Nga momentet më të bukura te pengjet, rrëfimi special i Dejvi Bregut: Dinamo më lart në derbi, elita pret Flamurtarin…
Dejvi Bregu rrëfen karrierën e tij, momentet më të bukura dhe pengjet.
Sulmuesi vlonjat i Dinamos ka treguar për “TV 6+1 Vlora” gjithë hapat që ka ndjekur që nga Flamurtari e deri sot, trajnerin që i besoi i parë në ekip të parë, si dhe problemet që ka hasur në Turqi dhe Poloni. Për Dinamon pohon se i kishte dhënë fjalën presidentit Bardhi, ndërsa Flamurtarin e sheh në elitë sezonin e ardhshëm.
Bregu, ju jeni rritur në Vlorë, por pjesën më të madhe të karrierës e keni jashtë këtij qyteti. Cili ka qenë rrugëtimi juaj deri te Dinamo?
Karriera ime ka nisur me moshat e Flamurtarit, me profesor Petraq Bifshën. Me ekipin e parë kam qenë në fazë përgatitore që 16 vjeç dhe në atë kohë trajner ishte Shkëlqim Muça. Më ka afruar ekipi i parë, më dha ëndrrën e çdo fëmije vlonjat që të luante me Flamurtarin. Pastaj janë ndërruar trajnerët, erdhi italiani Ernestino Ramela, i cili më dha mundësinë të shprehja potencialin tim në fushë. Ishte trajner që më dha gjithë lirinë e mundshme për të shprehur aftësitë dhe i jam mirënjohës. Më pas pati sërish ndryshim në stol dhe nuk isha në planet e trajnerit Zekerija Ramadani. Me mirëkuptim me klubin shkëputa marrëdhëniet me Flamurtarin.
Si vazhdoi pastaj rrugëtimi i Bregut?
Dëshira ishte të kontribuoja për ekipin që u rrita, por rrugët tona u ndanë në atë mënyrë, pa keqardhje apo pa ndonjë inat. Shkova në Kategorinë e Parë në Gjirokastër, te Luftëtari, trajner ka qenë Gerd Haxhiu.
Në ato vite thuhej në Vlorë se “e dogjën Dejvin”, “e lanë të ikte”…
Në ato momente Flamurtari ishte një ekip i mirë, i investuar dhe që luftonte për titullin në Superiore. Unë, si i ri, kërkoja mundësitë e mia. Lojtarët që kishte Flamurtari ishin më të mirët në Shqipëri. Këto gjëra në futboll janë mëse normale, të jeni të bindur se ndaj Flamurtarit nuk kam as një lloj mërie e inati. Këto që kanë ndodhur, kanë mbetur në të kaluarën. Te Luftëtari gjeta trajnerin Gerd Haxhiu, i cili ka insistuar për mua dhe ekipi gjirokastrit më hapi dyert në një moment të vështirë.
Pse menduat të kalonit nga Superiorja në Kategorinë e Parë?
Ishte zgjedhja e duhur, e tregoi pastaj gjithë rrugëtimi im. Interesi im në atë kohë nuk ishte ana financiare, doja së pari të luaja. I jam mirënjohës vërtet Luftëtarit dhe trajnerit Haxhiu. U ngjitëm si vendi i parë në Superiore. Rinovova kontratën me Luftëtarin, por edhe Flamurtari më ka kërkuar pas 6 muajve. Shikoja një hendek shumë të madh midis meje dhe Flamurtarit, sepse, siç e thashë, ishte ekip i mirëinvestuar, kurse unë doja minuta. Ato dy vite te Luftëtari kanë qenë “shpëtimi im” futbollistik, pasi kam luajtur 60- 70 ndeshje me minuta të plota. Ishin dy sezone shumë të mira, ku pata shpërthimin në Superiore dhe kartonin tim e bleu Skënderbeu.
Si shkoi eksperienca juaj me këtë ekip?
Fati im i keq ishte që në atë moment Skënderbeu u dënua. Sezonin e parë deri në janar kam bërë shumë mirë dhe kisha një mundësi të kaloja në Suedi, por u dëmtova. Pata një frakturë në krah. Edhe sezonin e dytë bëra goxha mirë, por rastisi Covid-i. Kisha oferta nga Suedia dhe Kazakistani, por nuk ndodhi asgjë për shkak të pandemisë. Kontrata ime përfundoi dhe kalova te Teuta. Aty ishte një nga sezonet e mia më të mirë, por edhe të ekipit, u shpallëm kampionë. Besoj se sportdashësit e mbajnë mend atë sezon. Pastaj kalova në Turqi.
Kur ikën në Turqi, duket sikur “harrohesh”, pasi jo të gjithë kanë mundësi të të ndjekin…
Po, e vërtetë është, por më kanë ndjekur familjarët dhe shoqëria e afërt.
Si kanë qenë ato vite në Turqi?
Dy vitet e para kanë qenë goxha të mira. Futbolli turk është nga më të investuarit, skuadrat aty marrin lojtarë të nivelit të lartë, si Ikardi, Osimhen, Imobile etj., apo edhe trajnerë si Murinjo. Nga ana financiare janë shumë lart. Më ofruan rinovimin, por nuk e pranova, pasi doja një eksperiencë tjetër. Por doli që eksperienca tjetër ishte e hidhur për mua, për shkak të anës financiare. Klubet turke, ashtu siç kanë nivel shumë të lartë, kanë edhe probleme me financat. Do të isha edhe sot atje, pasi emri që lashë dy vitet e para bëri që të më kërkonin edhe skuadrat e tjera turke. Pastaj shkova në Poloni. Është pengu im në karrierë, pasi ishte një futboll që më përshtatej.
Pse ishte pengu yt?
Sepse e nisa shumë mirë. Pata një dëmtim të vogël dhe në atë moment pata edhe një mosmarrëveshje me trajnerin. Filloi ftohja dhe njerëzit e sportit e kuptojnë këtë pjesë. Thashë peng, sepse e nisa shumë mirë, me gola dhe asiste. Ishte një nga ekipet më të mira Visla Krakov. Kur shkarkuan trajnerin, pata një bisedë me presidentin, por rinovimi nuk ishte me kushte të mira financiare. Ai më komunikoi që donin të më mbanin, por nuk më plotësonin dot kërkesat. Ky ishte pengu i vetëm nga karriera ime jashtë.
Në merkaton e verës u përmend shumë emri juaj në Vlorë. Çfarë ndodhi realisht?
Kam rreth dy vite e gjysmë që kam një menaxher spanjoll. Jam lidhur në kontakte që kur kam qenë në Turqi dhe besoj se do ta kem deri në fund të karrierës, sepse është treguar i besueshëm, më është gjendur në çdo moment. Gjithë kohën që kam qenë jashtë, presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, është i vetmi që më ka kontaktuar. Dëshira ime nuk ka qenë të kthehesha në Shqipëri, ndërsa ai më ka thënë: “kur të vish në Shqipëri, do të jesh lojtar i Dinamos, pastaj për të tjerat mendoj unë”. Kam pasur marrëdhënie shumë korrekte që në kohën e Teutës.
A keni ndonjë peng tjetër?
Nuk mund të them peng, por do doja të luaja me Flamurtarin dhe të fitoja një titull në Vlorë. Doja të jepja edhe unë kontributin tim për ekipin e zemrës, Flamurtarin. Jam në kulmin e pjekurisë si lojtar dhe në futboll kurrë mos thuaj kurrë. Zoti Idrizi e ka pranuar publikisht dhe unë publikisht e falënderoj për fjalët që ka thënë për mua. Mbase nuk ka qenë momenti i duhur, i uroj Flamurtarit të shkojë atje ku e meriton.
Ky Flamurtar i sotëm, të jep shpresë për Superioren?
Patjetër që po. Pashë ndeshjen me Vorën, që përfundoi 3-0. U dominua totalisht nga Flamurtari. Grupi që ka skuadra është më i miri, ka lojtarë me eksperiencë, si Trashi, Batha, Shkurtaj. Vasili është një nga sulmuesit më të mirë, me të cilin kam luajtur. Janë lojtarë që kanë fituar kampionate, jo kalimtarë. Flamurtari nuk e diskuton ngjitjen. Ka mësuar nga gabimet që ka bërë, nuk është për këtë kategori, por është për Superioren dhe për ta fituar atë. Kam kontakte me djemtë, Liçajn e kam pasur shok ekipi. Më ka thënë që skuadra ka qetësi. Me këta lojtarë Flamurtari do të ishte konkurrues në elitë, me formulën që ka sot ajo. Besoj se edhe vetë Superiorja e pret ardhjen e Flamurtarit, pasi është një ekip që ka qytetin, stadiumin dhe tifozët.
Dinamo vjen pas derbit të fortë me Partizanin, ku humbi. Si do ta komentonit?
E them me bindje se kemi qenë më lart se kundërshtari. Këtë e di kushdo që pa ndeshjen, por jo gjithmonë fiton ai që prodhon lojë. Derbi ishte i luftuar, ndeshja ishte e bukur. Munguan vetëm tifozët që shpresonim të ishin më të pranishëm në stadium. Një derbi me tifozë ka një tjetër aromë. Ishte humbja e parë pas dy muajsh.
Si e keni gjetur kampionatin shqiptar?
E kam gjetur me ekipe që kanë cilësi. Duke parë formulën, ekipet mund të tregohen pak të rezervuar për momentin, po mendoj ka një luftë të fortë për “Final Four”, kampionati ka cilësi.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"