Nga sulmi i mediave te kërcënimet e ultrasve, ja çfarë sollën kaosin mes PSG-së dhe Leo Mesit
Duket se divorci mes PSG-së dhe Leo Mesit është tashmë i pashmangshëm, me argjentinasin që nuk ka shkëlqyer me parizienët që nga transferimi i tij i bujshëm në vitin 2021.
Siç bëjnë me dije mediat franceze, çdo gjë pritet të përfundojë në fund të këtij sezoni, teksa për kampionin e Botës janë ngritur menjëherë interesime.
E para është Barcelona që kërkon ta kthejë në shtëpi, por interes ka dhe nga Arabia Saudite dhe SHBA-ja.
Por cilat ishin ato gjëra që sollën këtë krisje që më pas u kthye në një kaos total mes klubit francez dhe Leo Mesit.
IKJA NË ARABINË SAUDITE – Marrëdhëniet e Katarit dhe Arabisë Saudite nuk janë më të mirat. Për këtë arsye drejtuesit i kërkuan që ai mos të ikte atje për pushime, por Mesi refuzoi t’i dëgjonte dhe bëri pikërisht të kundërtën e asaj që i thanë. Kështu klubi e gjobiti argjentinasin dhe mori vendimin për të mos e grumbulluar në dy ndeshjet e radhës.
VËRSHËLLIMAT E TIFOZËVE – Që pas eliminimit nga Liga e Kampionëve në fazën e 1/8-ave, tifozët e PSG-së kanë shprehur pakënaqësitë ndaj klubit dhe sidomos ndaj Mesit. Ata e treguan këtë duke e vërshëllyer në ndeshjet e radhës argjentinasin.
DËSHTIM – Mediat e kanë cilësuar si një dështim Mesin në dy sezonet që ai ka bërë me PSG-në, duke mos shkëlqyer në ndeshje të mëdha. Këtë gjë e kanë cilësuar si një lëvizje të gabuar transferimin e argjentinasit në “Parc de Prince” dhe gjithashtu mendojnë se klubi do të jetë më i fortë pa 35-vjeçarin në skuadër.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"