Nga muzika në sfond tek trajneri Devolli që shpërndan puthje në stadiumin e boshatisur, njihuni me pikantet e Kukësi-Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2024 | 12:03

Nga muzika në sfond tek trajneri Devolli që shpërndan puthje në stadiumin e boshatisur, njihuni me pikantet e Kukësi-Tirana

“Panorama Sport” ju sjell pikantet e sfidës Kukësi-Tirana, e vlefshme për turin gjysmëfinal të Kupës.

WhatsApp Image 2024-04-04 at 12.01.33 PM

– Kjo ndeshje u luajt pa praninë e tifozëve, për shkak të dënimit të fushës së Kukësit, pas incidenteve që patën në përballjen e para pak javëve në kampionat me Erzenin.

– Kapiteni i Kukësit, Angelo Tafas, kërkon t’u japë zemër lojtarëve të skuadrës së tij që në startin e sfidës. Ai rreshtohet krah arbitrave për të takuar shokët e tij.

– Trajneri i Kukësit, Bledar Devolli, kërkon një karton të verdhë ndaj Latifit, pasi rrëzohet në zonë pas një dyluftimi. Gjyqtari vijon lojën, ndërsa Devolli bërtet, duke i kujtuar që duhet ta ndëshkojë. Pasi mbyllet aksioni, është ai që ndëshkohet me një karton të verdhë nga Cjapi.

– Në minutën e 42-të gjyqtarit Kreshnik Cjapi i bie shkumuesja dhe ndihmohet nga një lojtar i Kukësit për ta rimarrë sërish.

– Mbrojtësi i Kukësit, Nikolin Duka, në fundin e pjesës së parë shkon të kërkojë llogari te gjyqtari. Mesa duket, nuk ka qenë shumë i bindur nga ai karton i verdhë në dëm të tij.

– Bledar Devolli ka një festim special pas golit të dytë, duke u kthyer nga kamera dhe bërë gjeste që tregojnë gëzimin e tij. Gjirokastriti njihet për mocionet dhe origjinalitetin e tij, ku edhe puth në kokë Laval me Hilaj gjatë momentit që u futën në fushë.

– Kuksiani i Tiranës, Fjoart Jonuzi, dëmtohet në shpatull dhe në fushë futen menjëherë mjekët e Tiranës. Por, pak sekonda më pas u panë të hyjnë për të dhënë ndihmën e tyre edhe stafi mjekësor i verilindorëve, duke treguar “fair play”.

– Minutat e fundit të ndeshjes luhen me muzikë në sfond, me vendësit që mesa duket e nisën festën pa u mbyllur ende ndeshja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"