Nga Luftëtari te Tërbuni dhe Sopoti/ Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë
Nazmi Gaba, i cili shënoi dy gola ndaj Turbinës, bën apel që Luftëtari të mos kalojë në vetëkënaqësi. “Për Turbinën ishim përgatitur gjatë gjithë javës, e vlerësuam pa u ndikuar nga renditja. Në grupin tonë ka disa ekipe që bashkë me ne pretendojnë ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Nuk duhet nënvlerësuar asnjë skuadër. Jemi më të angazhuar për të realizuar objektivin e sezonit për ta ngjitur Luftëtarin një kategori më lart. Nuk është rastësi që kemi shënuar në 3 ndeshjet e fundit 14 gola. Dhe asnjë gol nuk ka qenë i rastësishëm, por rezultat i lojës kolektive, duke nisur nga mbrojtja. Luftëtari funksionon në harmoni të plotë, por nuk duhet të kalojmë në vetëkënaqësi. Në vazhdim ndeshjet bëhen më të forta dhe pikët janë të rëndësishme. Kalendari në vazhdim na vë përballë ekipeve që kanë të njëjtin objektiv dhe çdo ndeshje e konsiderojmë si një finale. Radhën e ka Butrinti dhe në Sarandë shkojmë më të mobilizuar që të dalim fitues”, shprehet Gaba. Gëzim Beqiri
Bardhi: Tërbuni s’dorëzohet, ka mundësi për vendin e parë
Sinan Bardhi, trajneri i Tërbunit, është entuziast pas fitores kundër Naftëtarit. Edhe në radhët e lojtarëve nuk mungon optimizmi për ndeshjen në transfertë me Sopotin, ku marrja e pikëve nuk është e pamundur për pukjanët. “E kemi vlerësuar këtë ndeshje dhe besoj se lojtarët do t’ia dalin me sukses. Gjatë rrugës kemi bërë gabime që nuk na falen, por po përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje. Të hënën nuk kemi bërë pushim, kemi vazhduar me dy seanca në ditë.
Vëmendja është e përqendruar te transferta me Sopotin. Në 4 ndeshjet e fundit të fazës së parë duhet të jemi shumë të vëmendshëm për të mos lënë pikë. Në verë janë larguar disa lojtarë cilësorë, por edhe kemi afruar të tjerë po cilësorë, sidomos nigerianët që tani janë ambientuar me grupin dhe kanë ardhur duke u rritur. Në Librazhd do të shkojmë vetëm me një synim, të marrim pikë. Parashikohet një ndeshje e vështirë, por askush nuk duhet të mendojë se nuk i kemi mundësitë të kapim vendin e parë. Kërkesa ime ndaj lojtarëve është të jenë të kujdesshëm para portës kundërshtare. Të gjithë duhet të reflektojnë, sidomos sulmuesit. Nëse shënojmë që në fillim të ndeshjes, çdo gjë bëhet e mundur. Synimi ynë është rikthimi në të Parën”, ka thënë trajneri Bardhi. Gani Pema
Turbina, rikthehet nga pezullimi trajneri Çutra
Pas pezullimit njëjavor nga Disiplina, trajneri i Turbinës, Xhynejt Çutra, rikthehet në stol për sfidën ndaj Memaliajt, ku beson për një fitore të mundshme. “Mungova në ndeshjen me Luftëtarin, ku e drejtova skuadrën nga jashtë. U mundëm nga gabimet tona në mbrojtje. Kërkoj nga ky repart që të mos përsëriten më këto paraqitje të dobëta, që na kanë penalizuar edhe në ndeshje të tjera. Kërkoj po ashtu nga i gjithë ekipi të reflektojë, pasi nuk ka rrugë tjetër përveç fitores kundër Memaliajt. Dua që tifozët cërrikas të na mbështesin fuqishëm, pasi kemi shumë nevojë për ta në këtë moment”, ka thënë trajneri Çutra. Mariglen Miraka
GRAMSHI
Gramshi ka marrë fitoren e parë në këtë kampionat, duke mundur Murlanin në transfertë. Ky trepikësh ka ardhur në momentin e duhur dhe në debutimin e dyshes drejtuese Lleshanaku-Bashalliu. Këta të fundit u kanë rikthyer buzëqeshjen tifozëve të kuq. Këtë javë Gramshi pret në fushën e vet Ilirinë pretendente në një përballje shumë të fortë. Dyshja e trajnerëve elbasanas gjithsesi janë optimistë për vazhdimin me rezultate pozitive, edhe pse përballë është një nga kundërshtarët më të vështirë. Gramshit synon të grumbullojë sa më shumë pikë që të ngjitet në tabelën e renditjes. M.Miraka
Naftëtari, Koroveshi: Nuk shfrytëzuam rastet në Pukë
Kuçovarët, pavarësisht dëshirës që treguan në fushë, nuk arritën ta kalonin me sukses transfertën me Tërbunin. Naftëtari rezistoi në pjesën e parë, ku pati edhe disa mundësi për të kaluar në avantazh, por më pas u dorëzua dhe pranoi rezultatin, duke vlerësuar pozitivisht ambientin korrekt në stadiumin “Ismail Xhemali”. Ndihmëstrajneri Endri Koroveshi thotë për “Panorama Sport” se skuadra i kishte të gjitha mundësitë për rezultat pozitiv në Pukë:
“Doja të veçoja fillimisht ambientin korrekt në stadiumin e Pukës. Si staf teknik nuk jemi të jemi të kënaqur me humbjen. Me pak kujdes mund të merrnim pikë. Kemi pasur mundësi të mira për të dalë te goli, por duhet t’i kishim shfrytëzuar. Mendoj se në golin e parë të Tërbunit kishte parregullsi, më parë topi kishte kaluar vijën fundore. Megjithatë, duhet ta lëmë pas atë humbje dhe të fokusohemi te sfida e radhës ndaj Veleçikut, ku do të kërkojmë rikthimin te fitorja”. Arben Çepani
Rreshka premton gol për Sopotin ndaj pukjanëve
Ecuria e javëve të fundit ka bërë që të gjithë në Librazhd të besojnë më shumë se këtë vit objektivi i ngjitjes së Sopotit në Kategorinë e Parë mund të realizohet. Të gjithë po punojnë maksimalisht, sidomos drejtuesit që nuk po kursehen me investimet. Stafit teknik i është bashkuar edhe ish-kapiteni Mirel Çota, i cili ka marrë detyrën e zv.trajnerit. Ai, bashkë me ndihmësin tjetër Shkëlqim Hajdari, janë një vlerë e shtuar për trajnerin Besnik Kola, që ka një grup cilësor, sidomos në repartin sulmues. Këtë javë Sopoti pret Tërbunin dhe fitorja nuk duhet të diskutohet. Sulmuesit duket se janë të etur për gola. Shtatlarti Arnold Rreshka është i bindur për fitore dhe madje premton gol në këtë sfidë. “Nuk diskutojmë më rezultat tjetër veç fitores. Ndihem në formë dhe synoj të shënoj për t’i dhënë fitoren ekipit tim”, theksoi Rreshka. Ledion Qoshku
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"