Nga rruga në Uembli, Anis Mehmeti ëndërron: Shpresoj të luaj kundër Anglisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2024 | 9:45

Nga rruga në Uembli, Anis Mehmeti ëndërron: Shpresoj të luaj kundër Anglisë

Anis Mehmeti ka gjetur shtegun e tij, duke shpresuar të ndjekë gjurmët e shkëlqyera të yjeve të futbollit anglez si Bukajo Saka dhe Rahëm Sterling. Anësori i Bristol Sitit ëndërron të shfaqë talentin e tij në fushën e madhe të Uemblit, ndërsa Anglia nis fushatën e saj kualifikuese për Kupën e Botës 2026 këtë mars.

anis mehmeti

Me tri ndeshje për Kombëtaren shqiptare, aspiratat e Mehmetit pasqyrojnë një rrugëtim që filloi në rrugët plot zhurmë të Londrës Veriore, ku ai dalloi me aftësitë e tij në ekipet lokale dhe tani vetëm 23-vjeç, është i vendosur që të lerë gjurmë në futbollin ndërkombëtar.

Ai kujton me mall kur ka mësuar lojën që në moshën tre vjeçare, duke luajtur futboll çdo ditë në lagje. “Unë u rrita në një shtëpi të thjeshtë dhe gjithçka që doja të bëja ishte të luaja futboll. Këtu mësova të jem i patrembur”, thotë ai fillimisht për “3pointsforawin”.

RRËNJËT DHE ASPIRATAT Udhëtimi familjar i Mehmetit në Angli filloi më shumë se 25 vjet më parë dhe trashëgimia e tij shqiptare mbetet një pjesë e rëndësishme e identitetit të tij. “Kam lindur në Angli, por gjaku im është shqiptar dhe flas shqip,” shpjegoi ai.

Vizitat e tij verore në Shqipëri kanë rrënjosur një lidhje të thellë me rrënjët e tij dhe ai ëndërron të përfaqësojë Shqipërinë kundër Anglisë. Me perspektivën për t’u përballur me lojtarë të nivelit të lartë si Kajl Uoker dhe Trent Aleksandër-Arnold, Mehmeti mbetet i patrazuar. “Unë gjithmonë bëj shaka me djemtë se, me respekt, nuk më intereson kush është para meje”, tha ai me besim. “Ndeshja Angli-Shqipëri, është ajo lloj sfide për të cilën ju jetoni”, thotë ai.

MUNDËSITË Vendosmëria e tij për të provuar veten kundër më të mirëve është e dukshme dhe ai e pret me padurim mundësinë. Pavarësisht pasionit dhe gatishmërisë, Mehmeti është përballur me sfida për të siguruar një vend në Kombëtare.

“Kam luajtur tre herë për Shqipërinë, por ka pasur një periudhë ku nuk jam thirrur gjatë vitit të kaluar. Kjo është zhgënjyese, por shpresoj se do të kem një shans për të luajtur kundër Anglisë”, shprehet Mehmeti duke shpresuar që me punën e palodhur dhe më shumë gola për Bristolin gjatë kësaj kohe, do t’i bëjë sërish përshtypje Silvinjos.

NGRITJA Që kur u bashkua me Bristol Sitin për 1 milion paund nga Uikombe në janar 2023, Mehmeti është bërë i preferuari i tifozëve, duke shënuar gjashtë gola këtë sezon. Rrugëtimi i tij drejt futbollit profesionist nuk ka qenë i menjëhershëm. Pas një karriere me të rinjtë në Fullham, Totenham dhe Noruiç, ai e gjeti veten pa një klub gjatë pandemisë Covid. Duke reflektuar për ato kohë sfiduese, ai tha:

“Përfundova pa klub për një kohë për shkak të Covid. Kam pasur gjithmonë besim te vetja, por ka dyshime kur janë pesë muaj pa klub”, tregon ai që shkoi në kategorinë e pestë angleze dhe më pas shfrytëzoi mundësinë për të shkuar në prove tek Uikombe, aty ku gjithçka përfundoi me sukses. Me synimet e tij drejt lavdisë ndërkombëtare dhe dëshirës për të përfaqësuar Shqipërinë në skenën botërore, historia e Anis Mehmetit është një histori e vendosmërisë, pasionit dhe dashurisë së palëkundur për lojën e bukur. Rrugët e Londrës Veriore mund të kenë qenë pikënisja e tij, por Uembli së shpejti mund të jetë destinacioni i tij i radhës.

ssas

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"