Nga Luftëtari, Tomori, Naftëtari te Tërbuni dhe Iliria, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë
Në përfundim të fazës së parë të kampionatit të Grupin B të Kategorisë së Dytë, Luftëtari u renditur në vend të parë me 2 pikë më shumë se Oriku. Ekipi është pushim së fundmi dhe seancat përgatitore do t’i rinisë pas festës së Krishtlindjeve. Ndërsa më 3 janar, bluzinjtë do të fillojnë përgatitjet për fazën e dytë, që starton më 26 janar.
Kjo tregon një vlerësim maksimal të punës, në përmbushje të objektivit madhor, ngjitje në Kategorinë e Parë. Kjo periudhë do të shërbejë edhe për disa afrime të reja në ekip. Në merkaton e dimrit parashikohet që të vijnë të paktën tre futbollistë të tjerë. Si zakonisht, emrat bëhen të ditur në momentin që nënshkruhet kontrata midis palëve. Me largimin e Nazmi Gabës, bëhet i nevojshëm plotësimi i repartit të sulmit, ndërkohë që do të kthehen në skuadër dy futbollistët e huazuar gjatë fazës së parë në Delvinë dhe Sarandë, Xhulio Avduli dhe Andri Çelo, të cilët do të plotësojnë repartin e mbrojtjes dhe mesfushës. GËZIM BEQIRI
Biaje: Tomorit i premtoj më shumë gola
Në historinë e Tomorit, gjithnjë kanë spikatur si shënues futbollistë të njohur vendas, por nuk kanë munguar as ata jabanxhinj. Në ndryshim nga historia dhe tradita e mëparshme, vërtetë mungojnë emra të kalibrit, që kanë shkruar emrin me germa të arta në librin e historisë 101 vjeçare të futbollit beratas. Në kampionatin aktual është duke spikatur një sulmues afrikan, Sami Biaje, i ardhur në Berat në huazim nga Bylis, që në fazën e parë shënoi 5 gola. Për “Panorama Sport” sulmuesi 25 vjeçar u shpreh: “Për mua është kënaqësi që shënoj dhe i shërbej Tomorit. Këtu ndihem mjaft mirë dhe përpiqen të jap maksimumin në fushën e lojës. Do të dëshiroja që të kisha shënuar edhe më shumë sesa 5 herë, por besoj se në fazën e dytë do të përmirësohem. Golat jo vetëm që nuk do të më mungojnë, por premtoj të gjej më shpesh portat e ekipeve që do të kemi përballë. Unë gjithnjë kërkoj të luaj më pranë portës kundërshtare”. Biaje është shënuesi më i mirë i Tomorit. EDI SPAHIU
Pukjanët
Tërbuni, Pjetri zbulon planet e merkatos
Tërbuni e mbylli fazën e parë me fitore dhe në vend të katërt. Ky pozicion nuk konsiderohet i favorshëm nga pukjanët që kërkojnë të ngjiten një kategori më lart. Gjithsesi, ata nuk i kanë humbur shpresat se do t’ia dalin. Për “Panorama Sport”, drejtorin teknik Alfred Pjetri, u shpreh: “I kemi pasur të gjitha mundësitë për të qenë në vendet e para, por gabimet e bëra na ndëshkuan me lënien e pikëve. Ne si drejtues, së bashku me kryebashkiakun Rrok Doda, që i gjendet pranë ekipit me kontributin e tij, jemi në bisedime për të përforcuar ekipin me lojtarë cilësorë aty ku kemi nevojë. Tërbuni do të vazhdojë të stërvitet nën drejtimin e trajnerit Sinan Bardhi deri në fund të muajit për të rifilluar menjëherë pas festave të fundvitit. Kemi piketuar disa lojtarë dhe një qendërmbrojtës dhe një mesfushor nga tregu i huaj do t’i bashkohen ekipit së shpejti. Ndërsa në janar do të afrohen dhe të tjerë, por gjithmonë duke ruajtur boshtin e skuadrës”. GANI PEMA
NAFTËTARI
Ecuria e kuçovarëve gjatë fazës së parë ka qenë me ulje–ngritje. Naftëtari ka vuajtur mungesën e pikëve, por ka pasur rritje në ndeshjet e fundit, edhe pse për fat të keq kanë munguar rezultatet. Skuadra ka zhvilluar dy ndeshje të mira ndaj dy pretendentëve, Sopoti dhe Luzi, por pa arritur te rezultati pozitiv. Zhgënjimi për mungesën e pikëve është i dukshëm dhe tashmë shpresat janë për fazën e dytë, ku parashikohet të ketë dhe disa përforcime. ARBEN ÇEPANI
Kaçubela, drejt Ilirisë
Tërbuni ka pësuar firo së fundmi, pasi mësohet se sulmuesi shkodran, Vildan Kaçubela, nuk do të jetë më pjesë e skuadrës pukjane. Kapiteni ka ndërprerë bashkëpunimin me Tërbunin, por pritet që të vijojë sërish në Kategorinë e Dytë. Kaçubela në pjesën e dytë të sezonit do ta ketë Tërbunin si rival, pasi ka vendosur që karrierën ta vazhdojë tek Iliria, ku fushëkruajsit synojnë që sezoni i ri t’i gjejë në Kategorinë e Parë. ABDULLA DUSHKU
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"