Kriza mori përmasa të mëdha, megjithatë 35-vjeçari e gjeti formulën për të karikuar të tijtë dhe rikthimin te goleadat. Nisja e vitit 2023 u pasua nga e njëjta skenë. Trendi në ngritje i largoi hijet e vjetra, por disfata në Leverkusen i hoqi kreun në ligë, duke mos u “gëlltitur” dot nga drejtuesit.

2. EKSPERIMENTET TAKTIKE-Ndryshimi i sistemit të lojës gjeti terren të përshtatshëm në aventurën e sezonit aktual te kampionët e Bundesligës nën urdhrat e ish-timonierit Nagelsman. 35-vjeçari e nisi me skemën “e vjetër” që në kohën kur drejtonte Lajpcigun 4-2-2-2, me Manenë dhe Mylerin në majë të sulmit. Më pas do t’i vinte radha modelit klasik 4-4-2, e për të vazhduar në “mitin” e Bajernit përgjatë dekadës së fundit 4-2-3-1.

Eksperimenti nuk do të kishte të sosur në planet e Julianit, e përkthyer në “ristrukturimin” e repartit difesiv me tre mbrojtës qendrorë, e cila ndikoi edhe në pjesën tjetër të linjës (3-4-2-1). Orvatja në gjetjen e skemës së duhur do të vinte në funksion 3-1-4-2, ndërsa moduli 3-3-2-2 i vuri kapak përballjes së fundit, e ku ngriti sirenat e alarmit se “diktuesit” e Bundesligës ishin të fikur në çdo sektor në “BayArea”.

3. RASTI I NOJERIT- Largimi i Toni Tapaloviç nga posti i trajnerit të portierëve shërbeu si indicie kryesore e shpërthimit të Nojerit në media. Intervista e 36-vjeçarit surprizoi këdo. Nëse Nagelsman e kishte menaxhuar më mirë komunikimin e brendshëm situata nuk do të kishte marrë përmasa të tilla, të cilat më pas u përfolën për krijimin e klaneve brenda grupit.

4. REAGIMET PUBLIKE- Temperamenti prej ballkanasi i Nagelsmanit e ka shoqëruar këtë të fundit jo në pak raste. Akuzat ndaj arbitrave kaluan deri në sjellje josportive, shembulli ideal i sfidës ndaj M’Gladbah, shkak kartoni i kuq në dëm të Upamekanos. 35-vjeçari nuk e kurseu fjalorin e pahijshëm në dhomat e zhveshjes karshi kryesorit Velz.

Përgatiti: SAIMIR MBËRS – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"