Nga skandali me portierin serb tek numri i konsiderueshëm i tifozëve të kuq në Maltë, ja pikantet e Marsaslok-Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2024 | 23:20

Nga skandali me portierin serb tek numri i konsiderueshëm i tifozëve të kuq në Maltë, ja pikantet e Marsaslok-Partizani

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes mes Marsaslok dhe Partizanit, e luajtur në qytetin e Ta Qalit dhe e fituar me përmbysje nga lojtarët e Orges Shehit, të cilët kalojnë në turin e dytë.

900-0-1721329386xbandicam-2024-07-18-21-02-59-915-941

* Rreth 10 minuta para nisjes së ndeshjes, organizatorët kujdesen që të ujisin gjithë sipërfaqen e fushës me impiante gjigante uji. Ujitja e bën fushën më të rrëshqitshme dhe ndihmon në qarkullimin e topit dhe lojën e shpejtë. E njëjta gjë përsëritet edhe në pushim.

* Regjia malteze duket se s’është lodhur shumë për të kërkuar logon aktuale të Partizanit, por në grafikën para ndeshjes ka vendosur stemën me të kuqe dhe të verdhë. Ngjyra e verdhë është eliminuar së fundmi.

* Krahas ndeshjes, para stadiumit “Centenary”, ku ndodhet një pistë “rally”, zhvillohej një garë dhe zhurma e makinave dëgjohej aq shumë, saqë bëhet shqetësuese për të pranishmit në stadium dhe teleshikuesit.

* Në minutën e tretë Murataj tremb Partizanin. Mesfushori mori një fanellë titullari, edhe pse kishte pësuar një goditje gjatë javës, por në një duel që në start merr një tjetër goditje dhe ka dhimbje në gju. Pas trajtimit të mjekëve bën thirrje të mos zëvendësohet. Reziston vetëm 5 minuta dhe kërkon ndërrim. Vendin ia merr Mehmeti.

* Pas nisjes së sfidës, te Marsaslok janë kujdesur që të kenë edhe një orkestër, e cila për një kohë të gjatë nuk ndalet dhe bën që të mos dëgjohen koret e tifozëve.

* Në formacionin e Marsaslok ishin vetëm tre lojtarë nga Malta. Në futbollin maltez lejohen deri në nëntë lojtarë të huaj në 11-she.

* Nuk mungojnë tifozët e Partizanit në Maltë. Një grup i konsiderueshëm prej afro 300 vetash ishin në shkallët e stadiumit për të mbështetur ekipin në këtë transfertë. Një numër tejet i kënaqshëm kur mendon faktin që ekipi luante jashtë Shqipërisë. Dukej si një transfertë në Shkodër apo Durrës.

* Në momentin që zhvillohej ndeshja, temperatura në qytetin e Ta Qali shënonte plot 31 gradë celsius, tejet e lartë për të luajtur një ndeshje futbolli. Në disa momente gjatë ndeshjes gjyqtari sinjalizon pushim për freskimin e skuadrave.

* Në minutën e 54-t një tjetër titullar, Maget Gueje, shfaq problem fizik dhe pezmaton për një moment stafin teknik. Pas ndërhyrjes së mjekëve sinjalizon se mund të vijojë lojën dhe ia del.

* Në pjesën e dytë Skikluna ndërhyn ndaj Rrapajt, i cili më pas ia kthen me një shtyrje me trup dhe e “plas” në tokë.

* Maget tenton fluturimthi nga distanca, por gjuajtja e tij përplaset te Skikluna, që mbetet i trullosur dhe i duhet kohë të marrë veten.

* Në fund ka skandal dhe tension, i iniciuar nga portieri serb i maltezëve, Marko Drobnjak. Ai provokon tifozët e Partizanit pas ndeshjes me shprehjen: “Kosova është Serbi”. Jo vetëm kaq, por edhe me ofendime të tjera. Skandali i tij s’mbaroi vetëm me kaq, pasi mbrojtësi i Partizanit, Bytyçi, u konfrontua me portierin Drobnjak. Ishte pikërisht Bytyçi, ai që kuptoi në gjuhën serbe sharjet dhe shprehitë e portierit karshi tifozëve dhe lojtarëve të Partizanit. Duket se ky eliminim ka bërë që serbi ta humbasë toruan, teksa gjatë përleshjes bëri edhe shenjën e tri gishtave, simbolikë nacionaliste serbe, e përdorur kundër shqiptarëve. Portieri tani rrezikon dënim shembullor nga Komisioni i Disiplinës të UEFA-s. Tension ka pasur deri në momentin që skuadrat janë ngjitur nëpër autobusët e tyre.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"