Nga mbrojtja në sulm, Burreli konfirmon marrëveshjen me 4 lojtarë! Lleshaj: Merkatoja vazhdon
Dita e djeshme ka qenë shumë intensive në kampin matjan. Burreli ka goditur duke afruar katër futbollistë të cilët kanë hedhur firmën në kontratë. Bëhet fjalë për dy sulmuesit: Visar Musolli dhe Igli Rrapi, mesfushorin nga Kolumbia Zhoze Huan dhe mbrojtësin brazilian Helio.Kosovari Musolli, një edicion më parë ka qenë pjesë e skuadrës së Pudojevës në kampionatin kosovar. Ndërsa sulmuesi tjetër Igli Rrapi, ka qenë pjesë e skuadrës U-21 të Egnatias. Gjatë karrierës së tij, ai është aktivizuar më shumë me skuadrat e moshave të Shënkollit (U17 & U-19) dhe Dinamos (U-19). Ajo që vlen të theksohet për 19- vjeçarin Rrapi, është se në edicionin 2021-2022 ka qenë pjesë e skuadrës italiane të Joneses Promesas.
Përfshirja e tij me skuadrën matjane në edicionin e ri futbollistik është e para për të me një skuadër të rriturish. Ndërkohë për mesfushorin kolumbian Zhoze Huan dhe brazilianin Helio Xhuniors, kjo do të jetë e para eksperiencë në Shqipëri. Mbrojtësi 24-vjeçar brazilian, gjatë karrierës së tij është aktivizuar me skuadra të ndryshme të moshave në Brazil, ndërsa edicionin e kaluar ka një eksperiencë në kampionatin grek me skuadrën Pasa Irodotos. Nënshkrimi i katër futbollistëve të fundit, ka përcjellë besim në radhët e sportdashësve matjanë, të cilët ndryshe nga edicionet e kaluara, shpresojnë të jetë diçka tjetër.
Sipas sekretarit matjan, Marjan Lleshaj, mësojmë se merkato për afrimin e futbollistëve cilësorë pranë skuadrës do të vazhdojë dhe në ditët në vazhdim.
“Merkato do të vazhdojë dhe në ditët e ardhshme. Ndërtimi i një skuadre me profil pretendenti në sezonin e ri mbetet objektivi primar për ne”, e mbyll prononcimin sekretari Lleshaj.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"